Rektori emëron si dekane, mbesën e gruas

748
Sigal

Zbardhet skandal në universitet me emërimet nepotike, duke shpërfillur kërkesat profesionale dhe pedagogjike

 Universiteti i Elbasanit, kohët e fundit është përfshirë nga një tjetër skandal, që lidhet me komandimin nga Rektori Liman Varoshi, të Dekanes së Fakultetit Ekonomik, pas largimit nga kjo detyrë e deputetes socialiste Evis Kushi. Rektori Varoshi, ka bërë një tjetër veprim antiligjor, që lidhet me një tjetër emërim të familjarëve dhe farefisit, duke emëruar Dekane mbesën e gruas se tij pedagogen Denada Krypa. Në kundërshtim me ligjin mbi “Arsimin e Larte”, Rektori Varoshi,  ka eliminuar garën për zgjedhjen me vota të Dekanes, duke vepruar sipas dëshirës së tij dhe familjarëve, dhe jo konformë ligjit. Fakti është se, vendi vakant i Dekanes në Fakultetin Ekonomik në UE, i takon një pedagogu që ka gradën Prof. Assoc, Dr. dhe jo gradën Dr., siç e ka, mbesa e gruas tij  pedagogia Krypa. Disa pedagogë të këtij Fakulteti shprehen se “kjo është shkelje ligjore, pasi nuk është hera e parë që Rektori Varoshi vepron në kundërshtim me ligjin, duke e kthyer Universitetin në strehë të miqve, familjareve militantëve të PD, dhe njerëzve që nuk plotësojnë kushtet minimale për të qenë pedagoge, dhe jo Dekane”. Sipas ligjit të arsimit të lartë, vendi i Dekanes pas largimit të zonjës Evis Kushi, e cila fitoi mandatin e deputetes në 23 qershor, i takon pedagogeve, të cilët kanë gradën akademike Prof. Assoc. Dr. (ky fakultet ka një pedagog me këtë gradë, shefin e Departamentit të Administrim – Biznesit Ali Turhani), por duket se gara e ndershme dhe zbatimi i ligjit nuk i ka pëlqyer  Rektorit Varoshi, i cili në 5-6 vitet e dy mandateve te tij, e ka kthyer atë në strehë për të paaftët, miqtë dhe farefisin. Liman Varoshi jo vetëm nuk ka hapur zgjedhje të reja për vendin e Dekanes, por ai as nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Madje shprehet me ironi se “do t’i hap zgjedhjet kur të kem kohë”.  Kjo që po ndodh në Universitetin e Elbasanit, do t’i behet me dije edhe MASH, Kryeministrit Rama, Kontrollit të Lartë të Shtetit, dhe organeve kompetente. Komandimi i mbesës së gruas tij zonjës Krypa, si Dekane e Ekonomikut, bie në kundërshtim me ligjin, pasi ajo nuk ka gradën që përcakton ligji për të qenë në atë post, plus që nuk është e zgjedhur me vota. Pedagogët e Ekonomikut në Elbasan janë të indinjuar, por edhe nen presionin e Rektorit Varoshi, i cili përdor njerëzit e tij për t’u mbyllur gojën atyre që ngrenë zërin. Pedagogët e Ekonomikut në UE, janë të vendosur të denoncojnë veprimet arbitrare të Rektorit Varoshi, por edhe emërimet e tjera që ai ka bërë dhe po bën në kundërshtim me ligjin, duke abuzuar edhe me fondet e këtij institucioni. Pedagogët e Ekonomikut do t’i nisin letra Kryeministrit, Ministrit të Arsimit  dhe kreut të KLSH për të  ardhur dhe për të verifikuar e kontrolluar veprimet antiligjore të Rektorit Varoshi, i cili pothuajse e ka privatizuar Universitetin e Elbasanit.

                                                                                      Tefik Osmani pranë UE

Info nga universitetet e vendit

 Ajo që po ndodh me universitetet tona është e frikshme dhe shteti shqiptar duhet të vërë dorë menjëherë për të frenuar shkatërrimin e sistemit universitar në vend. Sepse epidemia e mediokritetit, po ngulmon çdo ditë e më shumë në universitete, nëpërmjet emërimit të pedagogëve. Siç po shohim, në universitetet tona për t’u futur në radhën e pedagogëve po shtyhen gjithmonë e më tepër njerëz të paditur dhe me diploma të marra me para nën dorë, të cilët fillimisht paguajnë 2-3 mijë euro, por edhe 4 mijë euro për të zënë një vend pune nëpër universitete shtetërore. Skema e futjes së tyre në auditorët e universiteteve bëhet në këtë mënyrë: Në fillim ata e nisin aventurën e mësimdhënies nëpërmjet shfaqjes së tyre si pedagogë të jashtëm, ose si asistentë-pedagogë, pastaj, si zëvendësues, ose si mësimdhënës për orët shtesë dhe pak më vonë si pedagogë zyrtarë të universitetit. Sipas pazarit paraprak, 203 mijë eurot paguhen prej tyre me këste, ku kësti i fundit jepet ditën e emërimit përfundimtar. Por ka raste, kur këto klauzola apo etapa kapërcehen dhe në këtë mënyrë “pseudopedagogët e rinj” detyrohen të paguajnë në dorë dhe menjëherë. Po cilët janë këta pedagogë që emërohen në këto universitete? Padyshim, myshterinjtë e rektorit, të dekanit, të apo shefit të një dege përkatëse, të cilëve u është lënë në dorë përzgjedhja e personelit mësimdhënës. Por pavarësisht se kush i cakton, kryesorja është që të përmendet se kush humbet. Dhe ajo që humbet është gjithmonë shoqëria shqiptare, ku arsimi universitar, në vend që të përparojë, po shkon gjithmonë e më shumë drejt regresit, me pedagogë të rastësishëm, të cilët pasi kanë bërë ndonjë biznes, në jetë, më në fund janë kujtuar për t’u dhënë mësim brezave të rinj, pavarësisht se ata vetë janë kontingjenti i injorancës dhe falsifikimit.