Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, pushime familjare me paratë e shtetit

811
Sigal

Puna ime e përditshme më ka lidhur me shumë institucione, një ndër ta është edhe Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë. Ky institucion, që kur në krye të tij u vendos rektori aktual Albert Qarri, është kthyer në një “pashallëk” për faktin se, abuzimet me fondet e Universitetit, gjoja dhe nën mburojën e “konferencave”, apo “seminareve” në të katër anët e Europës, madje edhe ne Amerikë, kanë bërë që t’i rëndojnë buxhetit të shtetit qindra mijëra euro. Por, unë në këtë shkrim kam për qëllim t’i tregoj opinionit të gjerë d.m.th taksapaguesve të këtij vendi si vidhen dhe abuzohet me paratë e tyre, nga këta drejtues institucionesh, që me babëzinë e tyre kanë kthyer këtë vend, që quhet Shqipëri, kampion të korrupsionit. Rektorit aktual të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, i dhanë drejtimin e këtij institucioni në vitin 2010, natyrisht, me ndihmën e politikës, pasi në atë periudhë për zgjedhjen e tij u angazhua gjithë Partia Demokratike e Vlorës dhe deputetët e kësaj partie në atë kohë përdorën të gjitha format e presioneve që të zgjidhej ky individ. Natyrisht, kur të mbështet Partia në pushtet, fitorja është e sigurt dhe ky fitoi me 100 % të votave në ato zgjedhje farsë, që na kujtojnë kohën e afërt të diktaturës. Angazhimi i Partisë Demokratike për zgjedhjen e tij nuk ishte që t’i jepte institucionit të nderuar të Rektorit UV një drejtues të zotin por, ishte se me zgjedhjen e këtij individi, i kishte të lehtë pazaret për tendera, punësime jashtë kritereve të grave të tyre, dashnoreve të tyre dhe shokëve të tyre, gjë që ky individ e ka përmbushur me përpikmëri, për faktin se, institucioni i Universitetit të Vlorës është mbushur me pedagogë të paaftë dhe pa asnjë kualifikim, të gjitha këto bëhen si favore në këmbim të zgjedhjes së tij.

Abuzimet e rektorit në çift me fondet publike

Por, unë dua të ndalem pak tek abuzimet që ka bërë dhe bën ky drejtues bashkë me gruan e tij, edhe kjo pedagoge në këtë Universitet me fondet publike ose më saktë, me paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë. Sipas të dhënave nga sistemi TIMS, në vitin 2013 bashkëshortja e rektorit të Universitetit të Vlorës ka udhëtuar me fondet publike plot 9 herë, me një qëndrim total 60 ditë, për të vazhduar me vitin 2014, e cila ka udhëtuar jashtë vendit 8 herë me një qëndrim prej 58 ditësh. Po të bëjmë një llogaritje, për një vit bashkëshortja e rektorit ka udhëtuar jashtë një herë në 40 ditë. Për të gjitha këto udhëtime private, kësaj pedagoge i janë rimbursuar shpenzimet ose për ata që nuk e kuptojnë, ka udhëtuar me paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë. Duke mos u mjaftuar me kaq kjo pedagoge ka marrë edhe pagën e plotë si prezente në punë, duke thyer në këtë mënyrë edhe ligjet e Fizikës.
Por, edhe rektori i Universitetit Vlorës nuk ngelet pas me udhëtimet e tij për në Shtetet e Bashkuara Amerikës, natyrisht, nën mbulimin dhe justifikimin e konferencave shkencore. Në vitin 2013, rektori i Universitetit të Vlorës ka udhëtuar jashtë vendit 5 herë me një qëndrim prej 41 ditësh, po në vitin 2014 ka udhëtuar dhe qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 4 herë me një qëndrim prej 30 ditësh, si gjithmonë këto udhëtime me t’u kthyer në Shqipëri rimbursohen me dokumente të fabrikuara në zyrat e katit të tretë të Universitetit. Por, nuk mjaftohet me kaq, sepse shkelja e ligjit dhe abuzimi me postin qëndron në faktin se, për të gjitha këto ditë që ka qenë jashtë vendit figuron si prezent në punë dhe është paguar si i tillë.
Në datën 09.04.2012 ky individ bashkë me bashkëshorten e tij, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke qëndruar atje plot 20 ditë, natyrisht me fondet publike, por duke thyer të gjitha ligjet e Fizikës ky figuronte edhe në Shqipëri.
Për të vazhduar me datën 15.05.2013, Rektori i UV-së ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara duke qëndruar aty disa kohë me justifikimin e një konference shkencore, por, në realitet, ka udhëtuar për probleme personale, pasi ky individ ka fituar Llotarinë Amerikane dhe sipas ligjit amerikan duhet të plotësojë ditëqëndrimin në SHBA. Dhe pas kthimit, ky individ u rimbursua nga Universiteti.
Përsëri, në datën 31.03.2014, ky individ bashkë me bashkëshorten udhëton për në SHBA, me justifikimin e një konference shkencore dhe është kthyer në datën 10.04.2014, duke mos u mjaftuar me pagesën si prezent në punë për këto ditë, ky tërheq nga Tirana Bank, një shumë prej 400.000 mijë lekësh të reja si rimbursim për shpenzimet në pjesëmarrje, gjoja konferencë.
Në datën 31.08.2014 ky individ bashkë me bashkëshorten e tij udhëtojnë përsëri jashtë vendit me justifikimin e një konference shkencore, por përsëri udhëtojnë për arsye private, si gjithmonë shënohen si prezent në punë dhe natyrisht duke u rimbursuar shpenzimet e udhëtimit të tyre privat nga fondet e Universitetit.

Punësimet në Universitetin e Vlorës 7-10 mijë euro

Bëmat e këtij drejtuesi nuk mbarojnë me kaq, pasi abuzimet dhe shpërdorimet e detyrës ky i ka kthyer në sistem. Sipas denoncimeve në portale të ndryshme, për tu punësuar në Universitetin e Vlorës duhet të paguash 7 deri në 10 mijë euro, kriteret e përcaktuara në ligj nuk merren parasysh, punësimet bëhen në një fshehtësi totale që do t’ia kishte zilinë edhe sigurimi i shtetit, regjistrohen studentë në programin e studimit Master në vitin e dytë, pa përfunduar të parin. Nepotizmi, lidhjet familjare dhe shoqërore kanë zënë vendin e meritokracisë. Si e përmenda më sipër, bëmat e drejtuesve të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës nuk mund të numërohen me një shkrim në gazetë, por ne si qytetarë dhe taksapagues të këtij vendi nuk mund të rrimë pa denoncuar abuzimet e çdo institucioni që mbahet me taksat tona. Për këta drejtues në Shqipërinë e aspiratave Europiane nuk duhet të ketë më vend, pasi koha e Maskarenjve po perëndon dhe si thotë i madhi Ali Asllani:
…do vij koha do përdridhet
pemë kalbur jashtë do hidhet.
..se koha është e Maskarenjve
por Shqipëria e Shqiptarëve.

DENONCIMI

Kjo është një pjesë e denoncimit, ndaj Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë Albert Qarri, që tashmë është duke u hetuar nga Zyra e Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë.

Kundër: Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Albert Qarri.

Objekti i Denoncimit: Shpërdorimi i detyrës dhe abuzim me fondet publike.

Drejtuar: Zyrës së Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë

Për dijeni: Z. Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm

Shkaku i këtij denoncimi është abuzimi që po kryen Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Albert Qarri, duke shpërdoruar fondet publike në shërbim të tij dhe familjes, që prej vitit 2011 kur është zgjedhur në krye të këtij institucioni deri më sot.

Shkeljet e ligjit duke shpërdoruar detyrën janë si më poshtë:

Ky drejtues që prej vitit 2011, kur është zgjedhur në krye të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, shkon disa herë brenda një viti në Shtetet e Bashkuara Amerikës. Nuk është problem pse shkon në SHBA, se është e drejta e tij për të shkuar, por ky drejtues institucioni shfrytëzon postin duke përfituar nga fondet publike për këto udhëtime që janë krejt për arsye private familjare. Po të verifikoni prej vitit 2011 e deri sot, Rektori Qarri, jo vetëm personalisht, por edhe familjarisht, kryesisht me bashkëshorten Flora Qarri, pedagoge në këtë universitet (por së bashku edhe me fëmijët e tyre), kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhjetëra herë, me shpenzimet dhe fondet e Universitetit…

Nga Kujtim Cakrani