Rama: Duhet të shpëtojmë arsimin nga kthetrat e çdo partie

547
Sigal

TIRANE- Në prezantimin e punës së Ministrisë së Arsimit në 300 ditë qeverisjes, kryeministri Rama ka theksuar rëndësinë e shkëputjes së arsimit nga politika. Sipas kreut të qeverisë emërimet në institucionet arsimore nuk duhet të ndikohen nga politika, ndërsa shtoi se edhe vlerësimi i mësuesve duhet të bëhet sipas një standardi. Duke u ndalur tek reforma e Arsimit të Lartë, kryeministri Rama theksoi se në këtë mënyrë hidhen bazat e revolucionit në arsim, duke u dhënë fund situatës në të cilën u gjend ky sistem në 20 vitet e kaluara. “Po drejtojmë brezin e ri drejt bashkimit, dhe po bëjnë një unifikim të kurrikulës me Kosovën. Kemi ndërhyrë në tekstet arsimore, pasi hoqëm 120 libra arsimorë që kishin gabime. Janë hedhur bazat e revolucionit në arsim. Vlerësimi i mësuesve duhet të jetë në një standard. Kemi përgatitur një nga reformat më të rëndësishme për 20 vitet e e ardhshme për të lënë pas katrahurën e krijuar në 20 vitet e kaluara në këtë sistem. Synojmë të reflektohet një qasje e re mbi autonominë financiare dhe administrative të universiteteve. Do të mbyllen ato universitete që nuk do të arrijnë të konkurrojnë më. Do të jenë të gjitha universitete publike me financim shtetëror apo privat, dhe jo më ndarje universitete publike e private”, u shpreh kryeministri Rama. Sipas kryeministrit Rama duhet të ndryshohet përzgjedhja e studentëve në fakultete, duke shmangur ata që nuk “e meritojnë të shkojnë më tutje”. Kreu i qeverisë tha se me akreditimin e universiteteve, i cili pritet të fillojë në dhjetor të këtij viti, situata do të ndryshojë. “Do të ketë tolerancë zero ndaj deficencës, ndaj këtij biznesi që ka shkrirë para pafund ndaj xhepave të prindërve të shkretë, duke krijuar diploma pa asnjë vlerë. Nuk do kemi hezitim, që bazuar në ligj, të ndajmë nga njëra anë ata që meritojnë të shkojnë më tutje, dhe nga ana tjetër ata që kanë nxjerrë veten nga sistemi. Në dhjetor një nga agjencitë me prestigjoze britanike do të nisë akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë në vend pa dallim. Do të akreditohen me standardet e BE, dhe jo të fisit, krahinës, standardet e ndjekura deri dje”, vijoi Rama. Një tjetër risi në këtë vit të ri akademik, sipas kryeministrit Rama do të jetë futja e sportit në të gjithë sistemin arsimor. “Futja e sportit në gjithë sistemin arsimor. Jemi vendi me qesharak në shifrat e aktivitetit fizik. Vetëm 4% e popullit shqiptar merret me aktivitet fizik, ndërsa vendi i fundit në BE e ka këtë nivel mbi 50 %. Ky është investim në shëndet. Edhe shifrat e personave mbi peshë dhe obezë janë shqetësuese. Kush investon 1 euro në sport, kursen 3 euro të investuara në shëndetësi”, u shpreh kreu i qeverisë.  Dy doktoratura të mbrojtura në Infermieri janë bërë sot objekt humori dhe ironie nga Kryeministri Rama, për të treguar nivelin e ulët në të cilin e gjeti sistemin e arsimit të lartë gjatë analizës 300-ditore të punës së Ministrisë së Arsimit. Në një raport fantastik të bërë nga Inspektoriati i Ministrisë së Arsimit, lexova një doktoratura në infermieri,” – tha Rama, – që besoj do të gajaste jo gjithë botën njerëzore, por edhe botën e kafshëve: doktoratë në Infermieri “Roli i diplomacisë së vendeve të vogla në sigurinë rajonale” ose doktoratë tjetër në Infermieri “Vlerësimi i performancës në politikën e Shkodrës”…Megjithatë, kjo e dyta,” – shtoi kreu i Qeverisë, – “duket shumë më korrekte në krahasim me të parën. Jam shumë kurioz se ku i bën gjilpërat ky doktori i shkencave që ka doktoruar për sigurinë rajonale dhe nuk e di a e ka fjalën për Ballkanin apo për ndonjë rajon të trupit. Gjithsesi, sot jemi para një fakti që është se Shqipëria jonë e vogël ka 20 institucione të arsimit të lartë për 1 milion banorë ose 8 herë më shumë se Britania e Madhe. Sa për të sjellë një shembull, se me herë mundim Gjermaninë, mundim Francën, mundim Amerikën, i mundim të gjithë se kemi arritur në shkallën që kemi doktorë infermierie që merren me sigurinë rajonale,”- nënvizoi me ironi, Kryeministri.