Reagimi i rektorit të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan

465
Sigal

Pas publikimit të shkrimit të djeshëm në gazetën “Telegraf” me titull: “Dekonspirohen telefonat e pedagogëve të vënë në përgjim”, ka reaguar rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi.

I nderuar z. Drejtor!

Duke besuar në misionin e fjalës së lirë, unë kam bindjen se çdo përpjekje për të thënë të vërtetën duhet të marrë mbështetje nga kushdo dhe kudoqoftë ai. Personalisht kam mbështetur çdo hap që ka të bëjë me ruajtjen e figurës së pedagogut dhe do të vijoj këtë rrugë mbështetur në besimin që kam në stafin e universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, pasi kam bindjen se shumica e tyre i përkasin njerëzve të ndershëm. Bazuar në ato që shkruhej në gazetën tuaj nën titullin “Dekonspirohen telefonat e pedagogëve të vënë në përgjim” (E enjte, dt. 07/11/2013) me lejoni t’ju konfirmoj gatishmërinë time dhe të gjithë stafit drejtues të universitetit “Aleksandër Xhuvani” për të bashkëpunuar në çdo hetim nga ana Prokurorisë, por edhe interesimit të medias, siç ka ndodhur në çdo rast që iu është kërkuar, me qëllim ndëshkimin e personave që tentojnë të njollosin figurën e nderuar të pedagogut. Në këto vite pune si koleg i tyre, e si drejtues i tyre, unë kam konstatuar në shumicën prej tyre përkushtim dhe ndershmëri. Ndaj, nuk mundet që asnjë person i vetëm, apo edhe më shumë se një, të njollosë figurën e pedagogut përmes një procesi të pandershëm. Duke patur besimin se transparenca me publikun ka qenë edhe qëllimi juaj, unë do të kërkoja nga ana juaj, bashkëpunim edhe me drejtuesit e universitetit “Aleksandër Xhuvani”, duke respektuar kështu edhe një nga elementët më të rëndësishëm të komunikimit mediatik, atë të marrjes së konfirmimit apo të deklaratës edhe nga ana e institucionit, për të cilin aludohet lidhur me një proces të pandershëm që pretendoni në shkrimin e botuar. Unë dua të besoj se qëllimi fisnik i medias, për më shumë transparencë mes institucioneve dhe publikut, është dhe do të mbetet prioritar në komunikim tuaj, pa u mundur nga dëshira personale e askujt për të njollosur punën e ndershme të shumicës së stafit të universitetit të cilin unë drejtoj. Ndaj, lejomëni që t’ju ftoj ju, që të jeni pjesë e bashkëudhëtimit tonë në mbrojtje të çdo qytetari që jeton me djersën e tij dhe të ndëshkojmë këdo që kërkon të jetojë në pandershmëri, duke rrezikuar kështu edhe figurën e kolegëve të tjerë. Një proces i tillë nuk bëhet as me anonimat e as lajme të bazuara në hamendje, por me argument, për të cilat ne shprehim gjithë gatishmërinë tonë për të qenë të hapur me ju dhe me këdo që ka si qëllim informimin dhe transparencën mes institucioneve dhe publikut.

Me respekt

Liman Varoshi

Rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”