Shkolla buzë liqenit “Matosh Uka” Fierzë

1399
Sigal

Riza Çela

Në afërsi të hidrocentralit të Fierzës ndodhet një ndërtesë trekatëshe. Në të hyjnë e dalin nxënës të moshave të ndryshme. Janë nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Matosh Uka” Fierzë. Historia e kësaj shkolle lidhet ngushtë me ndërtimin e hidrocentralit. Në qoftë se fillimi i punës për ndërtimin e tij nisi, më 24 nëntor 1971. Ndërtimi i godinës që është sot ndodhi në vitin shkollor 1972-1973. Arsyeja ishte e qartë, në Fierzë po vinin me dhjetëra e qindra e, më vonë, me mijëra punëtorë nga rrethe e krahina të ndryshme. Mjafton të përmendim faktin që për 10 vite pune në vepër punuan afro 40 mijë punonjës të moshave e profesioneve te ndryshme. Shumica ishin familjarë. Kjo gjë e bëri të domosdoshëm edhe ndërtimin e një shkolle të re. Në këtë shkollë përveç 657 nxënësve të shkollës 8-vjeçare me 32 nxënës, filloi shkollën e mesme profesionale me dhe pa shkëputje nga puna me 300 nxënës të ndarë në degët: mekanike, elektrike, ndërtim. Aty jepnin mësim 24 mësues të specializuar e që ishin inxhinierë të fushave përkatëse. Nga një vend ku për të kaluar Drinin nga Tropoja në fshatrat e Pukës përdorej një si varkë që vendasit e quanin trap nisi të ndërtohej një vepër madhështore siç ishte Hidrocentrali i Fierzës.

Nxënësit e sotëm nuk habiten kur kalojnë çdo ditë pranë këtij hidrocentrali e mësojnë nga mësuesit e tyre se lartësia e digës është 169 m dhe kuota e Fierzës është 312 m mbi nivelin e detit. Sot në këtë shkollë mësojnë 200 nxënës e japin mësime 22 mësues. Të gjithë pothuajse janë me arsim përkatës. Pjesa më e madhe kanë vite si mësues dhe kanë fituar përvojë në dhënien e mësimit. Nxënësit e kësaj shkolle vijnë nga fshatrat e Pukës si rreth kufitar; si nga Poravi, Fierza, Bugjoni, Gropa, ndërsa nga Tropoja: Raja, Geghyseni, Dushajt e Epër, Arveja, Tplani, Zona B, Dushajt, Fierza. Hyjmë në shkollë dhe takojmë mësues dhe nxënës, gjithçka me rregull e në vendin e duhur. Klasa te mirëmbajtura e ambiente të pastra. Për Nafie Gjonin, mësuesen e letërsisë në shkollën e mesme, ke se çfarë flet, e saktë në çdo veprim në punën e saj, për arritjet në mësime, për bibliotekën me një sasi te konsiderueshme librash, por mjaft funksionale. Nxënësit lexojnë. Dëshirën për të lexuar ua nxit edhe mësuese Nafija. Disa nga nxënësit shkruajnë. Krijimet i diskutojnë në rrethin letrar. E mësuesja gëzon bashkë me krijuesit e ri që premtojnë shumë. Në këtë shkollë ka vite të tëra që jep mësim Xhane Ramaj, ish-nxënëse e kësaj shkolle, sot një mësuese bio-kimie e përkushtuar për punë. Krahas punës së mirë qe bën me nxënësit një vëmendje ia ka kushtuar përgatitjes së historikut te shkollës. Në historikun e saj lexojmë: “Përpjekjet e para për hapjen e shkollës nisin në vitin 1918 nga famulltari Atë Pjetër Gjoni, i cili një dhomë të kishës e la për shkollë” Historiku vazhdon me ish-nxënësit e kësaj shkolle që u bënë mjekë të zotë si Ndoke Kukaj, Gjelosh Kola, Gjelosh Kasaj, Shkëlqim Buçpapaj, Feride Dushaj, Afrim Dushaj. Po kështu ish-nxënës të kësaj shkolle janë 17 nxënës, mes tyre përmendim Zenun Dushaj, Xhane Ramaj, Eglantina Mulgeci. Liridona Dushaj ish-nxënësja e kësaj shkolle, sot mësuesja e histori-gjeografisë ka 2 vite që jep mësim në këtë shkollë. Organizimi i mirë i orëve të mësimit e bën lëndën më tërheqëse e mjaft interesante. E tillë është Liridona Dushaj. Fillimet i ka të mbara dhe mjaft premtuese për të bërë një mësuese e zonja. Gjuha angleze pëlqehet nga nxënësit, por një rol vendimtar për këtë luan mësuesi. Kështu ka ndodhur me mësuesen e anglishtes Adelina Kodheli, vajzën nga Miloti sot mësuese në Fierze. Pak kohë ka në Tropojë por me punën e saj ka fituar zemrat e nxënësve e respektin e komunitetit. Ajo ka marrë tiparet më të mira të malësorëve tropojanë. Një jetë është i lidhur me muzikën Nuredin Gjoni. Ai është një instrumentist i përsosur, i bie klarinetës, fyellit, çiftelisë, lahutës. Këto vegla i ka vetë mësuesi e me to demonstron në orët e muzikës. Nuredini për shumë vite ka qenë punonjës i pallatit kulturës në Bajram Curri sot mësues në Fierzë tash 21 vite. Që kur ka ardhur shkolla ka ndjerë rolin e punën e tij. Festivalet e përvitshme ne Fushë-Arrës që janë zhvilluar kanë pasur protagonistë edhe nxënës të kësaj shkolle, të cilët kanë përfaqësuar rrethin. Kënga me lahutë e dy nxënësve të kësaj shkolle’ Klevis Delia e Erisa Necaj është vlerësuar me “Mirënjohje” nga Juria. Ata janë në klasën e tetë dhe premtojnë shumë. Përveç kësaj Nuredini ka ngritur grupin artistik të shkollës. Puna e tij vazhdon çdo ditë me nxënësit, ndaj e duan e respektojnë. Një rast i veçantë është mësuesja e re e plot vullnet për punën Bedrie Doçi, ajo ka dy vjet që jep lëndën e gjuhës në shkollën 9-vjeçare në Fierzë. Me punën e përpjekjet e vazhdueshme ka fituar respektin e nxënësve, pse jo edhe të banorëve të kësaj ane. Bedria është mësuese dhe krijuese. Me shaka thotë: Unë shkruaj, por nuk kam botuar. Ka shume krijime, por ne po përmendim disa si: “Adoleshentja”, “Pa titull”, “Kush jam unë” etj. Shembullin e mësueses e ndjekin nxënësit. Të tillë janë Liridona Gjonaj klasa VII, Erald Ponari e Erisa Necaj klasa VIII. Në esetë e tyre që shkruajnë zë vend Fierza, liqeni, mali, lumi, trageti e çdo gjë tjetër e bukur. Puna e kësaj mësueseje e aftësia krijuese ka bërë që në veprimtaritë që organizon shkolla të jetë edhe talenti i saj. Edukimi fizik i nxënësve ka rolin e tij. Po kur punohet me pasion nga mësuesit për ketë lëndë rezultatet nuk mungojnë. Kështu ka ndodhur me mësuesit e edukimit fizik Fran Delia e Rukë Ponari. Baza e hollësishme materiale, terreni i bukur sportiv, palestra po edhe puna e këtyre mësuesve ka bërë që orët të jenë të dashura për nxënësit e ekipet e nxënësve te ngritura si ne volejboll, futboll, danci sportiv etj. Puna vazhdon, rezultatet gjithashtu.

Takon mësuesit e Ciklit të ulët: Rexhina Gjoka, Roza Rama, Eglantina Mulgeci, Drita Delia, Gjin Sokoli dhe i shikon se si punojnë me nxënësit në orët e mësimit për të krijuar nivelin e dijeve ndjen kënaqësi. Eglantina Mulgeci ose Egla siç e thërrasin kolegët jep mësim në klasën e tretë. Ajo është nga Geghyseni, vajza e ish-oficerit (pension) Ali Mulgeci. Një mësuese e përkushtuar, punon çdo ditë për të konkretizuar orët e mësimit. Me punën e zellin që e karakterizon ka bërë emër të mirë në shkollë. Të gjithë punojnë e punojnë mirë: Albina Berbati ka vite si mësuese në Fierzë, jep lëndën e histori-gjeografisë dhe këtë e bën mirë. Po kështu Gëzim Maltrashi jep mësim lëndën e matematikës në gjimnaz. Me punën e seriozitetin që e karakterizon ka bërë të vlerësohet nga të gjithë. Mësuesi i fizikës vjen nga Lushnja, ka 5-6 vite që jep lëndën e fizikës në shkollën e Fiezës. Nxënësit e duan e respektojnë, por edhe e mësojnë këtë lëndë. Arsyeja kryesore është baza materiale. Me punën e tij ka ngritur një mini-laborator fizike me mjete rrethanore që lënda të behet sa më e kuptueshme e sa më konkrete. I tillë është mësuesi Dritan Balla. Mësuesi Hajridin Islamukaj është në prag të pensionit, këtu jep lëndën e matematikës në 9-vjeçare. Puna e përkushtimi është në nivelin e duhur. Çdo ditë punon me të njëjtin ritëm si dikur. Edhe punonjësja sociale Roza Pepkolaj njeh dhe evidenton problemet me nxënësit e shkollës. Të gjithë janë në ballë të punëve secili në klasën e lëndën e tij për të bërë më të mirën për këta nxënës, edukimin dhe arsimimin e tyre. Largohemi nga kjo shkollë duke marrë imazhin e një pune të mirë, pse jo edhe të një drejtimi të mirë nga drejtoresha fjalëpakë e punëshumë Liza Necaj që prin me shembullin personal e ka bërë bashkë me nxënësit shkolla e mesme e bashkuar”Matosh Uka” të radhitet ndër shkollat më të mira në rreth. Puna vazhdon çdo ditë edhe rezultatet rriten në çdo kohë.