Qeveria franceze ofron bursa për studentët shqiptarë

704
Sigal

Për të gjithë studentë shqiptarë që dëshirojnë të kryejnë studimet në një vend jashtë shtetit, vjen një lajm i mirë nga qeveria e Francës. Ambasada e Francës në Shqipëri ka njoftuar se janë shpallur thirrjet për kandidatura për programin e bursave të qeverisë franceze për vitin akademik 2019-2020. Ambasada mbështet studentët shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin studimet në një universitet francez duke u akorduar bursa studimi për nivelet Master dhe Doktoraturë (tezë në cotutelle). Kandidatët do të vlerësohen nga një juri e pavarur dhe personat që do të shpallen fitues do të kenë mundësinë e udhëtimit për në Francë ku do kryejnë studime për një afat jo më shumë se 10 mujor (shtator 2019 – qershor 2020).

Bursa për Master përfshin:

  • pagesë mujore 700 euro
  • përjashtim nga tarifa e regjistrimit në institucionet publike të arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Arsimit të Lartë, Kërkimit dhe Inovacionit
  • mbulim të shpenzimeve për formim (sipas tavanit të përcaktuar)
  • një shumë prej 700 euro për shpenzime për formim
  • sigurim shoqëror
  • asistencë për të kërkuar strehim

– Kjo bursë nuk mbulon blerjen e biletave të avionit

Bursa për Doktoraturë cotutelle përfshin:

  • 15 muaj mobilitet të shpërndara në 3 vite akademike të njëpasnjëshme
  • sigurim shoqëror
  • pagesë mujore 1060 euro

– Kjo bursë nuk mbulon blerjen e biletave të avionit

Kushtet për t’u zgjedhur

  1. Fushat e studimeve

Të gjitha disiplinat përfshihen. Megjithatë, prioritet do të kenë fushat e mëposhtme: klima, bio-diversiteti, mjekësi, energji, migracioni.

  1. Shtetësia

Kandidati duhet të jetë shtetas shqiptar.

3- Dosja e kandidaturës

Dosja e kandidaturës duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme:

– Formularin e kandidaturës për Master ose për Doktoraturë

– Kopjen e pasaportës

– Kopjen e diplomës më të lartë dhe listat e notave (dokumente të përkthyera dhe të noterizuara)

– Dokumentin që vërteton njohjen e gjuhës frënge (B2) ose angleze sipas Masterit ose tezës së parashikuar

– CV në frëngjisht (në anglisht vetëm për shkollimin në anglisht)

– Letrën e motivimit në frengjisht për të prezantuar projektin e shkollimit në Francë (në anglisht vetëm për shkollim në anglisht)

– Marrëveshjen për tezën e doktoraturës në cotutelle

– Letrat e rekomandimit nga drejtuesi/t) dhe/ose një pedagog i institucionit nga vjen kandidati

– Vërtetimin e regjistrimit ose kopje të korrespondencës së shkëmbyer me universitetin francez.

Bursat do t’u akordohen vetëm kandidatëve që kanë një regjistrim në një universitet francez Dosja duhet dërguar ose depozituar para 31 majit 2019 në Ambasadën e Francës në Shqipëri.

4- Zhvillimi i procedurës

Dosjet shqyrtohen nga Shërbimi për Bashkëpunim dhe Veprimtari Kulturore. Çdo dosje e paplotë ose jashtë kritereve nuk pranohet. Për kandidatët, dosjet e të cilëve do të para seleksionohen, do të ketë edhe një intervistë. Vendimet e jurisë do t’u komunikohen kandidatëve gjatë muajit korrik 2019. Juria është e pavarur dhe vendimi i saj është përfundimtar.