Profesorët dhe studentët në “sitën” e MASH

59

MASH/ E vërteta për punësimin e pedagogëve me grada shkencore që janë në pension dhe mashtrimi me regjistrimin e studentëve

Dje nga Kosova ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, -ku ndodhet si pjesëtar  i delegacionit qeveritar të kryesuar nga Presidenti Bujar Nishani- ka saktësuar lajmet e përhapura në lidhje e përhapur për  mos punësimin e pedagogëve me grada shkencore që kanë dalë në pension. Sipas ministrit Tafaj, nuk ekziston asnjë urdhër apo udhëzim nga dikasteri i tij, madje as edhe nga qeveria shqiptare. Sipas burimeve të tjera zyrtare pranë MASH-it,  sqarohet se, ky i ashtuquajtur urdhër është një gjë e pavërtetë dhe që kërkon të krijojë amulli në këtë fillimviti të ri shkollor. Sipas zyrtarëve të arsimit, raportet me pedagogët e dalë në pension dhe pagesat e tyre janë të përcaktuara me ligje të tjera, që kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore dhe detyrimet që rrjedhin nga ky ligj. Ajo që ministri Tafaj pranon zyrtarisht është urdhri që  i ka dërguar universiteteve shtetërore dhe private  për përgatitjen  e listave të  pedagogëve me grada shkencore. Në këtë urdhër është kërkuar që përpara fillimit të vitit të r i akademik, të gjitha universitetet shtetërore dhe ato private të dërgojnë pranë MASH-it gradat që kanë pedagogët  si: Doktor, Profesor  i Asociuar , Profesor dhe Akademik. E veçanta e këtij viti ashtu si edhe në vitin e kaluar akademik është se brenda muajit nëntor 2012 të gjitha universitetet shtetërore dhe private duhet të kenë dërguar listën e studentëve të regjistruar, ku secili prej tyre do të ketë numrin e amzës ose matrikullin personal. Ministria e Arsimit i bënë thirrje të gjithë studentëve sidomos atyre të arsimit privatë që gjatë regjistrimit të kërkojnë edhe matrikullin personal. Në të kundërtën, sqarojnë burimet pranë MASH-it, regjistrimi i tyre nuk do ketë vlerë dhe se pagesat dhe vazhdimi i studimeve do të jetë pa vlerë. Mesa duket MASH ka ndërmarrë këtë nisëm pasi në disa universitete private janë bërë regjistrime direkt në vit të dytë apo edhe në ndonjë rast të veçantë kanë marrë diplomën pa shkuar asnjë ditë në shkollë. “Ka pasur shumë sinjalizime, madje, deri aty sa që një person ka marrë diplomën në universitetin privat në Shqipëri, duke qenë në burg, jashtë shtetit për të cilat ne kemi filluar investigimin”,- thonë burimet konfidenciale.