Prof. Shezai Rrokaj: Duhet thjeshtuar Matura Shtetërore, boll më me metodat e qëmotit

706
Sigal

INTERVISTA/Flet Dekani i Histori-Filologjisë, Prof.Shezai Rrokaj për problematikën e Maturës shtetërore

Dekani i Histori-Filologjisë, Prof.Shezai Rrokaj në një intervistë për gazetën “Telegraf” vjen i drejtpërdrejtë në lidhje me  problematikën që mbars Matura Shtetërore. Sipas tij Matura Shtetërore është shumë e mbingarkuar dhe sistemi i vlerësimit për nxënësit është shumë i koklavitur. Për të, reforma e Maturës Shtetërore është një domosdoshmëri.

 Profesor ç’mendim keni për vijueshmërinë e Maturës meqë studentët tuaj të vitit të parë do të jenë prurje e këtij procesi?

Kemi një problem shumë të madh të Maturës Shtetërore. Unë jam shprehur hapur që Matura Shtetërore duhet të thjeshtohet, sepse 1)është shumë e mbingarkuar dhe nga ana tjetër 2)mënyra sesi selektohen studentët për të ardhmen është me probleme, sepse studentët zgjedhin deri në dhjetë preferenca. Më thoni ju, se ku mund të gjendet një person që të dojë dhjetë profesione njëherësh. Pak a shumë qesharake dhe natyrisht është një Maturë që është mbështetur kryesisht në katër lëndë, që do të thotë një student i Historisë mund të mos ketë pasur fare arsye që të mësojë lëndët e tjera të cilat mund t’i shërbejnë atij, bie fjala gjeografinë dhe lëndë të tjera shoqërore që mund t’i shërbejnë për formimin e tij si një historian. Pra Matura Shtetërore e ka fokusuar vëmendjen te një rregullim i shpërndarjes së maturantëve duke dashur të korrigjojë defektet e vlerësimit që ekzistojnë në sistemin e shkollës së mesme, por do të ishte më e arsyeshme dhe më e nevojshme që të korrigjohet sistemi dhe jo të mbulohen defektet e sistemit. Pra e para që ne duhet t’i japim një hapësirë më të madhe mesatares së shkollës së mesme dhe së dyti Maturën Shtetërore duhet ta ndajmë nga pranimet në universitete. Pra provimi i Gjuhë-Letërsisë dhe i Matematikës duhet të jetë i përfshirë brenda mesatares, se mbyll ciklin e shkollës së mesme. Kurse për shkollën e lartë mund të jepej vetëm një provim dhe ç’është më e rëndësishmja, duhet thjeshtuar matura shtetërore, nuk ka kuptim që ende të vazhdohet me një sistem kaq të ngarkuar dhe kaq problemor deri tek tezat që kopjohen me celularë. Natyrisht unë nuk është që dua t’i vë fajin mënyrës së menaxhimit, problemi është kaq i madh sa është shumë e vështirë për t’u menaxhuar, sistemet që vështirësohen nga pikëpamja e menaxhimit duhet të liberalizohen.

Pra, Profesor, nëse ju kuptova, e keni fjalën për provimin e lëndëve me zgjedhje?

Po, maturantët duhet të japin lëndë me zgjedhje vetëm në rastet kur kërkesa për shkollën e lartë është më e madhe. E thënë shqip unë jam i mendimit që mund të  bëhet konkurs për pranimin në shkollën e lartë, ose le të bëhet kështu siç bëhet, nga ministria le të bëhet, por vetëm për degët që kërkesa është më e madhe se oferta, që do të thotë le të ketë konkurs për Juridik, Mjekësi, Arkitekturë, Muzikë ku ka shumë kërkesa, por s’është e nevojshme të ketë konkurs për fakultetin e Histori- Filologjisë, për Gjuhët e Huaja, mjafton të ketë gjuhën e huaj, mjafton të ketë mesataren e shkollës së mesme. Pra bëhet në fillim konkursi për degët ku kërkesa është më e madhe sesa oferta dhe për të gjitha degët e tjera pranimet të bëhen të lira.

Pra ju jeni kundër provimeve të lëndëve me zgjedhje.

Pra siç e thashë bëhet e nevojshme vetëm  në rastet kur kërkesa është më e madhe se oferta. Kjo gjë do ta thjeshtonte shumë sistemin; pikët e 4 lëndëve, dy lëndët e detyrueshme dhe dy lëndëve me zgjedhje janë kaq shumë, saqë gjithë puna e tre viteve barazohet me një lëndë me zgjedhje. Kjo s’ka kuptim, pra kjo lidhet me një politikë më të drejtë për rregullimin e sistemit të shkollës së mesme, që do të thotë se duhet ndërmarrë një reformë e plotë në mënyrën e vlerësimit të nxënësve, nuk mund të vazhdohet më me metodat e qëmotit, me ato metodat klasike të kontrollit të dijeve të tyre. Ne po shkojmë drejt një arsimi interaktiv, me ndryshime shumë të mëdha; të futjes së metodave të reja me në qendër nxënësin dhe për pasojë dhe mënyra sesi bëhet vlerësimi duhet të ndryshojë. Në qoftë se ne do ta ndryshonim Maturën Shtetërore edhe përthithjet nuk do të ishin ardhje në universitet sipas rrotës së fatit të sistemit të vjetër, por nxënësi kur nuk arrin të kapë atë shkollë e cila kërkon konkurrim, për shkak të mospasjes së mundësive kërkesë-ofertë, të zgjedhin shkollën e tyre mbi bazën e mesatares së gjimnazit. Kjo do ta thjeshtonte shumë sistemin, sepse ka një konflikt shumë të hapur; nga njëra anë pretendohet liberalizim i universiteteve, nga ana tjetër futet një sistem shpërndarjeje për nxënësit që është tejet i koklavitur që fillon në muajin shkurt dhe përfundon në dhjetor. Nuk ka punë tjetër Ministria e Arsimit vetëm të merret me këtë. Pra, është një sistem i rënduar dhe një reformë e rëndësishme për ta thjeshtuar Maturën Shtetërore, është e domosdoshme. Jo të gjithë në provim për shkollën e lartë dhe mesatarja e shkollës së mesme të marrë peshë më të madhe që nxënësi të mësojë të gjitha lëndët dhe gjatë gjithë kohës. Pasi ju e dini që deri në moshën 18 vjeçare është shumë e rëndësishme që nxënësi të marrë njohuri të përgjithshme që formimi i nxënësit të jetë sa më i plotë. Në këtë kuptim them që sistemi është shumë i deformuar.

Çfarë niveli kanë studentët e vitit të parë dhe çfarë pritet nga maturantët?

Ne jemi fakulteti letrave, fakulteti i Gjuhësisë dhe Letërsisë nga njëra anë, i Gazetarisë që ka të bëjë me komunikimin dhe Historisë e i Gjeografisë. Ne do dëshironim që të kemi prurje të një niveli më të mirë nga shkollat e mesme. Por kryesisht niveli që vjen nga shkollat e mesme është mbi mesatar duke pasur parasysh rezultatet me të cilat studentët vijnë, pra këtu pranohen studentë që përgjithësisht janë me mesatare mbi 7.5 të shkollës së mesme, pra nuk kemi të bëjmë me elitën e studentëve. Natyrisht ka mjaft syresh që kërkojnë të ndjekin studimet për Letërsi dhe Gjuhësi, Histori, Gjeografi edhe pse janë me mesataren 10, sepse kanë kërshëri në këtë fushë apo një lidhje të caktuar, por përgjithësisht është mbi mesataren. Kalueshmëria përgjithësisht, edhe pse ende ne jemi në testim të tyre, tani jemi në sezonin e verës, është rreth 70%, një shifër e pranueshme, sepse kemi dhe sezone të tjera. Ju e dini që rregulloret tona të provimeve janë liberalizuar; studentët provohen gati 5 herë, që do të thotë kanë 3 sezone të fiksuara, i dimrit, i verës dhe i vjeshtës së tyre dhe përpos këtyre tre sezoneve, me rregullore kemi futur dhe 2 sezone të tjera, njërin para sezonit të dimrit tetor-nëntor dhe tjetri rreth muajit prill. Kemi qenë të hapur përpara studentëve në mënyrë që t’i përcaktojmë këto data edhe kur janë më të vlefshme për ta, sikundër kemi miratuar dhe një rregullore që kalueshmërinë nga njëri vit në tjetrin mbi bazën e krediteve e kemi liberalizuar në mënyrë që ne të mos kushtëzojmë kalimin nga një vit në vitin tjetër, në rastet kur kjo bëhet një barrierë shumë e madhe përsa i përket pagesës së tarifës së shkollimit.

A janë të përshtatshme ambientet për të pritur studentët e rinj?

Këtu ambientet janë të përshtatshme, ne presim një rikonstruksion të kësaj godine në pikëpamje të furnizimit elektrik dhe të internetit, të rregullimeve të bibliotekës dhe të rregullimeve të fasadës. I kemi lekët nga të ardhurat e studentëve, por njëkohësisht jemi dhe në pritje të punëve për Kampusin e studentëve, që do të ndërtohet përballë fakultetit  Ekonomik, te fusha e Studentëve. Bashkë me disa zgjerime që janë bërë në UT, të kemi parasysh që fakulteti i Shkencave Sociale do të largohet nga fakulteti i Drejtësisë, sepse i është dhënë një ndërtesë e cila është duke u përfunduar, kështu zgjerohet fakulteti i Drejtësisë dhe për pasojë lirohen ambientet që janë te qyteti “Studenti”, te sheshi “Liria” dhe aty ato ambiente mund të shfrytëzohen nga fakulteti i Gjuhëve të Huaja, por dhe nga fakulteti i Histori-Filologjisë. Pastaj me ndërtimin e Kampusit, besoj se problemet janë më të pakta. Këto ambiente që kemi ne i kemi konstruktuar, i kemi pajisur dhe me laboratorë. Ka 6 laboratorë në fakultetin tonë, që nga mediat radiofonike, televizive, montazhi, kemi laboratorë të Gjeografisë, të Historisë, Arkeologjisë. Jeta ka filluar të përmirësohet në kuptimin që studentëve u shërbehet më mirë, nuk jemi në ato parametra që do të dëshironim, por fakulteti ynë mbetet më i dashuri dhe më i miri që ekziston në të gjitha trevat tona.

Ja kuotat e reja për fakultetin Histori-Filologji

Në përgjithësi i përmbahemi atij standardi në përputhje me hapësirat mësimore që ne kemi dhe numrit të pedagogëve që kemi. Ne kërkojmë gjithmonë nga 100 studentë për vitet e para për Gjeografinë, Gjuhë-Letërsinë dhe për Historinë, për Gazetarinë kërkojmë rreth 80 studentë në vitin e parë si dhe 40 studentë për Arkeologjinë. Natyrisht ne mbetemi të hapur dhe në përputhje nëse do kemi shtesa, në mënyrë që universitetet t’u përgjigjen edhe kërkesave të studentëve.