Shtohen kuotat e pranimit në universitete për ciklin e Doktoraturës për vitin akademik 2012-2013

515
Sigal

Këshilli i Ministrave miraton listën e plotë me kuotat e pranimit për çdo degë në institucionet Publike të Arsimit të Lartë

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është shtuar numri i kuotave të pranimit për ciklin e tretë të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë. Lidhur me këtë fakt, ditën e djeshme Këshilli i Ministrave miratoi vendimin në mbështetje të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Për të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik, kuotat e pranimit janë përcaktuar, ndërkohë kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nga persona të interesuar.

Vendimi:

Në vendim përcaktohen të bëhen disa ndryshime, si më poshtë vijon:

a) Pika 1. ndryshohet si më poshtë: “Miratimin e kuotave të pranimit në programet e studimeve të ciklit të tretë, doktoratë, në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2012 – 2013, është gjithsej, 1320, të ndara si më poshtë vijon:

a. për kandidatët brenda territorit të vendit 1155

b. për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit 155

c. për shtetasit e huaj 10

b) Emërtimi i programit të studimit të ciklit të tretë të doktoratës “Metodat sasiore dhe të informacionit”, me numër rendor 33, në tabelën nr.1, bashkëlidhur vendimit, ndryshohet dhe bëhet “Sistemet e informacionit në ekonomi”. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti i Tiranës, për zbatimin e këtij vendimi.

Tarifa e shkollimit

Tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë, të Doktoratës, është 216 320 (dyqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet) lekë. Tarifa e shkollimit paguhet në këste, të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i secilit institucion publik të arsimit të lartë, pa efekte buxhetore shtesë.

Kuotat e pranimit

Kotat e pranimit janë 1320 të ndara si më poshtë vijon:

a. për kandidatët brenda territorit të vendit 1155

b. për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit 155

c. për shtetasit e huaj 10