Prof.Shezai Rrokaj: Të gjithë studentët tanë gëzojnë të drejtën absolute për të vazhduar master

486
Sigal

Intervistë/Prof.Shezai Rrokaj, dekani i fakultetit Histori-Filologji: I përgjigjemi me seriozitet fillimit të vitit të ri akademik

Të gjithë studentët e fakultetit Histori-Filologji gëzojnë të drejtën absolute për të vazhduar master në këtë fakultet. Këtë e bën të ditur për “Telegraf”, prof. Shezai Rrokaj, dekani i fakultetit Histori-Filologji, ndërsa shprehet se tarifat për të kryer studimet master kanë mbetur të pandryshuara. Viti i ri akademik do sjellë dhe të reja për studentët e këtij fakulteti, përveçse më të plotë nga ana teknologjike, prof. Rrokaj tregon edhe për një tjetër projekt që ka të bëjë me rikonstruksionin e fakultetit. “Pra, ka një projekt që është duke u zhvilluar në Rektorat, që mesa di unë është në proces tenderimi” shprehet Rrokaj.

Profesor, shumë shpejt fillon viti i ri akademik, ndërsa janë miratuar edhe kuotat për master shkencor e profesional. Si po e prisni këtë vit të ri akademik dhe a janë në pritshmërinë tuaj këto kuota?

Po e nis nga kjo e fundit, natyrisht që kuotat janë miratuar në bazë të propozimeve që kanë vajtur nga Këshilli i fakultetit tonë dhe miratimit të tyre në Senat. Deri tani kanë ardhur kuotat e bachelor-it të vitit të parë të pranimeve pas Maturës Shtetërore, të masterave profesionalë dhe shkencorë që ju i keni në tabelat që janë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Përsa i përket të rejave që kemi, sivjet, siç edhe e kam bërë të ditur në raste të tjera, për herë të parë në fakultetin tonë është miratuar Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore. Pra, ne sivjet presim studentë të rinj që do të vijnë me një degë të re të zgjedhur qysh në fillim, për të cilët është miratuar dhe programi i studimeve si në nivelin bachelor, ashtu dhe në nivelin master dhe doktoratë. Pra është një e re, të themi, shumë e kënaqshme për fakultetin tonë, sepse në një degë shumë të rëndësishme siç është Arkeologjia dhe Trashëgimia Kulturore, ne për herë të parë do të fillojmë me studiues qysh nga viti i parë. Kjo vjen si rezultat i nevojës që ka Shqipëria për të promovuar edhe më mirë edhe më profesionalisht vlerat e saj kulturore, trashëgiminë e saj të vyer, vlerat e saj arkeologjike dhe ky departament, jam i mendimit se do ta kryejë më së miri këtë gjë. Nga ana tjetër, ky fakultet do të mirëpresë edhe studimet doktorate, të cilat do të miratohen në një kohë të dytë ndoshta me qeverinë e re, të cilat do të jenë dhe këto në përputhje të plotë me të gjitha aftësitë dhe energjitë që ka fakulteti ynë, që është një nga fakultetet më të rëndësishme kombëtare që promovon, formon në lëndët kombëtare dhe natyrisht që përballon një fluks shumë të rëndësishëm të kërkimeve në të gjitha drejtimet që ai mbulon.  Në këtë këndvështrim, unë them që ne do të përballojmë edhe studimet doktorate në ato fusha shkencore që ne i kemi prioritet zhvillimi. Është një fakultet që ka tanimë disa laboratore. Nuk e kam fjalën thjesht,vetëm për atë të gjuhës, por duke filluar dhe në fushën e Arkeologjisë ne kemi laboratorë tashmë, kemi 2 laboratorë në departamentin e Gazetarisë, kemi laboratorë me gjithë teknologjinë moderne të përpunimit të hartave në departamentin e Gjeografisë. Kështu që, nga pikëpamja e teknologjisë, infrastrukturës në tërësi, ne i përgjigjemi me seriozitet fillimit të ri akademik. Kemi një sistem të plotë të kompjuterëve, duke filluar që nga biblioteka dhe deri në departamente edhe në kabinete të ndryshme që është i kënaqshëm. E reja e këtij viti është se ne fillojmë me rikonstruksionin e fakultetit që mund të na krijojë ndonjë problem në procesin e mësimdhënies, ku do të riparohen të gjitha problemet që kanë të bëjnë me energjinë elektrike, me telefoninë, me internetin, me ngrohjen, për të krijuar një sistem që është me të vërtetë funksional. Natyrisht do të riparohen fasada e fakultetit, muret anësore të fakultetit, do të ristrukturohet oborri i fakultetit duke krijuar dhe një amfiteatër për studentët tanë. Pra, ka një projekt që është duke u zhvilluar në Rektorat, që mesa di unë është në proces tenderimi.

Pse nuk u krye në verë ky rikonstruksion, për të mos penguar kështu procesin mësimor?

Kjo pyetje, në fakt, duhet t’u bëhet kolegëve të Rektoratit, sepse këto janë projekte që menaxhohen nga Rektorati. Ka pasur një problem ky projekt, sepse ne e kishim menduar bashkë me një shtesë në pjesën e brendshme të fakultetit, por kemi pasur probleme me një ndërtim që është bërë aty, një lokal në mes të fakultetit në pjesën e brendshme të tij, i cili pretendon se është në tokën e vet apo e ka blerë këtë tokë, nuk e di, por që gjithsesi na ka penguar në realizimin integral të këtij projekti. Kjo është arsyeja edhe e vonesës nga ana e Rektoratit, por shpresojmë se që me shpenzimet tona (nga të ardhurat e studentëve) të bëhet për të mirën e fakultetit, sido që të jemi të ndërgjegjshëm nuk e zgjidh problemin. Profesorët tanë ende nuk kanë ambientet e përshtatshme për të punuar dhe studentët nuk kanë ende hapësirat e nevojshme për të zhvilluar normalisht mësimin. Jemi duke shpresuar që pjesa e kampusit që do të ishte zgjidhja përfundimtare e tre fakulteteve tona, e Ekonomikut, e Gjuhëve të Huaja dhe Histori-Filologjisë. Ne këtë vit e fillojmë edhe me dy marrëveshje të rëndësishme për sa i përket sistemit doktoral që ka të bëjë me historinë dhe me gjuhën shqipe, dy doktorata të përbashkëta me Universitetin e Prishtinës. E fillojmë edhe me një intensifikim të të huajve që vijnë dhe interesohen për dhënien e provimit të gjuhës shqipe. Nuk është fjala këtu për emigrantët tanë, por po të shikoni sot në auditorin tonë në shkollën verore mund të gjeni mbi 50, 60 studentë të huaj që kanë ardhur të mësojnë gjuhën shqipe. Nga ana tjetër, është viti i dytë që ne jemi duke e shtrirë nismën tonë që të gjitha fakultetet në Universitetin e Tiranës në lëndët me të zgjedhur, të zgjedhin gjuhën shqipe si një nevojë e brendshme e tyre për të realizuar atë që quhet figura dinjitoze intelektuale, e cila flet shqip qartë, shkruan shqip qartë e kështu me radhë. Këtë shërbim ne ua japim fakulteteve të Universitetit të Tiranës, por dhe universiteteve të tjera duke angazhuar një staf të zotë që e kryen këtë detyrë më së miri. Ky është një shërbim që i bëjmë gjuhës sonë, është një shërbim që i bëjmë të rinjve tanë që kush ka nevojë, prandaj dhe është me të zgjedhur, të marrë disa kredite për të fituar disa rregulla drejtshkrimi për të mirën e tij, se nuk mund të konsiderojmë një intelektual që mbaron arsimin e lartë dhe nuk di të shprehet mirë në gjuhën e vet, apo bën formulimin e një shkrese plot gabime që nuk i shkojnë një intelektuali. Gjithashtu, jemi në përgatitje të një konference shumë të madhe për albanologjinë që do të zhvillohet në fund të tetorit dhe që ka të bëjë një temë shumë të madhe që ka qenë një projekt i departamentit të Gjuhësisë dhe që ka titullin “Komunikimi ndëretnik në Ballkan”. Kemi filluar për të ftuar sa më shumë studiues nga Ballkani, por ndërkohë jemi duke përgatitur edhe konferencat e tjera të departamenteve të Letërsisë, të Gjeografisë, Gazetarisë, Historisë e kështu me radhë që i zhvillojmë çdo vit dhe për të cilat ne kemi menduar dhe kemi veçuar, me vendime fakulteti dhe nga Këshilli i Administrimit, pjesën financiare për ta përballuar atë dhe në kushtet e krizës.

Çfarë kriteresh duhet të plotësojnë studentët për të vazhduar studimet master?

Atëherë, të gjithë studentët që kanë mbaruar fakultetin tonë gëzojnë të drejtën absolute për të vazhduar masterin në fakultetin e tyre. Për fat, nuk do të ketë seleksionime, është një detyrim që ne kemi ndaj tyre, përderisa ata përzgjodhën këtë fakultet, që pas bachelor-it t’i pranojmë automatikisht në fakultetin e tyre, është e drejta e tyre, është godina e tyre, janë profesorët e tyre. Nga ana tjetër, të seleksionojmë, në përputhje me kuotat që kemi, nga universitetet e tjera më të mirët dhe vetëm më të mirët, duke ndjekur dy parime: Nga njëra anë, ata që vijnë drejtpërsëdrejti në degët tona, që do të thotë një student që ka mbaruar në Elbasan, në Durrës, në Shkodër bachelor për Gjuhë Shqipe, mund të vijë dhe të vazhdojë këtu, apo dhe studentë që mbarojnë degë të përafërta në Shkencat Sociale apo në Gjuhët e Huaja e kështu me radhë, që ne t’i trajtojmë në masterat tanë, qoftë në Histori, në Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Trashëgimi Kulturore etj. Edhe nga Artet kemi pranuar, për t’i dhënë një hapësirë më të madhe  pranimeve në këtë fakultet, sipas interesave që kanë studentët.

Po për sa i përket tarifave?

Tarifat nuk kanë ndryshuar, siç kanë qenë dhe do të veprohet po me atë mekanizëm që është vepruar deri tani.

Po kuotat për doktoraturat kur priten të dalin?

Për doktoraturat ne presim, ne i kemi përcaktuar kuotat tona, ato janë pak a shumë me numrin e kuotave që ne kërkojmë çdo vit. Pritet të miratohen në mbledhjet përkatëse të qeverisë.

Ndërkohë a ka kërkesa dhe si bëhet përzgjedhja e tyre?

Ka kërkesa, përzgjedhja është sipas një sistemi 100 pikësh, ku ne kemi përcaktuar që 40 pikë ia japim mesatares, 40 pikë ia japim vendit të punës, në mënyrë që doktoratat t’i marrin ata që ia kërkon vendi i punës, 10 pikë i kanë nëse kanë master të nivelit të dytë apo jo dhe 10 pikë të tjera i kanë nëse kanë botime të ndryshme e kështu me radhë. Pra është një sistem shumë rigoroz, ngrihen komisione ad hoc në çdo departament dhe ne jemi shumë të saktë në vlerësimin e të gjitha kërkesave  sipas këtyre kritereve që janë të miratuara në të gjitha organet kolegjiale të fakultetit.

Sistemi 4-vjeçar dhe masteri

Atëherë, Ligji i Arsimit të Lartë, neni 99, barazon studimet 4-vjeçare, që do të thotë 8 semestra, me studimet 5 vjeçare që do të thotë 3+2. Natyrisht, ata mund të regjistrohen për të ndjekur një degë tjetër të përafërt, por natyrisht mund të regjistrohen po të duan edhe për të ndjekur atë pjesë të lëndëve që nuk i kanë bërë gjatë sistemit 4-vjeçar, por ligji e barazon sistemin 4-vjeçar me atë 5-vjeçar. Pra, juridikisht ata nuk kanë probleme. Diploma është ekuivalente, por nëse për interesat e tyre ata e duan një master, ne nuk i pengojnë që të vijnë ta vazhdojnë, sepse mund të ketë disa lëndë që mund të jenë futur në programin e ri, por ata do regjistrohen sikur të ishin 3-vjeçar, ky është problemi, ose një pjesë e tyre mund të regjistrohen, sidomos në masterin profesional që ne kemi hapur për herë të parë vjet, sepse shumë syresh mund të jenë edhe në punë. Pra, ne kemi hapur masterin profesional për të gjithë ata që duan të ndjekin studimet në fushën e mësuesisë dhe që normalisht e ndjekin studentët që kanë ndjekur 4 vite part-time, ne mund t’i integrojmë ata në masterin profesional part-time. Pra, të gjithë ata me part-time, por edhe ata që kanë vazhduar me kohë të plotë 4-vjeçare, sepse mund të kërkohet nga vendi i punës ose mund të kenë vetë ata interes.