Rritja e tarifave të studimit shton me 5,1 miliardë lekë/vit buxhetin e universiteteve shtetërore

514
Sigal

Këtë vit akademik në të gjitha programet e studimit ka patur një rritje tarife, që në një analizë për masat në arsimin e lartë, ekspertët e arsimit e kanë vlerësuar me një rritje prej 500 lekësh në muaj, ose 6,285 lekë në vit për student. Gjithashtu kostoja është rritur në 705 L në muaj, ose 8,460 lekë në vit për Master Shkencor dhe 840 lekë në muaj, ose 10,080 lekë në Master Profesional. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla nuk harroi të shtonte gjatë prezantimit të kësaj analize se rritja e tarifës është e bazuar në kërkesën e IAL-ve dhe se Ministria e Arsimit s’ka bërë gjë tjetër përveçse ka respektuar autonominë e tyre. Ndërsa protestave e peticioneve të studentëve që kanë kundërshtuar rritjen e tarifave të studimit, Ministria e Arsimit nuk ka munduar t’u përgjigjet. Por, sa fitojnë universitetet shtetërore nga kjo rritje e tarifës së studimit për një vit akademik?

–          Vetëm këtë vit akademik janë miratuar 19.196 kuota në Bachelor dhe nëse bëjmë një përllogaritje me përafërsi, (duke qenë se MAS, nuk ka statistika të numrit të studentëve në universitetet shtetërore), vetëm në Bachelor duhet të vijojnë studimet rreth 60 000 mijë studentë. Pra, 60 000 studentë X 6 000 lekë, rritja në vit = 360 milionë lekë të reja në vit (ose 3,6 miliardë lekë të vjetra) përfitojnë nga rritja e tarifave të studimit, universitetet shtetërore vetëm nga studentët e Bachelorit.

–          Këtë vit akademik janë miratuar 5.559 kuota në Master Profesional. Për lehtësi veprimi rrumbullakosim shifrat: 5 500 studentë X 10 000 lekë, rritja në vit = 55 milionë lekë të reja në vit (ose 550 milionë lekë të vjetra).

–          Në vitin akademik 2014-2015 janë miratuar 6 086 kuota në Master Shkencor, i cili zgjat 2 vjet, që do të thotë mund të jenë gati 12 000 studentë që kryejnë studimet Master Shkencor (viti i parë dhe i dytë). Gjithmonë, duke rrumbullakosur për lehtësi veprimi: 12 000 X 8 000 lekë, rritja në vit = 96 milionë lekë të reja në vit (ose 960 milionë lekë të vjetra).

–          Si përfundim, universitetet shtetërore përfitojnë nga rritja e tarifave të studimit vetëm për këtë vit akademik:

360 milionë + 55 milionë +96 milionë = 511 milionë lekë të reja (ose 5,1 miliardë lekë të vjetra).