Rihapet sot portali i aplikimeve për formularin A1Z

766
Procesi i regjistrimeve në universitete ka arritur në fazën e tretë të raundit të parë, ku më pak se gjysma e studentëve janë regjistruar në fakultete, ndërkohë që të tjerë janë ende në pritje të degës së preferuar. Deri më datë 2 shtator 2017, në Universitetin e Tiranës janë regjistruar 2281 studentë ose 41% e tyre që do të pranohen në programet e studimit që ofron Universiteti i Tiranës. Prej ditës së sotme kandidatët të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2017, ku kanë shlyer detyrimet e maturës shtetërore, si dhe ata të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit (pasi të kenë njësuar diplomën), mund t’i bashkëngjiten garës për raundin e dytë. Sipas njoftimit të bërë nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, të gjithë të interesuarit që nuk aplikuan në sesionin e parë apo të dytë të maturës shtetërore 2017, mund të plotësojnë formularin A1Z prej ditës së sotme deri më 6 shtator 2017. Sistemi i Matura Online do të jetë i hapur nga ora 8.00-16.00, ku aplikimet do të bëhen në mjediset e shkollave ku kandidatët kanë përfunduar shkollën e mesme. Gara për në raundin e dytë nis më 15-22 shtator. Mbetësit e vjeshtës, bashkë me këto kategori, si dhe të pakënaqurit në raundin e parë, mund të plotësojnë formularin A2 me dhjetë preferenca në datat e caktuara sipas rretheve.
Sigal