Rilindësit e arsimit, rrokadë me drejtorët e PD-së

49

Ministrja Lindita Nikolla paralajmëron ndryshime në stafet drejtuese të shkollave shqiptare

Duket se shumica e drejtorëve të shkollave, ose të paktën 90 për qind e tyre do të largohen nga drejtimi i shkollave, në të gjithë Shqipërinë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, përmes një deklarate për shtyp ka bërë të ditur nisjen e procedurës për konkurrimet e drejtuesve të shkollave. “Sot lajmërojmë fillimin e procedurave të konkurrimit, sipas dispozitave ligjore për pozicionin e Drejtor në Drejtoritë Arsimore Rajonale në të gjitha qarqet e vendit. Gjithashtu, nis sot fillimi i fundit të militantizmit dhe korruptimit të shkollës përmes emërimesh pa kriter gjatë gjithë këtyre viteve”. Nikolla sqaroi se, “lajmërimet për konkurrimet do të bëhen në shtyp dhe në faqen on-line të MAS. Seleksionimi do të bëhet duke u bazuar në kritere të qarta të shpallura publikisht dhe në transparencë publike të plotë. Do të ketë 13 finale publike mes 3 deri në 5 kandidatë, përballë një jurie prestigjioze të përbërë nga personalitete të arsimit”. Ministrja informoi se gjatë kësaj periudhe MAS ka inspektuar disa prej emërimeve politike në institucionet arsimore. “Në vetëm 26 shkolla të monitoruara konstatuam se 119 mësues ishin të emëruar mbi normën e përcaktuar. Gjenerata e re e shqiptarëve nuk meriton një sistem arsimor që menaxhohet nga drejtorë e specialistë që nuk kanë arsimin e duhur”, është shprehur Nikolla. Ajo informoi dhe për zgjidhjen 59 kontratave të punës. “Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më. Nisur nga rekomandimet e grupit të inspektimit të bazuara në gjetjet e këtij procesi, janë marrë masat disiplinore: “zgjidhje e menjëhershme e kontratës për 59 persona të implikuar në shkelje të hapur të ligjit”, përfshi 12 drejtues të DAR-ve, “vërejtje me paralajmërim” për 13 punonjës; “vërejte” për 5 punonjës”,- tha Nikolla. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla rikonfirmoi dhe njëherë vullnetin e Qeverisë dhe të Ministrisë, se dija dhe arsimimi i fëmijëve është një vlerë kombëtare që u mbivendoset interesave politike, si çelësi i suksesit për të ardhmen tonë europiane.