Projekti “Unë mësoj”, Nikolla: Të integrojmë fëmijët që nuk dëgjojnë

555
TIRANE – Ministria e Arsimit Lindita Nikolla dhe Ministria e Inovacionit Milena Harito prezantuan sot, projektin “I learn/Unë mësoj” i cili ka si objektiv pajisjen me tableta dhe ofrimin e një platforme dixhitale për fëmijët që nuk dëgjojnë, duke kontribuar në integrimin e tyre tërësor në shoqëri.
Procesi i mësimdhënies për këtë grup fëmijësh që nuk dëgjojnë do të lehtësohet nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje pilot, duke mundësuar një program të personalizuar posaçërisht për ta në 450 tabletat të cilat do t`u vihen në dispozicion.
Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit Nikolla tha se edukimi i fëmijëve që nuk dëgjojnë është një prej sfidave të MAS dhe të qeverisë shqiptare, e cila ka vendosur objektiva të qarta në drejtim edhe të zhvillimit të një kurrikule të re, e cila indukton të gjithë nxënësit dhe të rinjtë shqiptarë me aftësitë e tregut të punës.
“Një program kompjuterik i specializuar do të zhvillohet për të siguruar komunikimin nëpërmjet gjuhës së shenjave, program i cili do të ndikojë pozitivisht në shmangien e disa vështirësive siç është vështirësia e të shpjeguarit nga ana e mësuesve si dhe komunikimi interaktiv mes tyre dhe nxënësve të tjerë pa probleme dëgjimi”, tha Nikolla.
Ministrja shtoi se platforma e-learning, do të integrojë alfabetin multimedial daktilografik dhe fjalorin e gjuhës së shenjave, të plotësuar edhe me përkthimin përkatës në gjuhën e folur.
Platforma do të përfshijë gjithashtu programe, leksione për përdorimin e gjuhës së shenjave, si dhe ushtrime të posaçme për këta nxënës.
Aplikacionet e zhvilluara pritet të ketë një ndikim shumë pozitiv në të kuptuarit e termave të reja dhe konceptet për fëmijët me probleme dëgjimi. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e integrimit të tyre në jetën e përditshme. Përfitues të këtij projekti do të jenë fëmijët me probleme dëgjimi, të cilat frekuentojnë institutin, ose fëmijë me probleme dëgjimi që janë të integruar në klasa normale.
Projekti “I Learn/Unë mësoj”, financohet nga Programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim – IADSA, në bashkëpunim edhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë, Shoqatën Kombëtare Shqiptare të Njerëzve që nuk Dëgjojnë dhe organizatën italiane CESTAS.
Sigal