Shkolla e mesme në lagjen “Mark Lulaj”, ‘mollë sherri’ mes Bashkisë së Shkodrës dhe MAS!

908
Shkolla e re e mesme në lagjen “Mark Lulaj” në Shkodër është kthyer në një mollë sherri mes Ministrinë së Arsimit e Sportit (MAS) dhe Bashkisë së Shkodrës. Prej më shumë se një muaji, Bashkia Shkodër i ka dërguar një kërkesë MAS për hapjen e shkollës së re për nxënësit të cilët detyrohen të ecin me kilometra për të ndjekur mësimet, por ende pa asnjë një përgjigje. Në kërkesën drejtuar Ministrisë së Arsimit, kërkohet hapja e dyerve të kësaj shkolle si dhe shpjegohet domosdoshmëria e çeljes së saj. Kjo shkollë është inauguruar në vitin 2013, gjatë fushatës elektorale nga ish -kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, por fatkeqësisht edhe pse i plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e orëve të mësimit, Ministria e Arsimit nuk e miraton hapjen e saj. Përveç se ministria nuk e njeh si institucion, gjithashtu nuk cakton mësues për të zhvilluar mësim në këtë shkollë. Ndërkohë më herët, qytetarët kanë zhvilluar edhe një protestë, ku kërkonin që shkolla e re të hapet dhe nxënësit të kenë mundësinë që të arsimohen në kushtet e duhura. Ndërsa sa i përket godinës së vjetër, ku ndiqnin studimet nxënësit e shkollës së mesme veterinere, nuk ka asnjë informacion se çfarë do të bëhet me të, pasi me një vendim të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR) u bë zhvendosja e saj në shkollën “Ndre Mjeda” në Bushat, pa dijeni të Bashkisë së qytetit Shkodër. Ndërkohë sipas burimeve për gazetën “Telegraf”, dy godinat si ajo e vjetra e cila ka kaluar në varësi të MMSR dhe ajo e reja, të dyja janë jashtë funksionit, njëra për mungesë kushtesh dhe tjetra sepse MAS nuk jep miratimin për hapjen e saj. Për të dyja godinat momentalisht Bashkia e Shkodrës ka marrë masat për ruajtjen e tyre, pasi nuk dihet ende fati i tyre dhe çfarë vendimesh do të merren lidhur me to.
Sigal