Shkëlqim Imera: Po “pastrojmë” falsitetin mësimdhënës, mësuesit “dru me pre” dhe shkollat gërmadha

717
Sigal

Flet për “Telegraf” Shkëlqim Imera, kreu i arsimit Tepelenë

Prej 26 vjetësh mësimdhënës pasionant e i suksesshëm në arsimin e mesëm e atë 9-vjeçar në rrethin e Tepelenës, qysh prej 1 viti drejtues i Zyrës Arsimore Tepelenë i përzgjedhur me konkurrim të hapur përballë bashkëkolegësh, mësuesi hormovit Shkëlqim Imera, duket se po “instalon” një model të ri arsimor në shkollat e këtij rrethi, duke praktikuar kërkesa profesionale e organizative të punës për mësuesit si individ dhe për grupin mësimor si trup mësimdhënës, kërkesa të cilat kanë munguar, duke i tjetërsuar shkollat në falsitet mësimdhënës, në objekte gërmadha e në vende pune rehatie. Lidhur me ndërhyrjet ndryshuese që po bëhen në sektorin e arsimit në këtë rreth, biseduam me Drejtorin e Zyrës Arsimore Tepelenë, zotin Shkëlqim Imera.

 – Cila ka qenë gjendja e arsimit në Tepelenë?

 Ka patur shumë probleme të çdo natyre, të krijuara prej neglizhencës dhe paaftësisë drejtuese. Po merremi intensivisht për zgjidhjen e tyre. Ka ende probleme që na konsumojnë kohë edhe energji, që mund të përdoreshin jo në “riparim praktikash rutinë”, por në konsolidim punësh. Po veçoj si më tipik, një problem që e kishte kthyer procesin mësimdhënës në falsitet të plotë, në shumë nga shkollat e Tepelenës, madje edhe në grup prej mësuesve. Pozicioni i mësuesit, trajtohej nga vetë mësuesit dhe drejtuesit e shkollave të zyrës arsimore si pagë e sigurt, si vend pune rehatie e jo si detyrim mësimdhënieje. Që në kontrollet e para, konstatova se kishte mësues që jo vetëm nuk bënin mësim, por as, minimalisht, nuk merrnin mungesat dhe kapardiseshin gjatë orëve të mësimit me regjistra nën sqetull e celularë ne vesh. Kjo praktikë ka marrë fund tashmë. Dhënia fund e kësaj mendësie është pritur si “habi” për trupën pedagogjike, por ka nisur të mirëpritet e mbështetet nga komuniteti, si një shans e start për ndryshimin e profilit të arsimit në qytet dhe sidomos në zona, që shkollat të mos jenë më as vende pune formale për mësuesit, as magazinë tavolinash, karrigesh e regjistrash, as sfilata mode e qendra stilimi mësuesesh, as qendra grumbullim-pushimi disa orësh për nxënësit, as ndërtesa gërmadhë tip stallash me 1-2-3 kate, por të jenë realisht ashtu siç duhet: qendra për mësimdhënie eficente, me drejtues e mësues profesionistë e jo me borderoxhinj.

 – Cilët janë disa nga projektet dhe zgjidhjet me të cilat ka nisur ky vit mësimor?

 Ky vit mësimor, ka nisur me modelin reformues që ka paraqitur Ministria e Arsimit dhe me disa prognoza që kemi projektuar ne si ekip drejtues, në bashkëveprim me trupat pedagogjike të shkollave, me ish-mësuesit në pension, me nxënësit dhe komunitetin. Konkretisht, kemi bllokuar praktikën e emërimeve politike e klienteliste, duke i hapur rrugë profesionalizmit. Modeli unë është ky: Mësuesit që do të japin mësim, do të jenë vetëm ata që janë të aftë e jo ata që kërkojnë të jenë mësues për rrogë”! Lidhur me këtë, kemi hedhur në veprim “certifikatën e aftësisë profesionale”, me të cilën kemi pajisur çdo mësues, ku vet mësuesi plotëson të dhënat dhe në mënyrë sistematike, pasqyron në formular “provat” që është i aftë dhe produktin që ka dhënë gjatë mësimit. Kjo metodë është një element i ri, i aplikuar vetëm në rrethin tonë! Kemi angazhuar pushtetin lokal, mësues, nxënës, komunitet, biznese për të ringritur ato laboratorë që ishin kthyer në grumbuj mbeturinash, ose që ishin zhdukur fare e prej vitesh nuk fliste askush për to, duke iu referuar modelit të laboratorit të shkencave të natyrës në shkollën e Tepelenës, mbajtur në aktivitet me “sakrifica” individuale prej mësuesit në prag-pension Et’hem Çela. Kemi futur në veprim, modelin e “raportit javor” për çdo mësues kujdestar për klasën, nëpërmjet raportit prej mësuesve të lëndës e drejt nesh prej drejtorive të shkollave. Kemi fuqizuar realisht rolin e “qeverive” të nxënësve dhe kemi zgjeruar kompetencat e tyre në kontrollin e zbatimit të detyrimeve nga mësuesit. Kemi evidentuar “profilin” profesional e mësimdhënës në praktikë të çdo mësuesi dhe mbi këtë bazë, kemi bërë ristrukturimin e trupave pedagogjike. Kemi ndërhyrë energjikisht, me të gjithë hapësirat e mundshme, që disa shkolla në gjendje stallash e rrënojash të kthehen në institucione mësimore e qendra edukimi me mjedise normale. Po formatojmë një model të ri pune në QKF (Qendrat Kulturore të Fëmijëve) të cilat ishin kthyer në “azile pleqsh” për militantë, miq, shokë e familjarë të “agallarëve” politikë e qeverisës të rrethit dhe zonës, ku nuk kishte asnjë veprimtari, por vetëm nga një palë çelësa drejtorësh indiferentë që kapardiseshin kafeneve e partive politike dhe një bordero me “ushtri” të punësuarish, madje deri edhe këpucarë, baxhoxhinj, kasapë, marangozë e shitës domatesh me diploma false.

 – A tërhiqet nga ju, përvoja e mësuesve “ustallarë”?

 Me këta mësues e ish-mësues “ustallarë” e kam nisur punën drejtuese dhe vazhdojë të mbajë kontakte të shpeshta me ta, duke u respektuar “thinjat” e mendjes, pra, përvojën. Tepelena ka patur një arsim model, të kompletuar, me potenciale mësuesish e drejtuesish, të cilat ose janë në pension, ose politika dhe batakaçinjtë e saj cinikë e interesaxhinj i kanë shpërfillur e madje i kanë nxjerr fare nga arsimi, apo i kanë detyruar të qëndrojnë “urtë” nëpër skuta zonash të largëta. Unë kam vendosur kontakte me ta edhe si “interes” për mbarëvajtjen e punës time drejtuese, por edhe sipas një porosie të dhënë prej ministres Nikolla, që përvoja të jetë pikë referimi dhe orientim për modelin e ri arsimor, në përshtatje me kushtet konkrete të çdo shkolle e zone. Bashkëpunimi me ta, ka krijuar terren e mendësi praktike, për të rikthyer arsimin e Tepelenës në parametrat dhe etikën që kërkon ky sektor.

Me stafin, sjellje si drejtues, kolegë dhe shokë

 Për kohën që u ndodhëm në Zyrën Arsimore të Tepelenës, natyrshëm si në një ditë pune, hynin lirshëm drejtues shkollash, punonjës të administratës e qytetarë. Na bëri përshtypje komunikimi i “shefit” me ta: qetësi, qartësi, durim, mirëkuptim e shpjegime për punët. Ishte një praktikë që me thënë të drejtën (pa përmendur emra), nuk ndeshet në të gjithë drejtorët e këtij niveli në arsim. Siç na tha drejtori Shkëlqim Imera, në qëndrimin e tij si drejtues, në raport me stafin që ka brenda zyrave të drejtorisë, ai ka ndërtuar modelin e tij të sjelljes në tre plane:

– Si drejtues, duke qenë përgjegjës për gjithçka që lëviz brenda ndërtesës së drejtorisë, ai lë detyra, kontrollon dhe në asnjë mënyrë, për asnjë motiv e në asnjë rrethanë, nuk toleron shkeljet, apo neglizhencat në punën e askujt.

– Si mësues “terreni” prej 26 vitesh, ai konsideron veten kolegë, plotësisht të barabartë me të gjithë dhe komunikon me ta si i tillë, larg prepotencës së postit.

– Sjellje si shok, duke mos krijuar asnjë raport cinik, apo të diferencuar e klientelist me vartësit, gjë kjo që në praktikat e paraardhësve, ishte metodë pune sunduese.

Hapësira “vetëqeverisëse” për shkollat

 Pa asnjë kompleks, ekipeve drejtuese në shkolla, u janë lënë hapësira të plota “vetë-qeverisëse” në mbarëvajtjen e punëve, jo vetëm për kontrollin e realizimit të programeve, por edhe në aspekte të tjera. Drejtuesi i ri Imera, e ka “rrëzuar” centralizmin e punëve. Jo për çdo gjë duhet trokitur në zyrën arsimore, por duhet vetëvepruar dhe kjo ka nisur nga zbatimi dhe po shenjat e një eficence punësh drejtuese në shkolla, sidomos në fshat, ku ka ngarkesa problemesh që lindin brenda ditës e duhen zgjidhur po brenda ditës. Liria e veprimit, lejuar pa asnjë pengesë (natyrisht me kontroll ligjor e moral), krijon mundësinë që disa probleme e nevoja të shkollës, të plotësohen edhe nga ekipi drejtues, kolektivi pedagogjik, apo komuniteti duke bërë të mundur, që drejtoria arsimore e rrethit të lehtësohet nga disa halle, si psh, donacionet për xhamat, pagesat e rojeve, mirëmbajtje mjedisesh etj, sepse ka ndodhur që drejtori shkollës shkonte në zyrën arsimore dhe ankohej sa u prish brava e derës së shkollës dhe priste vendim prej saj për ta riparuar!!!

Sindikatë-Drejtori, partneritet korrekt

 Një tjetër partneritet punësh, që duket se ka futur në eficencë mbarëvajtjen e zgjidhjeve në sektorin e arsimit në Tepelenë është edhe bashkëpunimi dypalësh Sindikatë Arsimi-Drejtori Arsimore. Sipas kryesindikalistit të arsimit të rrethit zotit Enver Hora, palët sindikatë-drejtori kanë krijuar një bashkëpunim partnerial sipas detyrimeve ligjore të palëve, parashikuar në kontratat e punës të çdo niveli në planin vertikal e horizontal, të zbatueshme si të drejta e detyrime nga drejtuesi dhe mësuesi e çdo punonjës i arsimit. Sindikata ka qenë kërkuese ligjore në zbatimin e detyrimeve sociale, ndërsa drejtoria ka manifestuar korrektesë në qëndrimin e saj.

Përparim HALILI