Rëndësia e infrastrukturës në motivimin e nxënësve në mësimdhënie

1160
Sigal

Arleta Bedini

Qeveria shqiptare ka investuar shumë në krijimin e infrastrukturës  në shkolla. Këto investime kanë qenë në materiale dhe ndërtim kapacitetesh njerëzore. Qëllimi kryesor i përmirësimit të infrastrukturës në shkolla është shndërrimi i ambientit mësimor në një mjedis edukues të gjallë, i cili karakterizohet nga atmosfera e hapur, nga marrëdhëniet pozitive ndërmjet nxënësve, nga rritja në maksimum e potencialit të nxënësve, iniciativës, krijimtarisë së tyre. Mjediset mësimorë angazhojnë, ndërgjegjësojnë nxënësit në lidhje me të mësuarit e tyre. Mjedisi i jep formë mendjes dhe arsimimi është veprimtari njerëzore që ndikohet mjaft nga mjedisi. Arsimi postmodern ka diskutuar për lidhjen e përvojave mësimore me klasën ose mjedisin mësimor. Faktorët mjedisorë luajnë një rol të rëndësishëm në motivimin e nxënësve. Mjediset mësimore duhet t´u përgjigjen nevojave shoqërore,nevojave të sigurisë dhe nevojave të përkatësisë, të zhvillojnë ndërgjegjësimin e brendshëm, vlerësimin dhe bashkëndjesinë për të tjerët. Përfitimi nga këto investime është përdorimi i këtyre burimeve si mjete të rëndësishme në prodhimin e dijeve. Veprimtaritë për prodhimin e dijes dhe puna me dijen është e lidhur ngushtë me mënyrën se si mësuesit motivojnë nxënësit dhe faktorët që ndikojnë në rritjen e krijimtarisë së nxënësve. E rëndësishme është; përmirësimi i faktorëve fizikë, që veprojnë në botën e vërtetë të klasave e të shkollave,trajnimi i të gjithë mësuesve me strategjitë e motivimit.  Rritja e informacionit dhe e dijeve që do t u transmetohet nxënësve kërkojnë nga mësuesit një formim më të gjerë e më solid kulturor,shkencor e pedagogjik dhe pasurimin e pareshtur të tij,si dhe një shkallë të lartë komunikimi e motivimi. Shkalla e përgatitjes së gjithanshme shkencore e kulturore të mësuesit është padyshim një faktor themelor në motivimin e nxënësve për nxitjen e krijimtarisë dhe iniciativës së tyre. Shkalla e njohjes dhe depërtimit në botën e brendshme shpirtërore të nxënësve varet shumë nga niveli i zhvillimit të vëmendjes së mësuesit dhe i gjithë treguesve sasiorë e cilësorë. Vëzhgimet tregojnë se gatishmëria dhe mobilizimi i nxënësve në mësim,shkalla e të kuptuarit dhe e përvetësimit të materialit mësimor, kërkojnë nga mësuesit zotësi për të mbajtur në fushën e shikimit, vëzhgimit të gjithë nxënësit dhe çdo nxënës të veçantë për të tërhequr e mobilizuar vëmendjen e tyre nëpërmjet shprehjeve motivuese. Këto aftësi e ndihmojnë mësuesin të ndjekin qëndrimin e gjallë ose të ftohtë të nxënësve ndaj mësimit,të kapi shenjat e lodhjes, ose moskuptimit të materialit, të veprojë me kujdes ndaj tyre, të vërë re raste të prishjes së disiplinës e të zbulojë shkaqet e saj. Por në praktikën shkollore ndodh  shpesh që mësuesi përqendrohet më shumë në zbërthimin e materialit mësimor, shpjegimit dhe argumentimit të çështjeve themelore  duke mos ndjekur me vëmendje veprimet e nxënësve, reagimet e tyre, nuk kapin sa e si është përqendruar  vëmendja e tyre në mësim, pra e humbasin kontrollin e tyre në klasë pa folur më  për nxënës të veçantë. Ndjehet nevoja për  përgatitjen e mësuesve nëpërmjet trajnimeve në lidhje me rritjen e modeleve dhe strategjive të reja të motivimit, zotërimit të klasës dhe rritjes së nivelit të tyre profesional dhe shkencor.