Prof. Petrit Malaj: Nëse nuk merr të paktën 60 pikë në konkurs, s’kualifikohesh, edhe nëse ka kuota të lira

581
Sigal

INTERVISTË/ Prof. Petrit Malaj, Rektor i Universitetit të Arteve: 264 kuota për 343 konkurrues

Në datën 27 gusht mbaroi regjistrimi i kandidatëve që duan të konkurrojnë për të qenë studentë në Universitetin e Arteve. “Në total kemi 328 kandidatë nga Shqipëria,14 nga trojet dhe kemi 1 për program të dytë studimi, pra gjithsej janë 343 kandidatë për studimet “Bachelor” për vitin akademik 2013-2014. Këta 343 kandidatë do të konkurrojnë për 264 vende, të vendosur me Vendim të Qeverisë”, shprehet në një intervistë për “Telegraf”, Prof. Petrit Malaj, Rektor i Universitetit të Arteve. Prof. Malaj tregon se, konkursi është i vetmi që përcakton marrjen e statusit “Student i Universiteteve të Arteve”. Limiti i pikëve që duhet të marrë një kandidat nga konkursi është 60 pikë dhe pa këtë minimum, kandidati e humbet të drejtën për të qenë student i Arteve, edhe nëse ka kuota të lira. Gjithashtu, Malaj i bën thirrje konkurrentëve që të mos miklohen nga njerëz të paskrupull për ta marrë shkollën në forma të tjera. Vetëm talenti përcakton fituesit, -pasi siç thotë Malaj,-“talenti futet vetë, pa trokitur”.

Profesor Malaj në datën 27 gusht u mbyllën regjistrimet për kandidatët që duan t’i nënshtrohen konkursit për të qenë pjesë e Universitetit të Arteve në Tiranë. Sa të regjistruar ka gjithsej dhe cila degë rezulton më e kërkuara?

Tashmë, Universiteti i Arteve ka vite e vite të tëra që vazhdon të jetë në traditën e tij, në një prej momenteve më të rëndësishme të punës pedagogjike, krijuese, administrative tonën, që është pikërisht konkursi i pranimit të kandidatëve për vitin e ri akademik. Mund të them që, janë përgatitur dhe janë marrë të gjitha masat që konkursi për vitin akademik 2013-2014 të zhvillohet brenda parametrave të duhura, të zhvilluar në bazë të Vendimeve të Qeverisë, të Udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, gjithashtu, edhe të urdhrave që kemi nxjerrë ne si Rektorat i Universitetit të Arteve. Gjithçka, që ka qenë parashikuar në detyrat e domosdoshme për të realizuar ne si institucion, tashmë i kemi bërë; që nga rregulloret e konkurseve, të cilat kanë kohë që janë bërë, që nga kuotat që janë pranuar me Vendim Qeverie apo emrat e kandidatëve të regjistruar, të cilët kanë shprehur dëshirën dhe kërkojnë që të jenë e nesërmja e artit shqiptar (të gjitha këto të publikuar dhe në faqen tonë të internetit). Viti akademik 2013-2014 ka një numër pak më të madh kandidatësh të regjistruar se viti 2012-2013. Nga ana tjetër, mund të them që në të gjitha programet e studimit kemi kandidatë, pra nuk kemi ndonjë program studimi që nuk ka kandidat për të konkurruar, pavarësisht anës speciale që ka institucioni ynë. Ta konkretizojmë, ka instrumente të ndryshëm në Fakultetin e Muzikës, ku regjistrohen kandidatë me numër të kufizuar, deri në tre maksimumi, sepse i atillë është dhe instrumenti, unikal. Nuk mund të kemi regjistrime masive siç vijnë për shembull në violinë, apo në piano, apo në kanto, ku padyshim ka dhe një numër më të madh konkurrentësh për të fituar të drejtën e hyrjes në Universitetin e Arteve. Unë ju jap disa shifra, që tashmë, janë përfundimtare: Në Fakultetin e Muzikës, nga Shqipëria janë regjistruar 141 kandidatë, po ta marrim në konsideratë të regjistruarit nga trojet apo dhe për program të dytë studimi, bëhen gjithsej 145 kandidatë. Te Fakulteti i Arteve të Bukura kemi 86 kandidatë nga Shqipëria, nga trojet janë 7 të tjerë dhe gjithsej bëhen 93 kandidatë në dy programet e studimit për Pikturë dhe Skulpturë. Te Fakulteti i Artit Skenik, për 5 programet e studimit, kemi 102 kandidatë nga Shqipëria, nga trojet kemi 4 të tillë dhe numri shkon në 105. Në total kemi 328 kandidatë  nga Shqipëria dhe 14 nga trojet dhe kemi 1 për program të dytë studimi, pra gjithsej, janë 343 kandidatë për studimet “Bachelor” për vitin akademik 2013-2014. Këta 343 kandidatë do të konkurrojnë për 264 vende. 264 janë në total kuotat, që janë vendosur me Vendim të Qeverisë. Në fakt 227 kuota kemi për kandidatët nga Shqipëria dhe 37 kuota nga trojet, ku dhe vëmë re një numër më të paktë të kandidatëve të regjistruar për konkurs se kuotat.

Atëherë, kur numri i të regjistruarve është më i vogël se kuotat, mos do të thotë që mund të hyjnë automatikisht pa konkurs?

Jo, absolutisht, edhe sikur numri i atyre që janë regjistruar për konkurs në Universitetin e Arteve të ishte më i pakët se i kuotave të miratuara me Vendim Qeverie, edhe atëherë, nuk do ta kishin të drejtën automatike për të hyrë. Kjo mund të ndodhë në universitete të tjera, por jo në Universitetin e Arteve. Pra, nuk futen automatikisht, pasi në thelb të punës, në thelb të së nesërmes të një studenti të Universitetit të Arteve është konkursi dhe për këtë gjë, ka vendime të posaçme, ka udhëzime të ministrit, ka statut. Pra, kjo parashikohet në statutin e Universitetit të Arteve dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me ecurinë e mëtejshme të universitetit. Në këtë sens, një moment tjetër që konkurrentët e dinë, por që mua do të më pëlqente të theksoja, është dhe vlerësimi me pikë i kandidatëve. 70 % e totalit të pikëve janë pikët që vendosen nga specialistët e konkursit dhe 30 % e totalit të pikëve janë si rezultat i Maturës Shtetërore. Me 30 % e pikëve ne s’kemi të bëjmë fare, ne kemi 70 % e pikëve, që do të thotë 210 pikë janë maksimale që mund të marrë një kandidat që paraqitet para një komisioni në një program studimi. Ndërsa, nëse ai ka notën mesatare 10, atëherë ai merr 90 pikë nga Matura dhe 210 nga konkursi kështu ai merr 300 pikë, pra totalin e pikëve. Pikët që ka çdo kandidat nga Matura, i shton Agjencia Kombëtare e Provimeve, pasi ne dërgojmë rezultatet e konkursit. Pra ne vendosim vetëm pikët e konkursit, ne nuk shpallim fitues, ne bëjmë vetëm renditje, në bazë të cilësisë së paraqitjes së secilit kandidat, nga 210 pikë e më poshtë. Është e rëndësishme që kandidatët të kenë të fiksuar mirë një gjë: Në rast se, një kandidat nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit, ai nuk fiton të drejtën e studimit e përcaktuar kjo dhe në Udhëzimin e ministrit të Arsimit, Udhëzimi nr. 17, dt.17.07.2013. Në një tabelë përkatëse Ministria e Arsimit ka miratuar pikët minimale që i duhet të fitojë një konkurrent për një program studimi. Pra, nëse një kandidat nuk fiton minimalisht 60 pikë, ai nuk mund të jetë më kandidat për student i Universitetit të Arteve. Prandaj, thashë pak më parë, se jo kushdo dhe po të ishte numri më i vogël i kandidatëve se kuotat, mund të hynte në këtë universitet. Kështu që specialistët në komisionet përkatëse në Universitetin e Arteve pa dyshim që kandidatëve, individëve që nuk paraqesin nivel apo kanë ardhur të papërgatitur, apo përfaqësojnë një nivel të ulët dhe të dobët, në rast se do të vendosen poshtë 60 pikëve nga komisioni përkatës, atëherë ai nuk mund të diskutohet më për të hyrë në Universitetin e Arteve. Flas për këtë vit akademik, ai mund të konkurroje vitin tjetër, po për këtë vit ai nuk mund të bëhet më student i Universitetit të Arteve.

Atëherë ç’do të ndodhë me kuotat e lira nëse shumë nga këta të regjistruar nuk marrin minimumin e pikëve për të qenë student në Universitetin e Arteve?

Në përgjithësi ne nuk na shqetëson mbushja e kuotave domosdoshmërisht, mua më shqetëson prurja që vjen në universitete, më shqetëson cilësia e atyre që vijnë në universitet. Në fund të fundit ne pedagogët, kolegët e mi, apo dhe gjithë stafi këtu, pa dyshim që interesin numër një kemi pikërisht këtë, këtu të hyjnë të talentuarit, ne të kemi të bëjmë me djem e vajza që të inspirojnë, të provokojnë, të ngacmojnë me performancën e tyre, me atë çka ata japin këto ditë të konkursit të na bëjnë me dije që nesër ne do të kemi përballë djem e vajza të talentuar, me të cilët do të punojmë. Që do të thotë, që ne nuk kemi detyrim, pra unë nuk e quaj detyrim që Universiteti i Arteve t’i plotësojë kuotat. Kjo është një shkollë që ka në thelb konkursin, e ka pasur dhe do ta ketë konkursin, nuk mendoj se do të hiqet konkursi në një shkollë arti, pasi në përgjithësi kjo gjë ndodh në të gjitha shkollat e botës. Pra, në art hyhet me konkurs, kudo ke konkurs, gjithmonë ke festival, gjithmonë ke performancë për të bërë, pra gjithmonë do ndodhesh përballë shikimit të mijëra e mijëra syve, ku padyshim, kur të jesh artist, jeta është e tëra një konkurs. Pra, në këtë sens, nuk e shoh me shqetësim mbushjen domosdoshmërisht të kuotave.

Ju keni shumë degë dhe çdo degë ka specifikën e vet. Por në sa faza zhvillohet konkursi në përgjithësi?

Ne së bashku sot nuk mund ta trajtojmë me detaje këtë gjë, por unë do të them 2 gjëra: E para, konkursi është përcaktuar të zhvillohet nga data 2 deri në datën 6 shtator, dhe pa dyshim që do të mbyllet në 6 shtator, se ne jemi universiteti që do të çojmë listat përfundimtare në AKP dhe më pas ata kalkulojnë pikët për të shpallur fituesit në të gjithë universitet shqiptare. Kjo na vë përballë një detyrimi për të punuar në ritmin e duhur, në cilësinë e duhur dhe të përmbushim dhe afatin e duhur, që është i përcaktuar në urdhrin e ministrit, por secili program studimi ka specifikat e punës së vet. Për të folur për specifikat e mënyrës së ndërtimit të konkursit për secilin program studimi do të duheshin orë të tëra, por unë po ju them që ditën e parë në datën 2 shtator, pa dyshim që orientimet do të jepen nga fakultetet përkatëse, Dekanët kanë marrë udhëzimet e duhura për këtë gjë, janë bërë takimet e nevojshme bashkë me shefat e departamenteve dhe më pas gjithçka do të rrjedhë natyrshëm. Ne, tashmë, kemi një traditë për këtë gjë, unë mendoj se, asgjë nuk i është lënë rastësisë, gjithçka është e koordinuar dhe e mirëbashkëpunuar në themel me secilin fakultet. Gjithë këto ditë kam organizuar takime me dekanët, me administratorët, kam shkuar vetë i kam shkelur dhe kam prekur çdo ambient, ku do të bëhet konkursi, për t’u siguruar atmosferën e duhur të gjithë kandidatëve, që të shpërfaqen maksimalisht këto ditë. Për shembull, mund t’ju them që Piktura i ka të domosdoshme tre ditë konkursi, sepse ata do të punojnë 5 orë për tre ditë rresht dhe më pas komisioni do të fillojë punën, sepse kanë paraqitje të punëve që bëjnë, por dhe paraqitje të formimit të tyre teorik. E njëjta gjë ndodh edhe tek kolegët e aktrimit, është një numër i konsiderueshëm kandidatësh që do paraqiten, besoj për tre ditë ata do të mbarojnë se do të punojnë paradite dhe pasdite, të cilët paraqiten në bazë të një radhe, të vendosur nga komisioni. Por kandidatët do të paraqiten patjetër të gjithë në datën 2 shtator. Do të marrin orientimet e duhura dhe më pas do të lihen oraret, sepse as ne nuk kemi interes që t’i rraskapitim njerëzit, t’i lodhim. Ose te Fakulteti i Muzikës, për shembull, ditët e para do bëhen disa teste teorike të sekretuara që janë për harmoninë dhe solfezhin, të ndara posaçërisht për të dy departamentet, por e gjitha është e koordinuar, e gjitha është e vendosur. Ndërkohë, unë kam nxjerrë një urdhër për një grup të posaçëm monitorimi nga Rektorati, sikurse ka nxjerrë dhe ministri i Arsimit një urdhër për një grup të posaçëm të monitorimit të konkursit.

A janë përcaktuar se kush do të jenë pjesë e komisioneve të vlerësimit?

Përsa i takon komisioneve të vlerësimit, në statutin e Universitetit të Arteve është e përcaktuar që anëtarët zgjidhen nga dekanët e fakulteteve, është përgjegjësi e tyre për të përcaktuar komisionet. Nga ana tjetër, komisionet përcaktohen nga procedurat që ka çdo program studimi. Për shembull, për disa programe studimi komisionet do të përcaktohen të hënën në mëngjes. Pedagogët do të vijnë të gjithë në punë, do të njoftohen ata që do të jenë në komision do të qëndrojnë, kurse të tjerët do të vazhdojnë në punët te tyre që kanë në universitet. Po kjo nuk ndodh me të gjithë, për shembull, te Piktura shpallet komisioni ditën e fundit të mbarimit të konkursit dhe ai komision fillon e vlerëson punimet, të cilat janë të sekretuara. Pra, nuk shpallen të gjitha komisionet atë ditë, mund të shpallen një ditë më pas. E rëndësishme është që në momentin e duhur komisioni do të jetë i shpallur. Unë kam dhënë porosi të veçantë që anëtarët e komisioneve pa dyshim të jenë titullarë të lëndëve, të jenë personalitete të shkollës sonë, të jenë njerëz, të cilët shprehin jo vetëm dinjitet e etikë, profesionalizëm, por që të zotërojnë dhe tituj shkencorë, pra të kemi komisione që të mirëfunksionojnë dhe të bëjnë përzgjedhjen e duhur.

Dhe së fundi, përsa i përket hapësirave, ku do të zhvillohen konkurset?

Të gjitha konkurset e pranimit për Universitetin e Arteve do të zhvillohen në ambientet tona. Unë kam shkresat e fakulteteve përkatëse dhe ju thashë dhe pak më parë, që kam shkuar vetë dhe kam parë ambientet se ku do të zhvillohen konkurset. Pra do të zhvillohen në ambientet e secilit fakultet, në koordinim do të jetë dhe biblioteka e Universitetit të Arteve, e cila është e nevojshme për momente të ndryshme të konkursit, pra të gjitha sallat, të gjitha atelietë, gjithçka  është e përcaktuar në urdhrat e posaçëm të dekanëve të fakulteteve, do të jetë në funksion të konkurseve të pranimit të Universitetit të Arteve.

Thirrja e Rektorit Malaj për konkurrentët: Mos u mikloni nga matrapazët!

Unë do t’u bëja një thirrje të gjithë konkurrentëve që janë  kandidatë për të qenë nesër studentë në Universitetin e Arteve. Gjithçka, i siguroj, është në dorën e tyre. Di, që performanca, paraqitja me dinjitet e gjithçkaje  që ata kanë bërë deri më sot, për të bërë të mundur që nesër të jenë studentë në Universitetin e Arteve është në dorën e tyre. I siguroj që specialistët që do kenë përballë, pa dyshim, do u krijojnë atmosferën e duhur që ata të jenë absolutisht të çliruar, të mos ndodhen para një ankthi, para një momenti shumë të vështirë në jetën e tyre, një moment delikat (po të kujtoj veten time, pa dyshim që e kam patur një moment delikat), deçiziv, sepse vendos të nesërmen e tyre. Rëndësinë secili kandidat ia ka dhënë që me zgjedhjen që ka bërë, pra ai ka zgjedhur një fushë, e cila, në fakt, nuk është aspak e lehtë, e cila kërkon shumë mund, shumë punë, shumë djersë, shumë pasion. Po nga ana tjetër, unë doja t’u them të gjithëve, të bëjnë kujdes që ata të shikojnë  vetëm performancën e tyre që të paraqiten sa më denjësisht. Të bëjnë kujdes nga njerëz të ndryshëm, të cilët mund t’i miklojnë, sot në realitetin shqiptar ne dëgjojmë fjalë, dëgjojmë shumëçka, por mua më takon, jo se jam Rektor i Arteve këtu në Tiranë, t’u bëj thirrje studentëve, por sidomos prindërve mos të bëjnë gabimin më të madh që të aludojnë për të futur në shkollë fëmijët e tyre në forma të tjera. Ky është një dëm që i bëjmë fëmijëve, i mësojmë keq fëmijët, ky është një dëm që i bëni familjes suaj, ky është një dëm i madh për atë person, i cili e finalizon këtë proces, që në fund të fundit është një person pa dinjitetin e duhur, pa etikën e duhur dhe mund t’i vë dhe 100 emra të tjera nga pas. Në rast se personalisht do kem sinjale që do aludojnë për gjera të tilla, absolutisht që unë do të marr masat e mia, por unë jam përpjekur me stafin që të siguroj një mbarëvajtje të konkursit në parametra mëse të mirë. Nëse fëmija ka punuar, e siguroj që do të hyjë në shkollë, se ai që është i talentuar, e hap derën vetë, nuk troket fare, ai hyn vetë. Ai që nuk është i talentuar nuk ka ç’e do këtë shkollë, absolutisht, nëse s’ka të dhëna nuk pse të hyjë në Universitetin e Arteve, humbet vite, humbet ai vetë, humbet shpresën për nesër humbet familja qoftë në marrëdhënien me fëmijën, qoftë në anën materiale. Pra kjo është një shkollë që tenton dhe përpiqet të të edukojë dhe të të japë ato piketat e duhura që ti nesër të jesh një krijues, instrumentist, një aktor, piktor apo skulptor. Por në asnjë mënyrë kjo gjë nuk bëhet me dhunë, në asnjë mënyrë kjo punë nuk bëhet me sforco, apo me të tretë, apo me të katërt. Kjo bëhet me dashuri, me pasion, me dëshirë dhe me disa të dhëna që pa dyshim duhet t’i keni.