“Shtrydhen” familjet shqiptare. Universiteti shtetëror me tarifat e studimit si privati

508
Sigal

Kryeministri Rama: Nxënësit e prindërit jo klientë të Sudes e Vefës

 Ne e kemi filluar procesin për vlerësimin e universiteteve, kemi kontraktuar një nga agjencitë më të mira ndërkombëtare që përfundon punën në dhjetor. Nuk them asgjë të re, duhet të jeni të përgatitur se në dhjetor do të kemi rezultate të ngjashme me Maturën Shtetërore, mos edhe më tronditëse për universitetin. Kjo reformë i jep fund shprehjes së atij të nënës dhe atij të njerkë, se shtetërori është trajtuar si i nënës, privati si i njerkës. Atij të nënës i pranohet dembelizmi, parazitizmi, hajdutëria dhe i jepet mundësia të jetojë dhe të vërë dhjam duke harxhuar paratë e publikut, ndërsa atij të njerkës t’i lejohet të mbijetojë si të dojë në kurriz të publikut. Gjëja më e rëndësishme nga ku fillon kjo reformë, është fakti se i jepet fund qasjes së arsimit si mall që blihet, i jepet fund trajtimi të studentit si klient që duhet të paguajë mallin që kërkon. Duke vendosur në thelb parimin e arsimit si një e mirë publike që duhet të garantohet nga të dyja universitetet, të dyja të kenë mundësi të barabarta konkurrencë dhe meritë, jo akreditim për privatin dhe pranim pa kushte të shtetërorit, por akreditim për të gjithë pa përjashtim. Do mbyllë derën nëse nuk plotëson kushtet çdo universitet shtetëror. Kjo në respekt të çdo nxënësi dhe prindi që paguan. Ne nuk mundi t’i trajtojmë nxënësit dhe prindërit si klientët e Sudes dhe Vebi Alimucës.

  Ministrja Nikolla: Në dhjetor përfundon akreditimi i universiteteve

 Kjo reformë e sheh universitetin me sytë e studentit dhe të pedagogut; Cilësi në mësimdhënie dhe në jetën akademike. Kam dëgjuar e shqetësuar kritikat që kanë ardhur në emër të reformës, duke thënë se kjo reformë cenon autonominë e universiteteve. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Duam që universitetet shqiptare të dalin nga gjumi letargjik, ku autonomia fiktive e ka hedhur universitetin sot, për të kërkuar realisht një autonomi që do të thotë mundësi për të vepruar në treg me liri të plotë, si gjithë aktorët e tregut. Duam një universitet, që ka për qëllim jo vetëm lëvrimin e privilegjit apo të titujve akademikë, si qëllim në vetvete, por një universitet si strukturë, ku talenti kultivohet dhe idetë qarkullojnë të lira dhe, ku liria akademike është kryefjala e punës suaj. Besoj se të gjithë jeni dëshmitarë, që pas 20 viteve, për herë të parë, Institucionet e Arsimit të Lartë, publike dhe private po i nënshtrohen një procesi të plotë transparence dhe kontrolli që lidhet me verifikimin e kritereve të licencimit. Një agjenci anëtare e ENQA-së ka nënshkruar kontratën dhe do të doja t’i shprehja mirënjohjen Këshillit Britanik për rolin që ka luajtur në këtë proces. Agjencia fillon punën për të realizuar deri në fund të dhjetorit procesin e plotë të akreditimit dhe të rankimit të gjithë institucioneve të arsimit të lartë, publik dhe privat në vend.

Raporti i kontradiktave/ Prezantohet drafti përfundimtar i Reformës në Arsimin e Lartë

Të gjitha familjet shqiptare të cilat duan të shkollojnë fëmijët e tyre në universitete publike duhet ta pyesin mirë veten, pasi në draftin përfundimtar të Reformës në Arsimin e Lartë sugjerohet rritja e tarifës së studimit. Edhe pse gjatë diskutimeve për raportin paraprak me grupet e interesit si dhe sugjerimeve të tyre për të riparë edhe një herë rritjen e tarifave të studimit, edhe pse studentët e kundërshtuan këtë pjesë të reformës, nëpërmjet protestave të tyre, sërish edhe në versionin përfundimtar duket se e gjithë barra e financimit do të bjerë mbi studentët. “Tarifat e studentëve. Deri tani këto tarifa kanë qenë minimale dhe, si të tilla, nuk përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të të ardhurave të IAL-ve publike. Në të ardhmen, komisioni vlerëson si të pashmangshme rritjen e kontributit të tarifave të nivelit Bachelor në buxhetin e IAL-ve. Shteti për këtë nivel studimi është i detyruar të vendosë një tarifë tavan, bazuar në studimet e detajuara të tregut, mbi bazën e mundësisë së çdo familjeje për të përballuar të ardhurat e arsimimit të lartë. Tarifat e studimeve në IAL-të publike përcaktohen prej tyre. Niveli maksimal i tarifave të studimeve për programet e ciklit të parë caktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave” thuhet në Kreun 6, pika 3.1.5 të draftit përfundimtar. Sugjerimi i grupeve të interesit se kërkesa për ndryshimin e tarifave nuk pasqyron realitetin Shqiptar, argumentohet nga Komisioni për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor me dyndjen e madhe të nxënësve në universitete private, që tregon se krijimi i klasës së mesme në shoqërinë shqiptare i përballon më së miri këto tarifa. “Kjo është e vërtetë për familjet që jetojnë nën nivelin mesatar të të ardhurave, dhe ne sugjerojmë që, në më të shumtën e rasteve, këto familje të përfitojnë nga bursat për studentët në nevojë. Të gjitha studimet, si analizat tona dhe studimet kombëtare dhe ndërkombëtare, tregojnë krijimin e një klase të mesme që mund të përballojë pjesërisht një pjesë të shkollimit të tyre. Rritja e numrit të studentëve në sistemin jopublik ku tarifat janë shumë herë më të larta, e tregon vetë këtë fakt”, thuhet në matricën e vërejtjeve dhe sugjerimeve të pasqyruara në raport.

Kategoritë përfituese të studentëve, nëpërmjet financimit të shtetit

Shteti, në kuadrin e politikave dhe objektivave të tij, synon të financojë: studentët fitues, të cilët klasifikohen në nevojë (bursat sociale); studentët e talentuar (bursat e ekselencës); në programet e studimit, që klasifikohen me rëndësi kombëtare dhe prioritare nga qeveria; programet e studimit, ku mungon kërkesa, por që janë të domosdoshme për ekonominë e vendit, kulturën dhe sportin (në përputhje me strategjitë e zhvillimit të vendit); programet studimore specifike dhe parësore. Në lidhje me ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve universitare, qeveria mund të mbështesë me bursa e financime të plota apo të pjesshme një pjesë të programeve, kryesisht në ato drejtime që korrespondojnë me përparësitë, objektiva strategjikë dhe politikat themelore të zhvillimit të vendit. Skema e financimit duhet të parashikojë përfshirjen e kredisë studentore si mundësi për mbështetjen e studimeve. Kredia studentore duhet të jetë e hapur për të gjithë ata, të cilët janë regjistruar në të gjitha ciklet e studimit. Sugjerohet që të gjithë studentëve të regjistruar në sistemin Bachelor, pavarësisht në cilin IAL, duhet t’u jepet e drejta për të aplikuar për kredi studentore. Për të zbatuar parimet e “mundësive të barabarta për të gjithë” dhe të “meritokracisë”, vëmendje e veçantë u duhet kushtuar studentëve që vijnë nga situata të vështira ekonomike, në mënyrë që t’u jepet mundësia për të vazhduar arsimin e lartë.

Financimi i universiteteve

 Reforma nga njëra anë rrit tarifat e studentëve të cilët studiojnë në universitete publike dhe nga ana tjetër kërkon të financojë si universitetet publike, ashtu dhe ato private, të cilat janë biznese private me qëllim fitimin dhe përfitimet e tyre i vjelin nga tarifat e larta të studentëve. Për vërejtjen se pse duhet t`u krijohet mundësia IAL-ve

jopublike për fonde publike për kërkimin shkencor komisioni arsyeton se: “Dy janë arsyet që komisioni mendon se për punën kërkimore shkencore (jo anën logjistike të kërkimit shkencor, por projektet e kërkimit shkencor), fondet publike duhet të jenë të hapura për të gjithë akademikët pavarësisht se ku punojnë. E para, nga puna kërkimore

shkencore e këtyre akademikëve përfiton i gjithë vendi dhe jo një pjesë. E dyta, fondet për kërkim shkencor jepen për ekselencë në projekte dhe jo se “të takojnë” me ligj. Kjo

ekselencë mund të jetë në çdo IAL në vend”.

Llojet e financimit

Parimet mbi të cilat duhet të mbështetet financimi i arsimit të lartë nga buxheti i shtetit, janë: i. Konkurrenca e lirë; ii. Mundësitë e barabarta; iii. Mbështetja e interesave prioritare strategjike të vendit; iv. Shpërndarja e fondeve mbi standardet e cilësisë për:

• mësimdhënien • kërkimin-shkencor • inovacionin/zhvillimin.

Granti i Politikave të Zhvillimit të Arsimit të Lartë

Ky grant është shumë i rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë të vendit dhe jepet vetëm për IAL-të publike. Ky grant mbështetet mbi performancën akademike të IAL-ve, e cila merr parasysh cilësinë e mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore. Ajo varet nga madhësia e universiteteve dhe u jepet vetëm institucioneve publike të arsimit të lartë. Në

këtë vlerësim është shumë e rëndësishme renditja e IAL-ve, e cila, midis të tjerave, mbështetet në faktorin e impaktit të botimeve, në citimet e bëra për çdo botim, në konferencat ndërkombëtare, si dhe në impaktin e punës shkencore të çdo departamenti në: a) Shkencë dhe b) Shoqëri (politikëbërje).

Granti i Mësimdhënies

Ky grant përbën pjesën kryesore të mbështetjes nga shteti për arsimin e lartë dhe mbulon të paktën 60% të financimit shtetëror në arsimin e lartë. Ky grant përbëhet nga: Fondi institucional; Fondi i mbështetjes studentore.

Fondi institucional. Fondi institucional u jepet IAL-ve publike, i përllogaritur në bazë të numrit të studentëve që ndjekin ciklin e parë të studimeve, drejtimin e programeve studimore, si edhe numrit të personelit akademik. Ky fond garanton funksionim

bazë të IAL-ve publike. Formula që përdoret, merr parasysh numrin e plotë

të studentëve të ciklit të parë të pranuar në vitin paraardhës; treguesit e rëndësishëm të raportit student/pedagog; cilësinë e diplomave të lëshuara; logjistikën e vlerësuar të mësimdhënies.

Fondi i mbështetjes studentore. Ky fond është i përbërë nga tre zëra financimi: bursat

e studimit për studentët e shkëlqyer, bursat për studentët më të mirë në programet parësore të studimit, si edhe bursat sociale.

Granti i Punës Kërkimore-Shkencore

Ky grant është shumë i rëndësishëm për të nxitur punën kërkimore-shkencore dhe ka munguar deri diku në sistemin e arsimit të lartë në vend. Ky grant është i hapur për të gjithë IAL-të në vend. Jepet për punën shkencore (përfshi doktoratat), ku përfitojnë si IAL-të publike edhe ato jopublike. Shpërndarja e fondeve bëhet nga AKKSH-ja

mbi bazë meritë/aplikimi dhe renditjes (“rankim”-i) që u bëhet IAL-ve publike dhe jopublike nga AKKSH-ja. Renditja duhet të bëhet një herë në katër vjet. Vlerësimi dhe shpërndarja e fondit bëhet vetëm për institucionet e akredituara.

Universitetet e së ardhmes, zhduket kufiri midis arsimit të lartë publik dhe atij privat

 Në këtë fazë (plane afatgjatë), fondet për mësimdhënie nga buxheti i shtetit jepen vetëm për IAL-të me status të njëjtë. Këtu i referohemi gjykimit që, në këtë fazë, është parë e arsyeshme krijimi i një modeli të ri: IAL PUBLIK I SË ARDHMES, ku mund të futen IAL-të publike, por lihet e hapur rruga që dhe IAL-të jopublike t’i bashkëngjiten këtij grupimi. Që IAL-të të mund t’i bashkëngjiten këtij grupimi duhet të zbatojnë të njëjtat rregulla në funksionimin dhe organizimin e brendshëm të tyre dhe për menaxhimin si ente publike. Në rastet kur një IAL jopublike kërkon të marrë statusin e ri, pronar-i/-ët heqin dorë nga pronësia dhe fitimi, por ruajnë statusin e themeluesit, sikurse ndodh me shtetin, në rastin e shndërrimit të IAL-ve publike nga statusi i sotëm në atë të ri. Gjithashtu, rregullat që zbatohen nga IAL-të me statusin e ri, janë të njëjta, pavarësisht nëse themeluesi i tyre ka qenë shtetëror ose privat. IAL-të jopublike që dëshërojnë të mbeten si të tilla, mund ta ruajnë këtë status edhe në të ardhmen. Në këtë fazë, koncepti bazë apo platforma kryesore për reformën synohet të jetë kalimi në një sistem të arsimit të lartë, i cili sot është i ndarë në dy pjesë: a) sistem shtetëror i financuar pothuajse

krejtësisht nga shteti dhe b) sistem privat i financuar 100% nga pagesat e studentëve, drejt një sistemi të ri, ku arsimi i lartë konsiderohet si “sektor dhe shërbim publik” dhe financohet në mënyrë të përbashkët nga shteti/buxheti, studentët, pushteti lokal, biznesi, donacione të ndryshme, të ardhura të tjera nga shërbimet e universiteteve, projekte

kombëtare e ndërkombëtare, etj..

 

 Ndryshimet e propozuara në organizimin dhe Funksionimin e IAL

 Reformohet sistemi i zgjedhjeve në IAL. Parimi kryesor i zgjedhjeve është që drejtuesit të zgjidhen nga grupe që kanë njohuri të drejtpërdrejta mbi kompetencat dhe rolin e tyre. Në rastin e senatit, rektorit, dekanit apo shefit të departamentit, në zgjedhje duhet të marrë pjesë vetëm personeli akademik me kohë të plotë i IAL-së.

 Departamenti kthehet në njësinë bazë të vendimmarrjes. Departamenti merr më shumë kompetenca që lidhen me procesin e pranimit të studentëve, të mësimdhënies, të kërkimit shkencor, përgatitjen e strategjisë së zhvillimit të IAL-së, karrierën shkencore për fitimin e gradës “Doktor i shkencave”, propozon numrin e programeve dhe numrin e studentëve për çdo program, e të tjera.

 Përfaqësimi i studentëve në mbarëvajtjen e IAL-ve. IAL-ja është përgjegjës për krijimin e kushteve logjistike dhe financiare për organizmin e studentëve. Studentët përfaqësohen në një numër Komisionesh të Përhershme brenda IAL-së që merren me çështjet e tyre të drejtpërdrejta. Sugjerohet futja e mbledhjes së përbashkët të personelit akademik dhe të studentëve në nivel departamenti. Në këto mbledhje trajtohen çështjet e studentëve për çdo program. Rekomandohet që çdo program studimi të zhvillojë pyetësorin studentor për cilësinë e mësimdhënies. Ky pyetësor është një tregues i rëndësishëm i cilësisë së mësimdhënies. Sugjerohet që ASCAL-i të organizojë çdo tre vjet vrojtimin studentor për çdo IAL/Departament, i cili bëhet publik dhe merret parasysh në vlerësimin e cilësisë së mësimdhënies së çdo IAL-je.

 Kompetencat e Senatit dhe Bordit Administrativ: Anëtarët e Bordit propozohen nga IAL-të, MAS dhe Autoriteti lokal dhe zgjidhen nga Senati; Individët që propozohen për anëtarë të Bordit përzgjidhen për kontributin e tyre të shquar në shoqëri; Bordi është organ mbikqyrës, por jo drejtues. Mbikëqyr dhe miraton strategjinë e zhvillimit dhe anën financiare të IAL-së; Bordi është përgjegjës për garantimin e politikave të stabilitetit/rritjes institucionale; Bordi mban përgjegjësi ligjore për dështimin financiar dhe mospërmbushjen e misionit të IAL-së. Organi akademik vendimmarrës më i lartë është Senati. Senati mbulon dhe miraton të gjitha çështjet akademike të IAL-së. Krijohet një ndarje e qartë e roleve dhe detyrave brënda strukturave të IAL-së për të rritur përgjegjshmërinë dhe efikasitetin.

 Titujt dhe promovimi akademik. Vlerësimi dhe promovimi i personelit akademik duhet të kalojë në kompetencë të plotë të vetë IAL-ve. Për këtë është e domosdoshme të përcaktohen drejt kriteret kombëtare të promovimit të personelit akademik dhe Këshilli i Minsitrave ka për detyrë të hartojë dhe MAS-i të mbikëqyrë zbatimin e këtyre kritereve. Kriteret që duhet të përmbushë një IAL për të pasur të drejtën e dhënies së titujve janë: a) të ketë ushtruar veprimtarinë e tij akademike pa ndërprerje, për jo më pak se 10 vjet nga krijimi; b) të jetë domosdoshmërisht i akredituar nga ASCAL-i; c)   të ketë jo më pak se 18 profesorë të punësuar me kohë të plotë; d) të ofrojë programe studimi të doktoratës në fushat e studimit ku mund të japë tituj akademikë. Komisioni sugjeron që sistemi të thjeshtëzohet në tre tituj, Lektor, Profesor i Asociuar dhe Profesor. Çdo pedagog mund të punësohet me kontratë të përhershme vetëm si lektor dhe ky duhet të ketë fituar gradën “Doktor i Shkencave” përpara punësimit. Duhet të hiqet titulli “Docent” për prurjet e reja. Promovimi nga “Lektor” në “Profesor i Asociuar” duhet të bëhet pas një periudhe jo më pak se 5-vjeçare dhe sipas rregullave të brendshme të çdo IAL-je. Periudha është e njëjtë edhe për promovimin nga titulli “Profesor i Asociuar” në titullin “Profesor”.