Provimet e maturës dhe ato të lirimit

623
Sigal

Në datën 31 maj u zhvillua provimi i parë i Maturës Shtetërore në lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në të gjitha shkollat e mesme të vendit.  Ai u zhvillua në 203 mjedise provimi  dhe morën pjesë rreth 50.000 maturantë. Teza e provimit ishte në përputhje me programin mësimor dhe orientues të kësaj lënde të zhvilluar në shkollën e mesme. Administrimi i procesit është bërë sipas Rregullores së Maturës Shtetërore. Skema e vlerësimit të testit është tashmë publike në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Ndërsa maturantët do të njihen me rezultatet e tyre rreth datës 14 qershor të cilat do të botohen nga gazeta “Telegraf”. Por maturantët ndërkohë po përgatiten edhe për dy provime të tjera, atë të Matematikës që do të jepet më 14 qershor; ndërsa provimet me zgjedhje do të jepen më 29 qershor.

Rregullat në provim
Udhëzimi i publikuar  nga MASH sqaron se provimet do të nisin në orën 10:00; provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta, ndërsa provimet me zgjedhje do të zgjasin 3 orë. Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbaje 25 pyetje; nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila; dhe 12 pyetje janë me zhvillim, dhe të cilat vlerësohen me 37 pikë gjithsej. I gjithë testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë.
Provimet me zgjedhje
Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të ketë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative (që vlerësohem me 1 pikë secila), dhe 10 pyetje të tjera do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë. Në total testi i provimeve me zgjedhje do të ketë 40 pikë. Maturantët apo kandidatët që do të japin këtë vit si provim vetëm një lëndë me zgjedhje, do ta nisin provimin në orën 11:00 dhe kanë kohë deri në orën 13:00 për ta përfunduar. Provimi për ta do të zhvillohet në mjedise me vete, ndërsa maturantët mbetës kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (në vjeshtë). Brenda muajit mars institucionet përgjegjëse AKP dhe DEPU, duhet të përcaktojnë sasinë dhe llojin e testeve që nevojiten për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore 2013 (të detyruara dhe me zgjedhje).

Provimet e Lirimit
Provimet e Lirimit për nxënësit e arsimit parauniversitar do të nisin më 12 qershor me gjuhën amtare, ndërsa provimi i matematikës do të jepet me 19 qershor. Secili provim do të nis në orën 10:00 dhe do të zgjas 2 orë e 30 minuta. Në shkollat e pakicave kombëtare (greke dhe maqedonase) provimi i lirimit zhvillohet në gjuhën amtare. Për Institutin e nxënësve që nuk shikojnë, testi do të tërhiqet në AKP nga drejtoria e Institutit një ditë para zhvillimit të provimit dhe do të përshtatet me shkrimin Brail. Ndërsa nxënësit mbetës në provimet e lirimit kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.

 Sot nënshkrimi i  Memorandumit të Bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit HËNA E PLOTË (BEDËR).

 Sot ora 11:00  në Sallën e Senatit Akademik të Universitetit te Tiranës, do të nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit HËNA E PLOTË (BEDËR). Universitetet do të bashkëpunojnë në fusha me interes reciprok si arsim, kërkime shkencore etj, do të inkurajojnë kontaktet e drejtpërdrejta dhe bashkëpunimin e ngushtë midis stafit të fakulteteve, departamenteve,institucioneve kërkimore dhe studentëve. Fushat e bashkëpunimit do të jenë, por jo vetëm :1. Bashkëpunimi midis fakulteteve; 2. Shkëmbimi i studentëve; 3. Aktivitetet e përbashkëta  për mësimdhënie , studime kërkimore etj,  4. Pjesëmarrja në seminare dhe takime akademike; 5. Shkëmbimi i materialeve të publikuara akademike dhe informacioneve të tjera; 6. Programet akademike të veçanta afatshkurtra.