Shkollat e qytetit të Durrësit, arena të krimit. DAR bën sehir

482
Sigal

Thika dhe pistoleta në xhepat dhe çantat e nxënësve. Alarmohen prindërit, policia inekzistente

Plagosja e rëndë e një nxënësi në shkollën e mesme “Naim Frashëri” në qytetin e Durrësit, ka vënë në alarm Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Drejtorinë e Policisë Qarkut dhe institucionet vendore. Ngjarja e ndodhur 2 ditë më parë, në një nga gjimnazet që mbahet si më cilësori në shkallë Qarku, ka vulosur përfundimisht mendimin dhe konkluzionin se, shkollat e Durrësit janë kthyer në godina jo shkollore, por arena ku ndeshen me thika dhe armë kushdo që ka një debat, sherr dhe problem sado të vogël. Madje ngjarja e ndodhur ditët e fundit, ka vënë në siklet dhe alarm edhe stafin e mësuesve të cilët shprehen se “edhe ne shpesh ndjehemi të pasigurt pasi kemi presione dhe kërcënime nga nxënës të veçantë”. Mungesa e kontrollit dhe emërimet skandaloze të cilat kanë ndodhur dhe janë thelluar muajt e fundit në porthuajse të gjitha shkollat e Qarkut, ka sjellë rritjen e pasigurisë në shkolla. Rastet e krimeve janë 5 fishuar, aq sa edhe prindërit e nxënësve në shkollat 9 vjeçare dhe së fundi edhe në ato të mesme, po shpeshtojnë prezencën e tyre në orarin e pushimit dhe përfundimin e orarit të mësimit. Kjo pasi kanë nisur të tremben dhe të mbajnë merakun për fëmijët e tyre. Një prej prindërve i quajtur Izet M. prind i një nxënësi tek shkolla e mesme “Naim Frashëri” u shpreh për “Telegraf” se “situate mbetet skandaloze, në klasa nuk ka respekt dhe as kulturë për njëri-tjetrin nga nxënësit, flasin me fjalorin më banal mes tyre dhe në praninë e mësuesve, mungon kontrolli, rregulli dhe disiplina, dhe kemi këto ngjarje për të cilat bëhemi pishman që kemi sjellë fëmijët në shkolla”. Në 2 vitet e fundit në shkollat e Durrësit kanë ndodhur mbi 20 raste të krimeve të ndryshme, nga zënkat deri tek vrasjet dhe plagosjet ku 3 prej tyre kanë sjellë pasoja fatale për jetën e gjimnazistëve, duke mos përmendur rastet e urgjencave nga përdoruesit e drogave. Pothuajse në të gjitha shkollat e Qarkut, kryesisht ato të mesme, mungon kontrolli nga stafi dhe drejtuesit , të cilët mjaftohen me raportet mujore që dorëzohen tek DAR. Por ndërkohë edhe kjo e fundit, ka mbetur indiferente dhe e pafuqishme për të obliguar dhe shkundur nga përgjumja drejtuesit e shkollave. Kjo situatë ka ardhur nga emërimet klienteliste dhe politike që vulosura muajt e fundit, duke mos zbatuar kriteret profesionale, konkurset dhe udhëzimet e MAS. Krimi në shkollat e Durrësit ka qenë dhe mbetet problemi më shqetësues edhe për policinë e Qarkut. Drejtoria e Policisë ka tentuar dhe zhvilluar shpesh takime me drejtuesit e DAR dhe shkollave, me nxënësit dhe prindërit e tyre, por duket se për zbutjen e fenomenit negativ, nuk mjafton vetëm teoria por duhet edhe veprimtaria në terren. Mjaft mësues gjimnazesh shprehen se “ shpesh zbulojmë se kemi në klasa nxënës agresivë, me tendenca drejt krimit, të llastuar dhe droguar, raportojmë në drejtorinë e shkollës, dhe përgjigja është, mbyllni gojën se ikni nga puna”. Mësuesit e gjimnazeve kërkojnë nga DAR dhe Drejtoria e Policisë Qarkut, “masa radikale, kontrolle dhe ndëshkime për çdo nxënës që kapet me armë të ftohta dhe të nxehta, me droga dhe sjellje rrugaçeske, dhe të përjashtohen përgjithmonë nga shkolla, pasi po sjellin pasoja traumatike tek shumica e nxënësve dhe stafit të mësimdhënies, ndryshe situata do të dalë jashtë kontrollit”.

ARTUR AJAZI