Rikthimi i sistemit komunist në arsim. S’ka më zgjedhje me votë, por emërim

473
Sigal

SKANDALI/ Ndryshohet Ligji për Arsimin e Lartë. Ja projektligji i plotë

Qeveria ka ndryshuar Ligjin “Për arsimin e lartë”, duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së drejtuesve të fakulteteve, si dhe të shefave të shërbimit në QSUT, të cilët tashmë emërohen, pra përzgjidhen pa konkurse. Bëhet fjalë për projektligjin e miratuar në Kuvend “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, ku parashikohen ndryshime që kanë të bëjnë me emërimet e strukturave drejtuese në pesë fakultetet e Universitetit të Mjekësisë, si rrjedhim edhe në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Sipas ndryshimeve të paraqitura në projektligj, rektori i emëruar nga Presidenti i Republikës ka të drejtë të përzgjedhë dekanët e fakulteteve, ndërsa këta të fundit shefat e departamenteve, që njëkohësisht janë edhe drejtuesit e shërbimeve në QSUT.

 Problematikat

1. Sipas Nenit 6 të këtij projektligji “Dekani/drejtori i emëruar përzgjedh përgjegjësin e departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit. Përgjegjësi i departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit përzgjedh përgjegjësin e njësisë mësimore-kërkimore/përgjegjësin e shërbimit”, marrin mandat 5-vjeçar persona të emëruar, ndërkohë që këtu kemi devijim nga Neni 21 “Zgjedhja e organeve drejtuese…” i Ligjit “Për arsimin e lartë” ku thuhet se “3. Autoritetet drejtuese në një institucion publik të arsimit të lartë zgjidhen sipas modaliteteve të mëposhtme: a) rektori i institucioneve publike të arsimit të lartë zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik, personeli joakademik dhe studentët e institucionit;b) dekani/drejtori zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik, joakademik dhe studentët e fakultetit;… 8. Presidenti i Republikës emëron rektorin e zgjedhur. Rektori emëron dekanin/drejtorin e zgjedhur”, sepse nuk thotë deri në zgjedhje. Shefi i departamentit dhe i shërbimit ka një mandat 4-5 vjeçar. Si do të veprohet me këta, kur të zhvillohen zgjedhjet?

2. Si do të veprohet me dekanët që janë të komanduar nga rektorja e mëparshme? Neni 23 në pikën 4 të Ligjit “Për arsimin e lartë” thuhet se “postet për autoritete drejtuese, kriteret që duhet të plotësojnë dhe procedurat për përzgjedhjen e tyre bëhen publike” ndërkohë që tre nga pesë dekanët e Universitetit të Mjekësisë janë të komanduar (2 janë të zgjedhur, nuk i nënshtrohen këtij procesi). Po rektori i ri do i publikojë kriteret, apo do të veprojë si rektorja e mëparshme, në thyerje të ligjit?

Drejtojnë fakultetin “profesorë” në pension

 Ndërsa shumë të diplomuar me tituj shkencorë enden rrugëve të papunë, ka “profesorë” të cilët, edhe pse kanë dalë në pension prej vitesh, mbajnë poste drejtuese për një arsye apo tjetër. Në bazë të ligjit një person me titullin “profesor” mund të kryejë detyrën deri në 68 vjeç, ndërkohë që, Dekani i Fakultetit të Farmacisë, prof. Besnik Jucja ka mbi një vit që e ka plotësuar moshën e pensionit dhe ende vazhdon të jetë në detyrë.

Baza ligjore

Në mbështetje të nenit 31, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar mosha e lindjes së të drejtës për të përfituar pension pleqërie për burrat, dhe në rastin konkret dhe për të gjithë personat që kanë marrë tituj, është 65 vjeç. Për personat që kanë marrë tituj, me dëshirën e vet mund të rrinë në detyrë deri në moshën 68 vjeç. Kjo është përcaktuar në Ligjin nr. 9206, datë 17.06.2004 Për një shtesë në Ligjin nr. 8461, datë 25.02.1999 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar me Ligjin nr. 9120, datë 28.07.2003, ku thuhet: “Personeli akademik i brendshëm me titullin “profesor” shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç, me përjashtim të rastit kur, me kërkesën e tij, lirohet nga detyra për arsye të plotësimit të moshës së pensionit, sipas neneve 31 dhe 92 të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.2003 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Kjo dispozitë ka efekt vetëm për subjektet e mësipërme, që kanë mbushur moshën e pensionit, por jo mbi 68 vjeç”.

Projektligji

Projektligj për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9741, dt. 21.05.2007, “Për arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi:

Në ligjin nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Kudo në ligj emërtimet “Ministria e Arsimit dhe Shkencës” dhe “Ministri i Arsimit dhe Shkencës” zëvendësohen përkatësisht me “Ministria e Arsimit dhe Sportit” dhe “Ministri i Arsimit dhe Sportit”.

Neni 2

Në nenin 12 bëhen këto ndryshime:

1. Pikat 5 dhe 6 ndryshohen, si më poshtë vijon:

5. Në institucionet e arsimit të lartë publik, që kanë qendra spitalore universitare, departamentet përbëhen nga shërbimet të cilat formohen në bazë të specialitetit. Shërbimi realizon funksione diagnostikuese e trajtuese themelore, në nivel të lartë shkencor, si pjesë e spitalit universitar, si dhe funksione mësimore e kërkimore, si pjesë e institucionit të arsimit të lartë. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të shërbimeve përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Shëndetësisë.

6. Në institucionet e arsimit të lartë, që kanë qendra spitalore universitare, përgjegjësi i shërbimit është titullari i shërbimit. Kriteret e përzgjedhjes së përgjegjësit të shërbimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me

propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Shëndetësisë.”.

2. Pikat 6.1, 6.2. dhe 6.3 shfuqizohen.

Neni 3

Në nenin 12/1 bëhen këto ndryshime:

1. Pikat 1, 2 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:

1. Qendrat spitalore universitare janë njësi të sistemit arsimor dhe të sistemit shëndetësor. Ato realizojnë funksione diagnostikuese e trajtuese themelore, në nivel të lartë shkencor, si pjesë e sistemit shëndetësor, dhe funksione mësimore e kërkimore, si pjesë e institucionit të arsimit të lartë.

2. Qendrat spitalore universitare miratohen si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Shëndetësisë.

4. Veprimtaria e qendrës spitalore universitare rregullohet me statutin e saj, i cili miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Shëndetësisë.”.

Neni 4

Në nenin 19/1 bëhen këto ndryshime: 1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

2. Bordi është organi më i lartë drejtues, që kryesohet nga ministri përgjegjës për fushën e shëndetësisë dhe ka në përbërjen e tij 6 (gjashtë) anëtarë:

a) Përfaqësuesin e ministrisë përgjegjëse për fushën e financave;

b) Përfaqësuesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit;

c) Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë të institucionit të arsimit të lartë që ka në përbërjen e tij Qendrën Spitalore Universitare;

ç) Përfaqësuesin e shoqatave të bashkive;

d) Përfaqësuesin e Kryqit të Kuq Shqiptar;

dh) Përfaqësuesin e shoqatave të pacientëve.

Mënyra e përfaqësimit sipas shkronjave “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 2, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Në pikën 4 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Shkronjat “b” dhe “c” shfuqizohen.

b) Shkronja “e” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“e) Harton projektstatutin e Qendrës Spitalore Universitare;”.

Neni 5

Në pikën 1, të nenit 20, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje: “ç) përgjegjësi i njësisë kërkimore – mësimore/përgjegjësi i shërbimit.”.

Neni 6

Pika 3, e nenit 23, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Rektori, i emëruar sipas pikës 2, të këtij neni, përzgjedh dekanin/drejtorin.

Dekani/drejtori i emëruar përzgjedh përgjegjësin e departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit. Përgjegjësi i departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit përzgjedh përgjegjësin e njësisë mësimore kërkimore/përgjegjësin e shërbimit.”.

Neni 7

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYETARI ILIR META