Shpëtoni Fakultetin e Mjeksisë

581
Sigal

Intelektualët/Qeveria t’ia rikthejë Fakultetin e Mjekësisë, Universitetit të Tiranës

Rikthehen në vëmendjen e opinionit publik debatet për ekzistencën e Universitetit të Mjekësisë. Kështu nëpërmjet një letre të hapur dhjetëra mjekë të rinj shqiptarë që punojnë e studiojnë jashtë vendit kërkojnë nga strukturat Qeveritare që të marrin vendimin për mbylljen e këtij universiteti, hapja në mënyrë abuzive e të cilit vetëm sapo e dëmton procesin e zhvillimit të profesionistëve të rinj, që do jenë mjekët e së nesërmes. Profesionistët e rinj në këtë letër argumentojnë se hapja e këtij universiteti “fantazmë”, po shfaq probleme të shumta në formimin e mjekëve të rinj dhe u bëjnë thirrje për zhbërjen e Universitetit të Mjekësisë, dhe riintegrimin e Fakultetit të Mjekësisë nën siglën e Universitetit të Tiranës. Rreth një muaj më parë, probleme dhe polemika të shumta u ngritën mbi hapjen abuzive të këtij universiteti, i cili sipas dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa solli vetëm zhdukjen e fondeve të mbledhura nga të ardhurat dytësore. Zhdukja e të cilave u argumentua si një ngërç i madh që po çon drejt falimentimit fakultetin, pasi në mungesë të fondeve jo vetëm nuk mund të bëhen investime në zhvillim të cilësisë apo bazës didaktike, teksa vonesa janë shfaqur edhe në shlyerjen e pagave të personelit akademik që punon pranë këtij fakulteti. Vendimi për krijimin e Universitetit të Mjekësisë u mor në Këshillin e Ministrave datë 23.1.2013, pikërisht Vendimi Nr. 48, “Për krijimin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (UMT)”. Shkëputja e Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Infermierisë nga struktura e Universitetit të Tiranës është bërë pa miratimin paraprak të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës. Për më tepër, nuk ekziston asnjë vlerësim nga Këshilli i Akreditimit të Arsimit të Lartë mbi fizibilitetin e këtij projekti madhor dhe verifikimin e faktit thelbësor nëse këto njësi kryesore bazë mund të strukturoheshin pa cenuar standardet akademike në formën e universitetit të ri. Grupi i punës i ngritur në atë kohë nga Universiteti i Tiranës, pas një studimi të hollësishëm u shpreh në mënyrë të qartë dhe hapur kundër kësaj ndarje aspak të bazuar në parimet akademike, autonomine universitare, modelet europiane, Kartës së Bolonjës, reformatimin e kurrikulave, marrevëshjes së Sorbones etj. Pavarësisht këtij raporti, vendimi për “krijimin e këtij institucioni” rishtazi, rezultoi i pakthyeshëm dhe pasojat aspak të menduara në kohë.  Fatkeqësisht, të gjitha zhvillimet e mëpasshme të rrugëtimit të Universitetit të Mjekësisë vërtetuan faktin e njohur se fillimet antiligjore dhe të pastudiuara mirë nuk mund të prodhojnë liri akademike dhe zhvillim institucional të qëndrueshëm. Universiteti i ri u shndërrua në një strehë militantësh, një administratë politike thuajse me tiparet e një partie politike, ku dominon administrimi vertikal dhe takimet “kokë më kokë” me titullarin si metoda pune. Universiteti i Mjekësisë është pjella elektorale, kur për vota mund të bësh gjithçka. Si rrjedhojë e kësaj politike të mbrapshtë, sot Universiteti i mjekësisë është në krizë, kërkon financime të tjera si dhe krijimin e departamenteve të reja të shkencave të natyrës (të cilat mbulohen nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës) sikurse Kimia Inorganike, Kimia Organike, Fizika, Biofizika dhe Biologjia, me pedagoge të tjerë të cilët duhet të punësohen, ashtu sikurse edhe laboratorë të rinj, dhe investime të reja. Duke u bazuar edhe në eksperiencën europiane dhe amerikane, cilësinë e dobët të universiteteve mjekësore, si dhe arsyetimin llogjik të ecurisë së një universiteti të tillë në kushtet shqiptare, duhet që iniciativa e krijimit dhe formatimit të universitetit mjekësor të ndërpritet, në të mirë të vendit, traditës dhe edukimit të ardhshëm mjekësor në vend.

Studentët

Në debatin nëse duhet të kemi Universitet Mjekësie apo vetëm fakultet Mjekësie janë përfshirë edhe studentët. Ata shprehen se statusi aktual i Universitetit të Mjekësisë po i penalizon, pasi diploma që ata marrin nuk njihet nga askush. Ata kërkojnë debat mes profesorëve në mënyrë që të marrë fund ky ngërç i krijuar. Studentët e vitit të gjashtë për mjekësi të përgjithshme, shprehen se e kanë nisur fakultetin nën siglën e Universitetit të Tiranës, por tashmë që janë në prag të diplomimit, ata shprehen skeptik, për diplomën që do të marrin, sepse Universiteti Mjekësor nuk njihet nga asnjë institucion.

Rama: Të ndërhyhet në Universitetit të Mjekësisë. Krijimi i tij, qëllim elektoral

Problematika e ngritur për shkak të krijimit jo të ligjshëm të Universitetit të Mjekësisë, si dhe e vendimeve arbitrare të marra nga Rektorati i këtij universiteti nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga Kryeministri Edi Rama. Kështu, gjatë fjalës së tij në një takim me mjekë dhe infermierë të QSUT-së, Kryeministri Rama foli rreth strukturës së universitetit të mjekësisë. Ai premtoi ndërhyrje në strukturën e tij pasi sipas tij ky universitet u krijua për qëllime elektorale.

Prof.Dr. Dhori Kule

Rektor i Universitetit të Tiranës

Fakulteti i Mjekësisë duhet të rikthehet në vendin e vet, në Universitetin e Tiranës

Në momentin që erdhi një kërkesë për të bërë ndarjen, unë me përgjegjësinë që më takon si Rektor i Universitetit të Tiranës, ngrita një grup pune specialistësh nga fusha e mjekësisë, të cilët përgatitën edhe një material. Tashmë është bërë dhe publik dhe aty nuk ka asnjë rresht, ku të gjesh një justifikim për ndarjen e Fakultetit të Mjekësisë në universitet  më vete. Praktikat që ekzistojnë janë joefektive, e vetmja praktikë perëndimore që vlerësohej në atë periudhë si efektive ishte praktika austriake, por që edhe ajo konsiderohet si e dështuar dhe në fakt, ishte një cenim i integritetit të Universitetit të Tiranës. Ajo që vërehet sot në arsimin e lartë si prirje është dukuria e bashkimit të universiteteve, jo e ndarjes. Verifikohet, që jo për efekt të cilësisë së drejtuesve, vetë sistemi nuk funksionon. Aty dhe po të dërgosh një drejtues të Harvardit përsëri, për sa kohë është verifikuar në Austri, ku nuk ka probleme të cilësisë së drejtuesve dhe kanë rënë në rankim që kur u krijuan më vete, tregoi që nuk është faj drejtimi dhe drejtuesish, është problem sistemi dhe ky sistem duhet korrigjuar. Për mua, sugjerimi im në funksion të së mirës të përgatitjes së mjekëve, sepse atje shkojnë maturantët më të mirë të Shqipërisë, është që të rikthehet në vendin që i takon, të bëhet pjesë integrale e universitetit me të cilin ka historinë, ka thelbin, i ka të gjitha lidhjet e veta dhe patjetër ky ka qenë gjatë gjithë kohës dhe opinioni i Senatit të Universitetit të Tiranës. E ndjej që po ky qëndrim është, asnjëherë nuk kam gjetur dot arsyetim për ndarje, pavarësisht momentit, lobingjeve, të cilat u konfirmuan, e drejta ishte me argumentin që ka bërë vetë profesorati i Fakultetit të Mjekësisë dhe vetë situata e funksionimit të fakulteteve të mjekësisë kudo në botën e zhvilluar.

Prof. Asoc. Edvin PRIFTI

Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, QSUT

Universiteti Mjekësor “bunkerizon” edukimin e çdo mjeku

Pikërisht mënyra e organizimit të një universiteti mjekësor, çon drejt idesë së shkollave tekniko-profesionale, shumë larg konceptit europian të një universiteti, duke personifikuar modele tepër anakronike tashmë. Në historinë e tij, Fakulteti i Mjekësisë (Tiranë), ka qenë institut, shkollë tekniko-profesionale, e krijuar sipas modelit sovjetik të asaj kohe, i cili më vonë u inkorporua në Universitetin e Tiranës. Kjo shizmë e modeluar në janar 2013 si një universitet mjekësor, e ka çuar Fakultetin e Mjekësisë, në pikënisjen e tij të një shkolle profesionale dhe asgjë më shumë. Një universitet mjekësor, do të bunkerizonte edukimin dhe karrierën profesionale të çdo mjeku si pjesë përbërëse e tij. Kjo për arsyen e thjeshtë, pasi si Fakulteti i Mjekësisë, këshilli i profesorëve, senati dhe rektorati do të përbëhej nga po të njëjtët individë. Do të humbiste neutraliteti i senatit të universitetit në vlerësimin e karrierave dhe ecurisë shkencore, dhe për rrjedhojë edukimi mjekësor në vend do të bënte hapa prapa. Kjo strukturë nuk do të kishte barazpeshën e kontrollit dhe neutralitetit të gjykimit, gjë e cila do të prodhonte një servilizëm të hapur dhe mungesë profesionalizmi, fenomene të dukshme tashmë. Do të mungonte neutraliteti i senatit të një universiteti gjithëpërfshirës disiplinash. Sistemi mjekësor akademik ka nevojë për një transformim radikal ku në thelbin e vet duhet të ketë edukimin mjekësor, karrierën profesionale, profesionin dhe akademizmin e vërtetë, inputin shkencor dhe tejçimin e dijeve tek të rinjtë, për pasojë çdo lloj reforme në këtë institucion të vyer që vendi ynë disponon dhe që përmbledh edukimin mjekësor të brezave të rinj të mjekeve shqiptarë duhet të jetë shumë i motivuar, serioz, i mirë menduar dhe sipas modeleve europiane, përndryshe pasojat do të jenë të rënda për të ardhmen.

Prof. Dr. Bajram Hysa

Dekan i Fakultetit të Mjekësisë

Militantët dhe mbrojtësit e katastrofës së Mjekësisë

Ne kemi kohë që kundërshtojmë, që nga muaji qershor, madje që më përpara kur flitej për ndryshimin e strukturës të Fakultetit të Mjekësisë dhe një Këshill Administrimi me strukturë politike, fantazëm mund të them, sepse nuk ka një strukturë të tillë në universitetet e tjera. Kjo është një strukturë e emëruar, sepse sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, Këshilli i Administrimit përbëhet nga gjithë profesorati me tituj; doktorë shkencash, profesorë të asociuar, profesorë, deri sa të bëhen zgjedhjet. Kurse ata kanë emëruar një strukturë politike, këshilltarin e Kryeministrit, zv/ministrin e Financave, persona që u komanduan nga ish/ministri i Arsimit dhe që nga momenti që ata morën një vendim për prishjen e strukturës dhe ndryshimin e buxhetit, ne kemi reaguar. Unë jam ballafaquar me Këshillin e Administrimit dhe hapat e mia nuk kanë qenë kur unë bëra deklaratën për shtyp, kemi disa seanca gjyqësore që luftojmë njëra pas tjetrës për të fituar gjyqin mbi një padrejtësi që i është bërë Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike që quhet ndryshe fakulteti i Infermierisë. Por më e keqja është se, drejtësia është bërë me të keqen jo me këtë proces dhe madje aty ka të dhëna që interesimi nga pala tjetër ka qenë i tillë për ta mbyllur fare këtë çështje dhe për ta pezulluar. Kështu që, në këto kushte kur edhe Drejtësia ende nuk ka dhënë një verdikt pozitiv, unë u detyrova që të bëja një sensibilizim mediatik. Nga ana tjetër, i kemi shkruar edhe qeverisë së parë edhe ministrit të Arsimit dhe ministrit aktual të Financave për këtë gjendje katastrofike financiare dhe për veprimet antiligjore të ndërmarra nga Universiteti Mjekësor i Tiranës, veprime që mund të konsiderohen si shpërdorim i mirëfilltë detyre dhe që mund të përbëjnë objekt për t’u investiguar nga organet e drejtësisë.

Mjekët jashtë Shqipërisë

Pse Universiteti i Mjekësisë duhet të ketë statusin e fakultetit  

Të ndash Fakultetin e Mjekësisë nga një prej institucioneve më të mira akademike që ka sot Shqipëria,Universiteti i Tiranës, ka në potencialin e saj pasoja të rënda të dëmtimit të reputacionit të edukimit mjekësor në Shqipëri. Historia dhe përvoja akademike përbëjnë vlerë të shtuar në identitetin e çdo institucioni akademik. Në disa prej eksperiencave tona gjatë aplikimeve për studime të ciklit të tretë (doktoraturës), universitet evropiane kanë refuzuar njohjen e diplomave si rrjedhojë e ambiguitetit në universitetin që e ka lëshuar. Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë të drejtën të dinë që diploma dhe titulli qe ata marrin në përfundim të studimeve respektohet dhe pranohet nga çdo institucion akademik në botë. Gjithashtu mund të konkludojnë që mirëfunksionimi i një institucioni të tillë akademik si Universiteti Mjekësor, i përbërë tashmë nga pesë fakultete, ka kosto disa herë më të lartë se Fakulteti i Mjekësisë. Nga ana tjetër, shumë degë të quajtura fakultete në Universitetin Mjekësor, nuk arrijnë të plotësojnë kriteret për një status të tillë. Pra, jo vetëm nuk është kosto-‐efektiv, por ka mangësira në përmbushjen e standardeve akademike. Shumë prej nesh, si ish-studentë të tij, dekurajojmë fortësisht, që një institucion akademik i një rëndësie të madhe sociale dhe me prurjen e studentëve më të mirë në të gjithë Shqipërinë, të bjerë pre e axhendave politike jo vetëm në gjenezën e një Universiteti fantazmë, por edhe në konfliktet mediatike të kohëve të fundit në Këshillin e Profesorëve. Shqetësimi ynë rri vazhdimisht konstant në reformën e edukimit mjekësor, si hallka kryesore e suksesit së reformës në shëndetësi.