Rektori, që merr 10 mijë euro për një vend pune si pedagog

559
Sigal

Skandali i rekrutimeve të stafit akademik në universitetet publike shqiptare

Kjo periudhë “pushimesh” ka shërbyer për rektorët e universiteteve  publike shqiptare për të bërë rekrutime të shumta në staf akademik, në kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Lartë Shqiptar. Ky fluks rekrutimesh bëhet për të përfituar sa më shumë, para hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Për arsimin e lartë”, sipas së cilët asnjë nga drejtuesit aktualë të universiteteve publike nuk do të jenë më në organet drejtuese të universitete. Në këto kushte, nuk u ngelet gjë tjetër, veçse të vjedhin paturpësisht dhe të abuzojnë deri në fund me detyrën. Skandali qëndron dhe në faktin se rekrutimi i stafit akademik, në këto kushte dhe për arsyet e sipërpërmendura  është krejtësisht jo profesional, duke u bërë mbi bazën e parave, nepotizmit si dhe emërimeve politike ose klanore. Kështu, burime të sigurta bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf” se rekrutime të paligjshme ka bërë rektori i një universiteti në një nga qytetet e jugut të Shqipërisë (i cili flitet se do të japë dorëheqjen), parregullsi për të cilat është vënë në dijeni dhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Mendohet se përpos emërimeve nepotike, janë bërë emërime dhe në favor të marrjes së një shume lekësh që varion nga 7 000-10 000 euro. Kaq është shuma që duhet të japësh për të marrë emërimin si pedagog në universitetet publike shqiptare. Mesa duket ky drejtues i një institucioni të arsimit të lartë publik, po e shfrytëzon në maksimum postin e tij për të ikur më i pasur nga kjo detyrë. Rekrutimi i tillë i stafit akademik, në mënyrë permanente, në arsimin e lartë shqiptar, ka degjeneruar edhe në produktin që marrim nga këto universitete: studentin e diplomuar, intelektualët e shtetit shqiptar. Ndërsa duhet theksuar se prodhimi akademik i profesorëve apo pedagogëve në detyrë (për më tepër i këtyre të sapoemëruar) është në limitet e zeros. Kemi plot njerëz që mbajnë mbi supe për vite me radhë tituj akademik dhe që nuk kanë shkruar asnjë libër, asnjë punim shkencor. Problem, tjetër i madh është fakti se shumë persona, të cilët punojnë në mësimdhënie në universitet private ose publike, jo vetëm nuk e meritojnë në bazë të kritereve akademike, por nuk kanë as respektin më të vogël për profesionin e shenjtë që bëjnë. Mungojnë në shumicën e leksioneve, nuk janë të disponueshëm për konsulenca me studentët. Ndërsa profesorët në Europë shquhen për horizonte të larta akademike, për thjeshtësinë njerëzore dhe për dashurinë e madhe që kanë për dijen. Po ndryshe ndodh me një pjesë pedagogësh në universitete tona, të cilët ngjajnë me rrugaçë të vërtetë, që nuk kanë as etikë e as pamje prej personi që përfaqëson dhe shpërndan dije. Një herë e një kohë (dhe duket shumë e largët dita) pedagogët në universitete rekrutoheshin në procedurë ligjore, të rregullt e të njohur dhe të afirmuar në universitetet prestigjioze gjithandej. Edhe përparimi në grada mësimore e shkencore aplikohej konform me kriteret dhe kërkesat universitare. Ndërkaq sot, në raste jo të rralla, procedurat e tilla të nevojshme, të dobishme dhe absolutisht të arsyeshme, nuk përfillen, madje në jo pak raste të gjitha ato stade universitare “kalohen”… Gjithsesi, mjafton t’i hidhet një vështrim rekomandimeve të auditimit publik dhe do shihen shkelje ligjore, jo të pakta e jo të vogla në universitete tona! Lëshimet, mospërfilljet ligjore apo abuzimet ligjore të theksuara, kryesisht janë pasojë e centralizimit universitar (për t’u dirigjuar më lehtë nga strukturat partiake e qeveritare) dhe kërkesave të pangopshme të titullarëve të universiteteve të caktuar për t’i favorizuar të privilegjuarit e tyre.