Rastet kur përjashtohen maturantët dhe administruesit nga provimi i Maturës Shtetërore

694
Sigal

ZYRTARE/Rregulla strikte për administratorët e provimeve që nuk zbatojnë rregulloren

Provimet e Maturës Shtetërore, kanë një rëndësi të madhe për maturantët, por po ashtu kanë edhe një përgjegjësi të madhe edhe për administruesit e këtij procesi. Për të siguruar një proces të sigurt Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përcaktuar disa rregulla, për të përjashtuar çdo mundësi abuzimi në momentin që do të jepen provimet. Për rregullat e vendosura për maturantët dhe për administratorët e provimit kanë folur për “Telegraf”, burime nga MASH. Ku sipas këtyre burimeve, janë disa procedura shumë të rëndësishme që duhen zbatuar më shumë korrektësi.

Procedurat e provimit të maturës

Provimet e detyruara të Maturës Shtetërore do të zhvillohen në ditë të ndryshme.

Po sipas informacioneve që kanë dhënë për “Telegraf” burimet pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, provimet me zgjedhje të detyruar zhvillohen në një ditë. Rregulli tjetër mjaft i rëndësishëm për Provimet e Maturës, është se provimet do të zhvillohen vetëm me shkrim. Provimet e Maturës i jep maturanti/kandidati që ka përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme/ka marrë Dëftesë Pjekurie dhe ka plotësuar formularin A1/A1Z. Çdo maturant që fiton provimet e detyruara dhe me zgjedhje, pajiset me Diplomën e Maturës Shtetërore (më poshtë “Diploma”).

Maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2012, por nuk janë pajisur me Dëftesë Pjekurie/Diplomë dhe fitojnë provimet e Maturës, do të marrin Diplomë dhe certifikatën e Maturës Shtetërore, modeli i vitit 2011. Diploma e Maturës lëshohet vetëm 1 (një) here. Maturanti, që është pajisur me Dëftesë Pjekurie në vitet e mëparshme/shtetasi shqiptar/i huaj që vjen nga jashtë shtetit dhe jep provimet me zgjedhje të MSH, nuk merr Diplomë Mature. Këta shtetas pajisen me një vërtetim për provimet e Maturës. Maturanti në sesionet e ardhshme jep provimin/et mbetës/e të detyruara dhe me zgjedhje. Lënda/ët e provimeve me zgjedhje mund të ndryshohen sipas dëshirës së maturantit, mjafton që ajo/ato të jenë në listën e lëndëve me zgjedhje të formularit A1Z.

Ruajtja e materialeve

Një rëndësi të madhe për provimet e Maturës Shtetërore, ka edhe ruajta e të dhënave gjatë kohës së përgatitjes së testeve. Materiale të një rëndësie të veçantë janë: Testet dhe skemat e vlerësimit të tyre, Kodet e sekretimit të prodhuara nga AKP-ja, Test broshurat e plotësuara nga çdo maturant/kandidat, Formularët e Maturës, Baza e të dhënave të Maturës, Procesverbalet e AP, PAP, përgjegjësve të vlerësimit dhe vlerësuesve të testeve. Për ruajtjen dhe sigurimin e dokumenteve dhe materialeve të provimit zbatohen këto rregulla: Nënshkruhet kontratë individuale me çdo person që angazhohet në hartimin e testeve përfundimtare. Ruhet në kompjuter, nga specialistët lëndorë, i gjithë dokumentacioni i provimeve, duke aplikuar elemente sigurie, si: Fjalëkalime të shumëfishta, mungesë komunikimi elektronik dhe në rrjet. Paketohen me elemente sigurie materialet e provimit. Të dhënat e provimeve të Maturës ruhen dhe administrohen në AKP. Çdo dokument provimi dhe aplikimi i maturantit/kandidatit ruhet si dokument sekret në arkivin e AKP-së, për 6 muaj.

Siguria dhe shpërndarja e testeve

Sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përgjatë kohës që janë duke u përgatitur testet do të ketë një mbikëqyrje të rreptë, në mënyrë që të mos dali asnjë informacion mbi përmbajtjen e testeve. Në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, përgjatë kohës së përgatitjes dhe shpërndarjes së testeve, zbatohen rregullat e mëposhtme:

1.Nuk lejohet hyrja e personave të paautorizuar në mjediset e AKP-së dhe ato të përzgjedhura për vlerësimin e testeve gjatë procesit të provimeve.

2.Ndalohet mbajtja e celularëve, mjeteve të tjera të komunikimit dhe gjithçkaje tjetër, që cenon sigurinë e procesit në mjedis n teknik.

3.Lejohet të ketë një numër telefoni drejtori i AKP-së ose një person i autorizuar prej tij, për të komunikuar me Ministrin e Arsimit dhe të Shkencës ose titullarin e ngarkuar prej tij.

4.Kryhet kontrolli fizik në mjedisin teknik të AKP-së, gjatë hyrjes dhe daljes së personave të autorizuar. Personat fizikë e juridikë, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me materialet e konsideruara te një rëndësie të veçantë, sipas pikave të neneve 35 dhe 36, veprojnë në përputhje me këtë Rregullore. Në rast shkeljeje, zbatohen dispozitat e Kodit Penal.

Procedurat për maturantët që kanë studiuar jashtë

 Shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që kanë kryer arsimi l e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm, Zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë se provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt në Fakultetin Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e detyruar ose të mesëm në shkolla me program në gjuhën shqipe. Me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, në MASH, ngrihet një Komision i Posaçëm për të shqyrtuar kërkesat e maturantëve/kandidatëve për njëvlershmërinë e arsimit të mesëm. Shtetasit e përmendur në piken 1 të këtij neni, paraqesin pranë këtij Komisioni, deri më 25 prill 2013, këto dokumente:

a) Kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në IAL;

‘b) Dëftesën/Diplomën origjinale, së bashku me listën e notave të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara;

c) Kopjen e dokumentit të identifikimit.

Shtetasit, që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, por që nuk kanë dhënë provimet e Maturës (provimet e detyruara dhe me zgjedhje), për t’u pranuar në IAL, duhet të japin provim Matematikën si dhe Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, ose një nga gjuhët e huaja të listës së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore. Për shtetasit shqiptarë, që përfshihen në këtë pikë, për provimet me zgjedhje, të respektohet zgjedhja individuale, përveç gjuhës së huaj, kur këtë e kane dhënë si provim të detyruar. Komisioni, pasi njeh vlefshmërinë e Dëftesës/Diplomës shkollore, përcakton indeksin e shkollës, në referencë me tabelën e shkollave të mesme në Republikën e Shqipërisë. Ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe përcakton, mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur, nëse provimet e dhëna janë të barasvlershme me provimet e Maturës Shtetërore, në Shqipëri. Këto të dhëna i përcillen AKP-së. Komisioni ia përcjell rezultatet e barasvlershmërisë, zyrtarisht KMSH-së, ku aplikanti ka vendbanimin/lejen e qëndrimit, deri në datën 5 maj 2013. KMSH-ja i përcjell këto të dhëna në AKP dhe përcakton shkollën ku kandidati do të kryejë provimet e Maturës dhe ku do të plotësojë formularët përkatës. KMSH-ja i dërgon KSHMSH-së të dhënat e kandidatit dhe rezultatet që ka përcaktuar Komisioni. Shtetasit që kanë kryer arsimin e mesëm dhe nga komisioni rezulton se nuk kanë asnjë detyrim për MSH-në, plotësojnë on-line formularin A1Z në AKP deri me datë 10 maj 2013.

Penalizimet e pjesëmarrësve në administrimin e provimit

Për çdo shkelje ose moszbatim të pikave të rregullores të konstatuar nga ana e pjesëmarrësve të procesit administrate të Maturës, merret një nga masat e mëposhtme:

a)Për moszbatim e mosrespektim të pikave 29.6, 29.7, 29.9, 29.10, 29.11, 30.12, 30.15, 30.16, 30.17, 30.19, 31.2, 31.3, 31.4 të Rregullores do të merret masa “Paralajmërim për largim nga puna”, e cila depozitohet në dosjet personale.

b)Për moszbatim e mosrespektim të pikave 26.1, 29.3, 29.4, 29.13, 30.1, 30.2,30.3, 30.5, 30.6, 30.7, 30.11, 30.13, 30.14, 30.21, 30.22 të Rregullores do të merret masa “Largim nga puna” dhe pasqyrohet në librezën e punës së punonjësit. Për çdo shkelje tjetër të Rregullores, të konstatuar gjatë procesit të Maturës, të papërcaktuar në nenin 40.1, të merret njëra nga masat e përcaktuara në nenin 33 të ligjit nr 69, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” dhe në Kontratën Kolektive të Punës. Përfaqësuesi i MASH-it ose AKP-së, shkeljet e konstatuara ia përcjell KSHP-së, e cila në mbështetje të Nenit 40, i propozon masat Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, i cili merr vendimin përkatës dhe ia përcjell organit të emërtesës për zbatim.