Provimi i Matematikës/Pezullohen 50 maturantë dhe 13 administratorë, shkelën rregulloren

514
Sigal

Rreth 50 maturantëve, të cilët shkelën Rregulloren e Maturës Shtetërore dhe dispozitat e saj për sa i përket moslejimin e përdorimit të celularëve, etj., nuk iu është njohur rezultati i provimit të Matematikës. Këtë e bën të ditur znj. Nora Malaj, zv/ministre e arsimit, e cila tregon detaje të mëtejshme, përsa i përket provimit të Matematikës, provimi i tretë i detyruar i maturës shtetërore. Në provimin e detyruar, lënda “Matematikë” ishin regjistruar 45,032 maturantë. Testi u hartua  për 7 ditë nga specialistë lëndorë të AKP-së, përfaqësues të MAS-it, mësues me përvojë dhe u shumëfishua në kushtet e një sigurie dhe sekreti të plotë. AKP-ja ka qenë nën kujdesin e forcave të policisë përgjatë  gjithë ditëve të hartimit dhe shumëfishimit të testeve. Testi përmban 25 pyetje (13 me alternativa dhe 12 me zgjidhje) dhe në total vlerësohet me 50 pikë maksimale. Testi garanton vlerësimin e nxënësve, sipas aftësive që ata zotërojnë dhe ka tri nivele: Niveli I – 40% – 20 pikë; Niveli II- 40% -20 pikë; Niveli III- 20 % – 10 pikë. Skema e vlerësimit qartëson në mënyrë të detajuar përgjigjet e sakta, me qëllim standardizimin e korrigjimit nga ana e vlerësuesve. Vlerësimi i testeve fillon në dt.12 Qershor në qendrat e vlerësimit: Tiranë, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier. Shpallja e rezultateve do të bëhet 2 javë pas përfundimit të testit të matematikës. Nxënësit duhet të marrin 10 pikë (20%) për të qenë kalues” u shpreh znj. Malaj. Më tej ajo vijoi me problematikat e shfaqura gjatë procesit të provimit në të gjitha DAR/ZA-të janë si më poshtë vijon:

Nxënës me celularë të kapur gjatë provimit ishin 28 (njëzet e tetë) gjithsej. Këta maturantë janë pezulluar, siç edhe parashikon Rregullorja e MSH 2014.

Nxënës të kapur me kopje në letër ishin 8 (tetë) në të gjitha DAR/ZA.

Gjithashtu, dhe në këto raste është marrë masa e pezullimit të maturantëve, sipas parashikimit të Rregullores të MSH 2014.

Nxënës me teste të dëmtuara (shenja dhe barkod i dëmtuar) ishin 4 (katër) gjithsej.

Nxënës të konstatuar me identitete të rremë ishin 16 (gjashtëmbëdhjetë).

Nxënës me probleme shëndetësore ishin 2 (dy) gjithsej.

Nxënës të përjashtuar për moszbatim të Rregullores së MSH 2014 janë 3 (tre) gjithsej.

Administratorë të përjashtuar nga procesi për menaxhim jo të rregullt, sipas  Rregullores së MSH, janë konstatuar 13 (trembëdhjetë) administratorë të përjashtuar nga të cilët: DAR Fier – 1 administrator; DAR Durrës – 3 administratorë; DAR Kukës – 8 administratorë; ZA Pukë – 1 administrator. Për këta administratorë janë marrë masa, sipas Rregullores të MSH 2014 dhe Kodit të Punës.