Rreth 6000 kuota të lira, më shumë kuota në rrethe

526
Sigal


Formulari A3 del brenda tetorit. Ja kategoritë që do ta plotësojnë

Rreth 6000 studentë të rinj do të pranohen në 14 universitetet publike në vend. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka tashmë bilancin gati përfundimtar për kuotat e mbetura bosh, pas regjistrimit në fakultete. Fillimisht ishin rreth 3300 studentë, të cilët kishin preferuar të mos kryenin regjistrimin, ndonëse ishin shpallur fitues. Kësaj liste iu shtuan edhe po kaq kuota pas afatit që MAS la për t’u paraqitur personalisht në sekretari për të dorëzuar dosjen. Burime zyrtare pranë AKP-së pohojnë se pjesa më e madhe e kuotave të paplotësuara janë në universitetet e rretheve, por edhe në Tiranë ka të lira për një pjesë të mirë të degëve. “Në formularin A3 do të përfshihen vetëm ato programe studimi që kanë vende të mbetura bosh pas fazës së parë të pranimeve”, sqarojnë drejtuesit e AKP-së. Sipas tyre, plotësimi i formularit A3 do të jetë i njëjtë me formularin A2.

A3 online, njësoj si A2

“Do të bëhet online dhe kandidatët do të kenë tri ditë kohë për ta plotësuar. Mënyra është shumë e thjeshtë, njësoj si formulari A2. Ndryshojnë vetëm programet e studimit”, thonë drejtuesit e AKP-së. Ajo çka e dallon këtë fazë nga të tjerat, është se të rinjtë tashmë do të futen në sistem për të konkurruar me pikë vetëm për kuotat e shpallura bosh në degë që ndoshta ata nuk mund t’i kenë preferuar t’i ndjekin, por që janë të kushtëzuar t’i zgjedhin, pasi ky është i vetmi shans që ata të bëhen pjesë e studentëve të universiteteve publike në vend. A3-shi do të jetë faza e fundit e pranimeve në institucionet e arsimit të lartë.

Maturantët mbetës

Ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, këtë vit plotësimi i formularit A3 do të lejohet edhe për maturantët mbetës në një nga provimet e maturës, por me kushtin që këta maturantë në datat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit, për sezonin e vjeshtës të jenë vlerësuar me nota kaluese. Në raundin e dytë kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë maturantët që kanë konkurruar në raundin e parë me të njëjtën renditje preferencash të atij raundi.

Garojnë me A3 kandidatët që:

– Kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2

– Kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2013

– Kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore

– Kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje.