Prof. Petrit Malaj: Specifika e Arteve, kërkon diferencim në mbështetjen financiare

662
Sigal

Flet Prof. Petrit Malaj, Rektori i Universitetit të Arteve, për financimin, akreditimin dhe sfidat e Arteve

Kostoja e një studenti të shkencave juridike, sociale apo diçka tjetër me një student të arteve është 1 me 8. Duke pasur parasysh këtë kosto të lartë, duhet që edhe të shikohet një mundësi financimi në nivel më të lartë për Universitetin e Arteve, krahasuar me të tjerët. Kështu shprehet në një intervistë për “Telegraf”, prof. Petrit Malaj, Rektor i Universitetit të Arteve, i cili mendon se “bazimi në performancën e universiteteve do të ndikojë fuqishëm dhe se do të gjenden rrugët e duhura që Ministria e Arsimit dhe Sportit, apo qeveria shqiptare do të alokojë buxhetet e duhura në fund të fundit për universitetet shqiptare”.

Profesor Malaj, para dy javësh rektorët e universiteteve bënë një takim me Ministren e Arsimit dhe Sporteve, përsa i përket reformës në financimin e universiteteve. Ç’mund të na thoni për këtë takim?

Në takimin që patëm me Ministren e Arsimit dhe Sportit, me znj. Lindita Nikolla, unë mund të them që mbështes fort nismën për Konferencën Kombëtare të Arsimit të Lartë, e cila do të zhvillohet për financimin e universiteteve dhe thelbin e kësaj reforme që do të iniciohet pikërisht duke u bazuar në performancën e universiteteve. Mendoj, se bazimi në performancën e universiteteve do të ndikojë fuqishëm dhe se do të gjenden rrugët e duhura që Ministria e Arsimit dhe Sportit, apo qeveria shqiptare do të alokojë buxhetet e duhura në fund të fundit për universitetet shqiptare.

Çmendim keni ju për reformën financiare që pritet të implementohet në Arsimin e Lartë shqiptar në bazë të performancës?

Reforma Financiare në Arsimin e Lartë në Shqipëri përbën një hap mjaft të rëndësishëm për një fizionomi të re të procesit të edukimit në shoqërinë shqiptare. Duke qenë se çështjet financiare vazhdojnë të jenë një nga elementët kyç të zhvillimit të institucioneve të arsimit të lartë publik, por edhe të arsimit të lartë privat, çdo ndërhyrje apo ndryshim në këtë aspekt, duhet të jetë i menduar mirë, me qëllim që jo vetëm të mos cenojë ecurinë normale të IAL-ve, por edhe ta nxisë e rrisë cilësisht atë. Strategjia mbi reformën financiare është e nevojshme t’i referohet një numri faktorësh që ndikojnë në vetë ekzistencën e institucioneve të arsimit të lartë, qoftë publik apo edhe privatë, duke tentuar drejt krijimit të modeleve referuese, të cilat do të mund të përcaktonin kriteret lidhur me financimin publik apo skemat e mundshme të këtij financimi. Performanca e IAL padyshim që përbën një koncept për t’u mbështetur në këtë reformë. Sigurisht, modelet do të duhej të krijonin hapësira për individualitete, në rastet kur këto individualitete kanë të bëjnë ngushtësisht me vetë qëllimin dhe funksionin e një IAL. Këto individualitete do të mund të përfshiheshin në skemën e financimit qoftë edhe si raste përjashtimore, apo raste me prioritet të veçantë.

Më konkretisht, cili duhet të jetë modeli i financimit për Universitetin e Arteve?

Universiteti i Arteve nga pikëpamja e organizimit të procesit mësimor metodik e krijues ndryshon nga universitetet e tjera për vetë specifikat që ka një shkollë arti. Universiteti i Arteve çdo vit pranon një numër të kufizuar studentësh dhe kjo për disa arsye: Së pari, një shkollë arti nuk mund të hapet për të gjithë, por vetëm për të talentuarit; Së dyti, tregu i punës në fushën e artit në vendin tonë nuk mund të përthithë një numër më të madh studentësh; Së treti, ambientet që zotërojmë nuk na krijojnë mundësi për të rritur kapacitetet e numrit të pranimeve. Ky numër i vogël i studentëve ndikon drejtëpërsëdrejti në një moment shumë të rëndësishëm të funksionimit përsa i takon realizimit të të ardhurave nga tarifa e studimit. Ne pranojmë çdo vit rreth 230 studentë në ciklin e parë dhe rreth 150 në ciklin e dytë.  Nga këto shifra mund të kuptojmë më së miri masën e realizimit të të ardhurave. Kjo, pasi në themel të pranimit të studentëve në Universitetin e Arteve qëndron cilësia në një fushë të caktuar krijuese e artistike. Pra, në parim të pranimit të studentëve ne kemi cilësinë artistike të njohur si të tillë nga një komision artistik. Kjo të çon kategorikisht në një numër të reduktuar të studentëve në këtë institucion. Universiteti i Arteve pranon numrin e mësipërm të studentëve vetëm në cilësinë e kuotave kryesore. Dhe kjo, për vetë specifikën e edukimit që bëhet në shkollën tonë, ku kandidatët i nënshtrohen konkursit të pranimit dhe nisur nga kjo, ne nuk mund të kemi studentë part-time, studentë që ndjekin studimet në distancë apo forma të tjera, të cilat aplikohen në universitetet e tjera. Një moment tjetër i rëndësishëm dhe që ndikon drejtëpërsëdrejti në financimin e shkollës është mënyra e organizimi të procesit metodik. Në shkollën tonë të artit, ashtu si në çdo shkollë tjetër të artit në botë mësimi organizohet në masën më të madhe në orë individuale dhe një përqindje shumë e pakët në orë kolektive. Një student, i cili studion për piano, violinë apo çdo instrument tjetër, mësimin e bën individual. E njëjta gjë bëhet në të shumtën e moduleve edhe në programe të  tjera studimi që në edukojmë aktorë, balerinë, etj.. Kjo do të thotë se pedagogu bën mësim me studentin individualisht, pra pedagogu dhe studenti. E kjo ka koston e vet të madhe, po të llogarisim numrin e madh të orëve të mësimit që dalin si rezultat i këtij procesi. Po ashtu për vetë specifikën kemi organizime të punës në grupe të vogla studentësh, me një numër prej 3-4 të tillë si muzika e dhomës, kuartete të ndryshme, fragmente apo pjesë teatrore që kërkojnë grupe të vogla studentësh. Ndryshe ndodh në mënyrën e organizimit të mësimit në universitetet e tjera. Një numër i madh studentësh 50, 70 apo dhe më shumë zhvillojnë mësimin me një pedagog e si rezultat kostoja financiare është shumë më e ulët. Po ashtu, një moment tjetër ka të bëjë me instrumentet apo laboratorët që kërkon procesi metodik e krijues. Psh. studentit ne nuk mund  të blejë një instrument siç është piano, kontrabasi apo dhe instrumente të tjera, të cilët janë stabël në klasa të domosdoshëm për procesin. Po e njëjta gjë mund të thuhet për regjinë e filmit apo skulpturën, ku në si shkollë duhet të sigurojmë  kamera, pika montazhi, sisteme ndriçimi, balte speciale, mermere apo gurë masive etj.. Në përllogaritjet e bëra, kostoja e një studenti të shkencave juridike, sociale apo diçka tjetër me një student të arteve është 1 me 8. Kjo kosto për një student të arteve në ciklin  e dytë të studimeve është rreth 350.000 lekë të reja në vit! Kjo shifër është mjaft e vështirë për buxhetin e një familjeje për ta përballuar. Sa i takon cikleve të studimeve që mbështeten nga skema financiare do të ishte e domosdoshme që nisur edhe njëherë nga kostoja e lartë e studimeve të shikohet mundësia e financimit në nivele më të larta për ciklin e dytë të studimeve. Ne duhet të kemi parasysh që duhet të jemi distant nga koncepti që: Nevojat kombëtare për forcë punëtore në nivel kombëtar duhet të jetë një kriter për përcaktimin e kuotave të pranimit në Universitetin e Arteve. Studimi në këtë institucion duhet t’i nënshtrohet një koncepti, i cili sa do të mbajë parasysh nevojat e tregut po aq duhet të kuptohet edhe si një investim kombëtar me impakt të jashtëzakonshëm kulturor e qytetar. Duhet mbajtur parasysh, gjithashtu, niveli maksimal i tarifës, i cili për Universitetin e Arteve duhet të bëjë një diferencë të qartë me Institucionet e tjera. Gjithashtu, këtu duhet nënvizuar që kostoja e një studenti në këtë institucion është më e lartë, pothuaj 7-8 herë më e lartë, për këtë arsye edhe mbështetja financiare e shtetit për këtë institucion duhet të jetë më e diferencuar.

Cilat janë sfidat me të cilat përballet universiteti juaj?

 Padyshim rritja e performancës apo e cilësisë së diplomës është sfida kryesore dhe në Universitetin e Arteve këtë vit ka pasur një reformim të kurrikulave në tërësi dhe ato janë diskutuar nëpër grupet mësimore, në departamente, në Këshillat e Fakulteteve dhe më pas kanë ardhur në Senat për t’u miratuar. Kjo gjë ka ndodhur, në fakt, para se të mbarojë viti i kaluar akademik pasi është një kërkesë ligjore që ato të diskutohen në muajt e parë të vitit kalendarik dhe më pas të jetë e gatshme për t’u implementuar vitin e ardhshëm akademik. Si moment të dytë, do të thoja që kjo rritje cilësie e diplomës, e kurrikulës mësimore këtu në Universitetin e Arteve varet shumë dhe nga prurjet që ne na vijnë. Jemi e vetmja shkollë që vazhdojmë t’i pranojmë studentët me konkurs dhe mendoj që kështu do të vazhdojë të jetë, sepse një shkollë arti nuk mund kuptohet ndryshe, pra ne nuk mund të hapim dyert për të gjithë. Padyshim, që kjo kërkon një cilësi të caktuar të një elementi në një moment të caktuar, pasi në fund të fundit vërtetë ne i marrim kandidatët me konkurs, por në konkurs ata shpalosin pikërisht ato njohuri dhe ato cilësi që kanë përfituar në një shkollë të mesme. I kemi pasur vërtetë të organizuara këto shkolla, por vërej se këto vitet e fundit dhe kjo gjë më ka ardhur pikërisht nga fakultetet, ku prurjet që vijnë nga shkollat e mesme nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Së treti, mendoj se një nga sfidat e Universitetit të Arteve janë investimet. Ka kohë që në Universitetin e Arteve investimet janë të vogla, duke diskutuar gjithmonë në princip që universitetet të investojnë me të ardhurat. E kam thënë dhe vazhdoj ta them, që të ardhurat në një institucion të vogël me një grup studentësh të atillë sa kemi ne, janë të pakta. Absolutisht, në këtë vit buxhetor që po mbyllim, unë mund t’ju them që nga Ministria e Arsimit ne kemi marrë vetëm pagat dhe gjithçka tjetër Universiteti i Arteve i ka përballuar vetë, me tarifat e studentëve ku dhe rreth 93 për qind e të ardhurave që grupon Universiteti i Arteve i marrin pedagogët e jashtëm, sepse kemi shumë pedagogë të jashtëm që japin mësim si rezultat i specifikës që ka shkolla jonë. Ne kemi shumë orë individuale, orë të tëra individuale, sepse mësimi bëhet individual, pra një student punon individualisht me një pedagog. Ne, përsa i takon investimeve, kemi paraqitur projekte me grupe arkitektësh profesionistë të mirëfilltë, që kanë të bëjnë me një detyrë projektimi të Universitetit të Arteve me investime dhe me ndërhyrje deri në detaje të kësaj godine, e cila ka mbi 70 vjet që nuk ka njohur rikonstruksione dhe që është dhe një monument kulture. Në fund të fundit nuk është vetëm në dobinë e Universitetit të Arteve, por edhe të vetë komunitetit të Tiranës, si një qendër arti, sepse në Universitetin e Arteve, ne, çdo natë kemi koncerte, kemi disa salla të cilat kërkojnë mirëmbajtje. Gjithçka mbahet në këmbë falë investimeve tepër të vogla që ne bëjmë me to me të ardhurat tona.

Po përsa i përket akreditimit?

Normalisht, e mirëpresim akreditimin. Ka vite që diskutohen këto probleme, po nuk është se është hedhur një hap konkret. Nga takimi me Ministren e Arsimit, di që është kontaktuar me një agjenci të huaj dhe shumë shpejt do të vazhdojë ky akreditim. Akreditimi është një proces i domosdoshëm për të treguar se ku jemi si universitet, se ç’nivel përfaqësojmë dhe çfarë do të ofrojmë nesër për të rinjtë që kërkojnë të edukohen në një program studimi të caktuar.