Programi i Letërsisë për maturantët 2013 dhe e vërteta e heqjes së Kadare, Shekspir, Uitman

490
Sigal

Janë hequr disa autorë që quhen të vështirë dhe janë futur disa autorë dhe vepra

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar Rregulloren dhe Udhëzimin përkatës për zhvillimin e provimeve të Maturës. Provimet të cilave do t’i nënshtrohen maturantët janë Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe Provimet me Zgjedhje. Ndërkaq, MASH ka publikuar dhe programet orientuese bërthamë, programet orientuese të gjuhëve të huaja dhe ato të thelluara. Për të gjithë maturantët/kandidatët, programet orientuese të lëndëve të detyruara (Gjuhë Shqipe-Letërsi dhe Matematikë) janë në përputhje me programet ekzistuese të shkollave të mesme. Programet orientuese të lëndëve me zgjedhje  janë të njëjta për të gjithë maturantët/kandidatët që plotësojnë Formularin A1/A2. Programi orientuese i një lënde të thelluar përmban edhe programin e lëndës bërthamë.

Kadare, Shekspir, Uitman, hiqen nga Matura Shtetërore

Ministria e Arsimit dhe Shkencave vendos të përfillë sugjerimet e studentëve për ndryshimin e programit të letërsisë për provimin e detyrueshëm të Maturës Shtetërore. “Ka pasur një sugjerim për axhustim të programit të letërsisë. Janë hequr disa autorë që quhen të vështirë dhe janë futur disa autorë dhe vepra me të cilët nxënësit dhe mësuesit janë mësuar me to”, thekson Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar në MASH. Vitin e kaluar maturantët ngritën pretendime se kishin në provim pyetje nga autorë dhe çështje jo të njohura për ta. Për këtë arsye, Ministria ka vendosur të heqë nga lista e programit orientues vepra të autorëve të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Këto janë: romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, “Historia e Skënderbeut” e Naim Frashërit, “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, “Lulet e së keqes” e Bodlerit, “Mbretëresha e luleve” e Gjergj Fishtës, “Fije bari” e Vvalt Ëhitman etj.. Në listën e veprave nga do të përzgjidhen fragmentet letrare në provim nuk mungojnë autorët e lartpërmendur. Por, për të mos krijuar mbingarkesë tek maturantët është parë e udhës që të hiqen disa nga veprat e tyre, ndonëse shumë të njohura për kontributin e tyre në zhvillimin e letërsisë kombëtare dhe botërore, citon shekulli. Nisur nga shqetësimi i gjimnazistëve për përmbajtjen e programit të letërsisë, ne iu drejtuam specialistëve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave. Sipas tyre këtë vit në programin orientues janë shmangur vetëm disa vepra të autorëve të njohur dhe duke lënë të tjera, po aq relevante në formimin letrar të maturantëve. “Kurrikula e re synon që ta aftësojë nxënësin që pavarësisht nga leximet, të analizojë tekstin dhe të arrijë një sërë aftësish analitike që zhvillojnë të krijuarit”, sqaroi Erida Koleci, koordinatore pranë Institutit të Zhvillimit të Arsimit. Sipas saj, heqja e këtyre veprave shumë të njohura në Letërsi është bërë me qëllim që të shmangë mbingarkesën e maturantëve kandidatë për në universitete. Testi i letërsisë që do të zhvillohet në muajin qershor ndahet në dy pjesë: teksti letrar që përmban 45% të pyetjeve dhe ai jo letrar do të përfaqësohet me 55% të pyetjeve. Testi do të ndërtohet në mënyrë të tillë ku të jenë të përfshira tre nivelet e vështirësisë. Niveli bazë në të cilin do të ketë jo më shumë se 40% të pyetjeve, nivelin mesatar me 40% të pyetjeve dhe nivelin e lartë me 20% të pyetjeve.