Reforma në arsim, përplasin Edi Ramën dhe Lulzim Bashën

822
Sigal

Edi Rama: Nuk do të ketë më analfabetë me diplomë.

Basha: Reforma e dështuar, bëhet për interesa të Rilindjes

 TIRANË- Mbyllja e disa universiteteve vazhdon të jetë tema e nxehtë e politikës shqiptare në këto ditë. Nga njëra anë, Kryeministri Edi Rama dhe vartësit e tij e cilësojnë këtë reformë si të domosdoshme, të vonuar, e cila pritet të hapë një rrugë të re në arsimin e lartë. Duke sjellë argumentet e tyre, përfaqësues të qeverisë shtojnë se “…mbyllja e disa universiteteve që ishin në kundërshtim me kërkesat e ligjit, do të evitojë analfabetët me diplomë”. Ndërkohë, kreu i opozitës Lulzim Basha, ish-shefi i qeverisë Sali Berisha dhe përfaqësues të tjerë të së djathtës e kritikojnë këtë reformë dhe akuzojnë se ‘mbyllja e universiteteve bëhet për të  hapur Rama e Meta universitetet e tyre private. Kryeministri i vendit Edi Rama ka postuar në Facebook vendimin e plotë të qeverisë për transferimin e studentëve, të cilët po ndjekin studimet e tyre në institucionet arsimore që i është hequr licenca. Rama reagoi, por specialistët pohojnë se ky është vetëm një shou, pasi duhej të ishte ngritur një grup i posaçëm pune, që të merrej dhe të studionte hap pas hapi procedurat që duhej te ndiqeshin pas mbylljes së universiteteve, ku preken qindra studentë. Reagimi i Kryeministrit vjen pas ankesave të  studentëve, të cilët deklarojnë se i është kërkuar para për të marrë dosjen e tyre. “Pranë nesh janë paraqitur një sërë shqetësimesh nga një numër studentësh të institucioneve të arsimit të lartë, të cilave me vendimin e Këshillit të Ministrave nr 539 dt. 6 gusht 2014 u është hequr licenca. I bëjmë me dije këtyre institucioneve, studentëve të tyre, dhe gjithë publikut, se ky veprim është i paligjshëm, pasi VKM 539 e publikuar në Fletoren Zyrtare nr.123, dt 7 gusht 2014 pika III, shprehet qartë dhe i kërkon të gjitha institucioneve, të cilave i është hequr licenca të përgatisin dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve dhe t’ia vënë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 1 shtator 2014. Gjithashtu, Institucionet e Arsimit të Lartë sipas pikës a të të njëjtit vendim kanë për detyrë, që  të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore-shkencore për vitin akademik 2013-2014, në të gjitha ciklet e studimit ku ata ushtrojnë veprimtarinë dhe për të gjitha programet e studimit të ofruara. Ato, do të përgjigjen para ligjit për çdo veprim të kundërt me sa më lart. Studentëve i bëjmë me dije që Ministria e Arsimit i gjendet pranë secilit prej tyre. Koha kur ata ishin lënë të braktisur në dorë të piramidave ka mbaruar”. Ndërkohë, ka reaguar për këtë problem dhe kreu i opozitës Lulzmi Basha, duke kritikuar vendimin e qeverisë dhe duke theksuar se, reforma në arsim kërkon dije dhe qeverisë i mungon. Sipas tij, reforma në arsimin e lartë kërkon dije, vullnet, ndershmëri dhe kësaj qeverie i mungojnë të trija për ta realizuar. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit Rama, i cili deklaron se maxhoranca nuk pret falënderime për pastrimin e pisllëkut që la pas qeveria e shkuar. “S’duam falënderime që po pastrojmë pisllëkun që lanë, por kur bëjnë si të rënë nga qielli mbi pisllëkun e tyre janë të vajtueshëm #VajmedetPD”.

Geriola ÇAUSHI