“Shkolla politike e Drejtorëve”, një kurs trajnimi dhe zhvlerësimi i formimit universitar

962
Sigal

Dr. Mirela Karabina

Këto ditë, përmes medias, Ministria e Arsimit dhe Qeveria deklaruan hapjen e “Shkollës së Drejtorëve” për institucionet e arsimit parauniversitar, një kurs  me afat të shkurtër kohor që duhet të ndjekin drejtuesit aktualë të shkollave dhe kandidatët për drejtues. Tashmë, e drejta për të  qenë drejtues mund të realizohet, vetëm nëse pajisesh me certifikatë trajnimi të kësaj shkolle. Marrëveshja midis Ministrisë së Arsimit dhe një fondacioni për të trajnuar dhe certifikuar drejtuesit arsimorë të sistemit parauniversitar,  duke shpërfillur aktorët e fushës, universitetin, e bën këtë proces të njëanshëm, arbitrar, politik dhe pragmatist. Pra, diplomën universitare në fushën e drejtimit dhe administrimit në arsim, ministria e zëvendësoi me certifikatën e “Shkollës së Drejtorëve”.

Po, çfarë është Shkolla e Drejtorëve?

A po përdoret politikisht?

E paraqitur nga Ministria përgjegjëse për Arsimin dy vite më parë, Shtator 2016, si pjesë e reformës dhe “ind lidhëz”, Instituti i Lidershipit Arsimor (i pagëzuar me këtë emër) do të trajnonte 200 drejtues aktualë, si një projekt pilot financuar nga UNICEF me qëllimin “formimin e drejtuesve të shkollave si profesionistë dhe sigurimin përmes certifikatës, cilësinë e këtij formimi”. Edhe pse pa bazë ligjore dhe në shkelje të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe me kundërshtitë e institucioneve përkatëse, ky projekt pilot u realizua duke sjellë çoroditje në sistem në lidhje me programet ekzistuese universitare të formimit të drejtuesve. Po, pse ministria nxitonte të krijonte një institucion të tillë, edhe pse në kundërshtim me ligjin? Sepse donte të certifikonte drejtuesit e shkollave të emëruar nga ajo vetë.

Sepse  financimi  jo i vogël i UNICEF-it për projektin pilot paraqiste interes “të madh” për Ministrinë përgjegjëse të Arsimit, “mbrojtësit fanatikë” të së cilës nuk i ndali as shkelja e ligjit për të realizuar projektin gjashtë mujor, financiarisht “të majmë”. Tashmë, Ministria sanksionoi me ligj “Shkollën e Drejtorëve”  me qëllim trajnimin e drejtuesve aktualë dhe sigurimin e certifikatës, por duke e dëmtuar këtë proces: sepse ministria i mohoi të drejtën ligjore Institucioneve të Arsimit të Lartë,  të cilat kanë misionin e formimit fillestar të drejtuesve të shkollave dhe, njëkohësisht, duke legjitimuar politikën penguese të saj për lirinë akademike dhe zhvillimin e universiteteve. Por, formimi dhe kualifikimi i drejtuesve të shkollave nuk ka qenë i munguar përgjatë këtyre viteve. Në fillim të viteve 2000, Instituti i Studimeve Pedagogjike (më vonë IZHA) në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës  kualifikonte drejtuesit e institucioneve arsimore dhe kandidatët për drejtues me kurse një-mujore, “Për problemet e drejtimit dhe administrimit të shkollës”. Nga viti 2008 dhe në vazhdim, Institucione të Arsimit të Lartë (IAL) ofrojnë programe të ciklit të dytë në fushën e drejtimit dhe administrimit të arsimit. Këto institucione kanë kontribuar në formimin e drejtuesve të shkollave dhe në zhvillimin e fushës së drejtimit dhe administrimit të arsimit. Kështu që, Ministrisë nuk i ka interesuar formimi dhe kualifikimit i drejtuesve, por ndërtimi i një strukture të centralizuar të sajën, një “shkollë” për drejtuesit  “e saj”.   Dhe, këtë e realizoi me mbivendosje institucionesh, të cilat kanë synim dhe objektiva të ndryshme: universiteti bën formimin fillestar të drejtuesve me lektorë të njohur dhe përvojë të gjatë në fushën e drejtimit dhe menaxhimit të arsimit, ndërsa shkolla e drejtorëve bën trajnimin dhe certifikimin e tyre.  Fakt është se interesin ndaj drejtuesve të shkollave, kjo ministri e ka treguar  sapo erdhi në pushtet, më 2013-n. Këshilltarët arrogantë të saj shpërfillën, denigruan, dhunuan psikologjikisht drejtuesi e shkollave duke i detyruar të jepnin dorëheqje . Kjo është pasqyruar dhe në raporte të ndryshme si “Shqipëria shkarkoi ilegalisht drejtuesit e shkollave” raport vlerësimi i siguruar nga BIRN, ku 60% e ish-drejtuesve , në Tiranë, deklaruan se ishin detyruar të jepnin dorëheqje dhe 40% deklaruan se ishin shkarkuar pa bazë ligjore.  Dukshëm, politika ka bërë ndarjen e drejtorëve të shkollave në “tanët” dhe “tyret” , duke vendosur ‘traun” ndarës mes kolegësh në të njëjtën shkollë dhe shkollave të ndryshme. Ndërrimi i pushtetit është kushti themelor i ekzistencës së tyre si drejtues. Dhe tani, ky pushtet po i certifikon si të tillë. Po, për çfarë vallë i duhen ministrisë dhe qeverisë drejtuesit e shkollave? Jo për vlefshmërinë e tyre në cilësinë e drejtimit dhe administrimit të shkollës,  por për përdorimin politik te tyre si komisarë të politikave qeverisëse: Ky realitet i trishtë, ky përdorim politik i këtij procesi, por mjaft i dëmshëm për shkollën dhe shoqërinë kërkon një ndryshim të kësaj qasjeje. Pa dyshim, shkolla dhe shoqëria kërkon drejtues të kualifikuar, të cilët duhet të marrin një formim universitar cilësor dhe profesional.  Por, kjo do të bëhet me një proces transparent me aktorë të fushës dhe grupet e interesit, në mënyrë që të përcaktohet modeli më i përshtatshëm i formimit dhe zhvillimit profesional të drejtuesve të shkollave me kapacitetet aktuale dhe jo duke i përjashtuar. Përcaktimi i qartë i vlefshmërisë së programeve universitare do të sillte vazhdimësinë dhe zhvillimin e tyre, duke ruajtur cilësinë e formimit të drejtuesve me formim universitar.  Gjithashtu, bazuar në përvojat më të mira botërore, por duke ndërtuar modelin tonë do të mundësohej përcaktimi i qartë i standardeve të drejtuesve me një proces transparent dhe cilësor. Kështu që, “Shkolla e Drejtorëve” e ndërtuar me udhëzim nga lart dhe qasja e ministrisë dhe politikave të saj ndarëse të drejtuesve në “tanët” dhe”tyret” nuk mund të jetë një” ind lidhëz”, por, në fakt, është një mutacion indi, i cili “bren” sistemin duke shpërfillur vlerat, duke zhvlerësuar institucionet  dhe duke deformuar modelin. Dhe, shoqëria ka nevojë për një proces cilësor që t’i shërbejë të gjithëve.