Provimet e Lirimit, ja testi i Gjuhës Shqipe

5652
Sigal

Të hënën, në 23 qershor, nis maratona me Gjuhën Shqipe për nxënësit e klasave të nënta

Të hënën, më 23 qershor, nxënësit do t’i nënshtrohen provimit të parë të lirimit në lëndën Gjuhë Shqipe dhe katër ditë më pas atij të Matematikës, që do të zhvillohet më 27 qershor. Krahas këtyre dy provimeve, nxënësit e pakicave kombëtare (greke dhe maqedonase) do të zhvillojnë edhe provimin e lirimit në lëndën gjuhë amtare, i cili do të zhvillohet në datën 20 qershor. Sipas udhëzimit të MAS, provimet e lirimit në të gjitha shkollat do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta. Administrimi i provimeve të lirimit për nxënësit e klasave të 9-ta do të kryhet me procedura të ngjashme si ato të maturës. Ndërsa sipas rregullores, provimet e lirimit do të zhvillohen vetëm në shkollat publike. Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve në provimet e lirimit do të bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Nxënësit do të njihen me rezultatet e arritura në provimet e lirimit brenda 15 ditëve nga data e mbajtjes së tyre.

Struktura e testit

Pjesa e parë: tekst letrar

Pjesa e dytë: tekst joletrar

Pjesa e tretë: Pyetje për linjën “Njohuri rreth sistemit gjuhësor”

Fragmentet ose tekstet do të jenë të panjohura për nxënësit dhe nuk janë pjesë e teksteve mësimore. Pyetjet për tekstet ose fragmentet testojnë aftësinë e nxënësit për të kuptuar, analizuar, reflektuar dhe për të gjykuar mbi to. Testi do të mbështetet në 3 linja kryesore: të lexuarit; të shkruarit dhe njohuri të sistemit gjuhësor.

Të lexuarit

Nxënësi duhet: të grupojë pjesët që lexon sipas gjinive dhe llojeve letrare; të identifikojë ngjarjet kryesore në një histori; të krahasojë pjesë të ndryshme brenda fragmentit; të komunikojë një përgjigje personale të ndjeshme dhe të arsyeshme në lidhje me tekstin e lexuar; të lexojë duke shpjeguar grafikët, pikturat dhe shenjat e tjera, me të cilat shoqërohen tekstet; të zbërthejë me imagjinatë domethënien e teksteve të ndryshme; të listojë tiparet e personazheve që pëlqen, duke e mbështetur mendimin e tij në argumente; të përcaktojë shkaqet e një veprimi të një personazhi; të zbulojë karakteret e personazheve duke provuar të bëjë dhe analiza të botës psikologjike të tyre; të dallojë figurat letrare si; personifikimi, epiteti, apostrofi, paralelizmi figurativ, metafora; të zbërthejë figurat letrare duke treguar funksionin shprehës të tyre; të dallojë në një tekst të dhënë, jo më pak se tri elemente karakterizuese për personazhe, mjedise, gjendje, veprime marrëdhënie etj; të gjejë një tjetër titull të figurshëm, të ndryshëm nga titulli i tekstit të dhënë; të identifikojë kuptimin e parë dhe të figurshëm të fjalëve; të zbulojë mesazhin në një tekst të dhënë; të komentojë fragmente të ndryshme përmes analizave të tekstit; të përmbledhë idetë dhe të mbajë qëndrim kritik ndaj tyre; të analizojë dhe të kryejë operacione të thjeshta mbi vargëzimin, gjatë analizave artistike të materialeve; të dallojë gjuhën dhe stilin e shkrimtarëve; të interpretojë qëllimet e autorit në vepër; të vlerësojë gjuhën e një teksti.

Të shkruarit

Nxënësi duhet: të shkruajë për lexues të ndryshëm: mësues, prindër, shokë të afërm; të shkruajë për të dhënë informacion për të tjerët, nëpërmjet përshkrimit dhe argumentit; të përshkruajë përvoja vetjake dhe veprimtari të kryera në grup; të përshkruajë dukuri të natyrës sipas këndvështrimit të tij imagjinar; të hartojë me shkrim zgjidhje për situata të ndryshme të karakterit fantastiko-shkencor; të përshkruajë heronjtë e tij imagjinarë duke përdorur fjalorin e duhur; të shkruajë ese argumentuese; të shkruajë ese përshkruese; të shkruajë përmbledhje; të shkruajë një mbyllje tjetër, të ndryshme nga varianti i dhënë; të shkruajë fletë ditari, letër formale dhe joformale; të bëjë shkrime të shkurtra të natyrave të ndryshme duke përdorur dialogun dhe ligjëratën e drejtë; të zbatoje kërkesat gjuhësore sipas llojit të shkrimit.

Njohuri të sistemit gjuhësor

Nxënësi duhet të njohë konceptet kryesore gjuhësore në Sintaksë: kryefjalë, kallëzues, përcaktor, rrethanor, kundrinor, grupi emëror, grupi foljor, fjalia e thjeshtë sipas kumtimit dhe gjymtyrëve, fjalia e përbërë me bashkërenditje dhe nënrenditje; Morfologji: klasat e fjalëve, emri, mbiemri, përemri, folja, parafjala, ndajfolja, lidhëza, numërori; Leksikologji dhe fjalëformim: fjalëformimi, sinonimet dhe antonimet, familja e fjalëve, shprehjet frazeologjike; Drejtshkrim: shkrimi i drejtë i fjalëve, numrave dhe datave; shenjat e pikësimit.

Të lexuarit 45 %

Të shkruarit 15 %

Njohuri rreth sistemit gjuhësor 40 %