‘Shkollat dixhitale’, nga shtatori 60 gjimnaze mësim me tableta

708
TIRANE – Gjashtëdhjetë gjimnaze në të gjithë vendin do të jenë të parët që në këtë vit të ri shkollor 2015-2015 do të zhvillojnë mësimin përmes tabletave, ndërsa brenda tre viteve projekti i dixhitalizimit do të jetë shtrirë në të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar.
Projekti u prezantua këtë të martë nga ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, e cila tha se nga shtator mbi 46 mijë nxënës dhe rreth 2 mijë mësues do të ndërveprojnë në 5 kurrikula lëndë dixhitale. “Mësuesi mbetet aktori kryesor, teknologjia nuk dot ë zëvendësojë mësuesin 100 %”, tha ministrja.
60 shkollat e mesme që do të praktikojnë mësimin dixhital, janë të shtrira në të gjithë vendin, dhe janë përzgjedhur mbi bazën e kritereve, numrit të nxënësve, infrastrukturës dhe mësuesve dhe njohurive të tyre përballë teknologjisë. “Duam të masim impaktin në cilësinë e formimit”, tha Nikolla.
Rama: Transformim historik, nxënësit barazi përballë dijes
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në prezantimin e këtij projekti, tha se ky është transformim historik për sistemin e arsimit në vendin tonë. Megjithatë, sfida më e madhe sipas kreut të qeverisë, mbetet përshtatja e mësuesve me teknologjinë moderne. Ndryshe nga sa ka ndodhur në qeverisjen e mëparshme, tha Rama, investimet në teknologji nuk do të shkojnë dëm, pasi mësuesit do të trajnohen për përdorimin e kësaj teknologjie.
“Puna ka filluar konkretisht, 60 shkolla do të përfshihen në këtë program, që afro 47 mijë nxënës. Në 3 vjet të gjitha gjimnazet do të kalojnë nga faza ku gjenden sot në këtë fazë të re ku sot u prezantuam me të gjitha risitë dhe sfidat. Sigurisht që nuk është e lehtë dhe këtu ka një problema kryesor që për herë të parë nuk janë nxënësit halli por janë mësuesit, se ata e kanë më të lehtë ta thithin botën e teknologjisë së re dhe trajnimi i tyre në këtë proces është një sfidë e madhe. Është për të ardhur keq që investime në teknologji janë bërë por kanë rezultuar me impakt negativ për shkak se nuk janë shoqëruar me trajnime dhe aftësimin e atyre që do t’i përdorin këto mjete në funksion të dijes. Ky është një transformim radikal që do të sjellë shumë të mira, do të krijojë një lidhje të re dhe shumë transparente mes asaj që ndodh në marrëdhëniet mes një nxënësi dhe mësuesi, një shkolle dhe shkollave të tjera. Projekt teknologjik por që do të ketë impakt të madh në lidhjet njerëzore mes të gjithë atyre që e bëjnë të jetojë sistemin e arsimit, dhe përmes tyre në përcjelljen në kohë reale të një informacioni voluminoz që përndryshe do të duhej shumë kohë për ta përpunuar. Ky projekt do të bëjë të mundur që nxënësit e gjimnazeve të mos kenë kufi ndarës mes zonash më të mirëqena dhe më të varfra, qendrës e periferisë, se të gjithë do të jenë të barabartë para mundësive për dije. Sot kemi nisur me këtë fazë të re historike të transformimit të arsimit në Shqipëri dhe me përfundimin e këtij projekti do të kemi mundësinë të themi se jemi në kushtet e një transformimi të pandodhur më parë”, tha Rama.
Por çfarë parashikon projekti i dixhitalizimit të shkollave?
Specialistja në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit Ornela Koleka tha se në 60 shkolla do të ketë laborator dixhital, ku nxënësit do të kenë tablet dhe mësuesit lap topin e tyre.
“Nxënësit do të kenë të instaluar sistemin e përbashkët mësimor që synon që mësuesi të jetë interaktiv dhe njëherësh të monitorojë. Mësuesi është në gjendje që në çdo moment të bllokojë tabletat, ato kanë sistem të gjurmimit për të menaxhuar aksesin e mundshëm që mësuesit kanë”, tha Koleka.
Po ashtu, projekti parashikon që në çdo klasë të ketë wriless për të pasur ndërveprim ndërmjet klasave por edhe shkollave të ndryshme.
Çdo klasë do të ketë projektor, tha Koleka, ku mësuesit do të transmetojnë tek nxënësit efekte vizuale. 
Sistemi i regjistrit elektronik
Prindërit do të shohin performancën e fëmijëve të tyre përmes “i regjistër”. Po ashtu mësuesit të do të ndjekin online në vijimësi ecurinë e nxënësve të tyre, mungesat e të gjenerojnë statistikat nga ky sistem.
Klasat virtuale
Po ashtu, do të mundësohet që tabletat të jenë edhe në përdorimin individual të nxënësve, në mënyrë që mësuesit të krijojnë klasa virtuale që ndërveprimi të vazhdojë edhe jashtë shkollës.
Sigal