Qeveria heq masën e pezullimit për 6 Universitete, kërkesa nga MAS

528
Sigal

TIRANË – Këshilli i Ministrave ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Arsimit e Sportit për të hequr masën e pezullimit për veprimtarinë e disa Institucioneve Private të Arsimit të Lartë.
 
Nga Vendimi i Këshillit të Ministrave mësohet se Shkollat e Larta të cilave iu hiqet masa e pezullimit janë “Instituti Kanadez i Teknologjisë”; Universiteti “Aldent”; Akademia Profesionale e Biznesit; Shkolla private e arsimit të lartë “Pavarësia”; “ISSAT”; Shkolla e Lartë “Wisdom University”.
 
Në fillim të muajit Gusht qeveria mori vendim për mbylljen e 18 Universiteteve dhe për pezullim të pjesshëm apo të plotë të aktivitetit për 13 të tilla. Gjithashtu u mbyll Akademia e Arteve  në Shkodër dhe 6 filiale te universitetit publik nepër rrethe.
 
Lista e Universiteteve që u pezulluan në muajin Gusht nga Qeveria.
Universiteti “Aldent”
SHLP “Hëna e plotë” (Bedër)
Kolegji Profesional privat “New Generation”
SHLP “Logos”
SHLUP “Instituti Kanadez i Teknologjisë”
Kolegji Profesional “Ivoclar Vivadent &Partners”
ShLAP “Pavarësia” Vlorë
Akademia Profesionale  e Biznesit
IPAL “ISSAT”
ShLUJ “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”
SHLUJ “Justicia”
SHLUP “Wisdom University”
Universiteti privat “Albanian University”
 
Vendimi i plotë i Qeverisë për heqjen e masës së pezullimit për 6 Univeristete 
VENDIM PËR HEQJEN E MASËS SË PEZULLIMIT TË VEPRIMTARISË DISA INSTITUCIONEVE PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 45, pika 4, e 63, pika 4, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.    Heqjen e masës së pezullimit të veprimtarisë disa institucioneve private të arsimit të lartë:
a) Shkolla e Lartë “Instituti Kanadez i Teknologjisë”;
b) Universiteti “Aldent”;
c) Akademia Profesionale e Biznesit;
ç) Shkolla private e arsimit të lartë “Pavarësia”;
d) “ISSAT”;
dh) Shkolla e Lartë “Wisdom University”.
2.    Institucionet private të arsimit të lartë, të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, të vijojnë veprimtarinë akademike me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga ligji për arsimin e lartë dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
3.    Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet private të arsimit të lartë, të përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi. 
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.