Prof.Mynyr Koni: Nota mesatare e bachelor-it, kriter bazë për master

2314
Sigal

Intervistë/ Prof.Mynyr Koni, Dekan i Shkencave të Natyrës: Jo më orar të stërzgjatur, falë godinës së re

Kriteri bazë në përzgjedhjen e kandidatëve për studime në master në fakultetin e Shkencave të Natyrës, është nota mesatare e studimeve bachelor. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf”, prof. dr. Mynyr Koni, Dekan i fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, i cili më tej tregon se prioritet kanë studentët e fakultetit të Shkencave të Natyrës “në mundësimin e vijueshmërisë së studimit në ciklin e dytë të studimeve, natyrisht sipas kualitetit të tyre”. Gjithashtu,  Koni shprehet edhe për doktoraturat dhe mënyrën sesi përzgjidhen kandidatët. Por nuk lihen pas dore në këtë intervistë edhe studentët që do të ulen për herë të parë në auditoret e këtij fakulteti. Koni tregon për risitë e këtij viti akademik dhe ambientet e reja që do të mirëpresin studentët e vitit të parë të bachelor-it.

 Kanë dalë kuotat për master shkencor dhe profesional. A janë miratuar në përputhje me kërkesat që ju keni bërë dhe si përzgjidhen studentët që duan të vazhdojnë master?

Faleminderit për mundësinë që më jepni për t’u shprehur në lidhje me pranimet në ciklin e dytë të studimeve. Nga vëzhgimet që kemi bërë me propozimet të bëra nga Këshilli i fakultetit dhe Senatit të Universitetit të Tiranës, kemi përputhje perfekte midis kuotave të propozuara dhe atyre të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Këtë planifikim ne e kemi bërë duke u bazuar mbi mundësitë e studentëve bachelor, që mbarojnë këtë vit akademik, pse jo dhe nga studentët që mund të vijnë nga institucione të tjera të arsimit të lartë. Kriter bazë që kemi për përzgjedhjen e kandidatëve është nota mesatare e studimeve bachelor, pastaj kemi lëndët specifike nëse kemi raste kandidatësh me vlera të njëjta. Prioritet ne u japim studentëve të fakultetit të Shkencave të Natyrës për t’iu mundësuar vijueshmërinë e studimit në ciklin e dytë të studimeve, natyrisht sipas kualitetit të tyre. Në ciklin e dytë ne administrojmë dy tipe programesh, kemi masterin e shkencave në pothuajse 15 programe studimi dhe masterin profesional. Natyrisht që studentët me kualitet më të lartë shkojnë në masterin e shkencave, kurse ata me kualitet më të ulët shkojnë në master profesional, duke i mundësuar të gjithëve mundësinë për të vazhduar ciklin e dytë të studimeve.

Po përsa i përket tarifave që studentët duhet të paguajnë për ciklin e dytë të studimeve?

Propozimet tona për tarifat janë pothuajse identike me ato të vjetshmet. Në masterin e shkencave tarifa e propozuar nga ne është 1200 lekë për kredit, ndërsa në masterin profesional varion nga 850-900 lekë për kredit. Kuptohet që viti akademik ka 60 kredite, kështu që i bie 70 mijë lekë në vit ndërsa për dy vite është 140 mijë lekë, ndërsa masterin profesional ne e kemi 90 kredite që shkojnë rreth 100 mijë lekë për 1 vit e gjysmë.

Po përsa i përket doktoraturave sa kuota keni propozuar ju dhe a ka pasur kërkesa?

Ne kemi përfunduar në muajin qershor periudhën e regjistrimeve të doktoraturës për vitin akademik 2012-2013. Dhe nga rreth 116 kuota, në mos gaboj, ne kemi realizuar 100-101 kuota, i bie afërsisht gati 90%. Për vitin e ardhshëm akademik 2013-2014 ne akoma nuk kemi propozuar, shpresojmë që me kërkesë të Ministrisë së Arsimit dhe Rektoratit ndoshta nga muaji tetor ose nëntor ne bëjmë propozimet tona. Sigurisht që ne do t’i mbajmë aktive programet e studimit, ne kemi 11 programe të doktoraturës në fakultetin e Shkencave të Natyrës, të ndarë në drejtime të ndryshme dhe numri që propozojmë ne në përgjithësi, varion nga 5-10, një numër i kufizuar, brenda programit se ka dhe drejtime, duke i dhënë përparësi gjithmonë kualitetit, suportimit të institucionit të arsimit të lartë, të institucionit kërkimor, pse jo dhe individualisht për ata që kërkojnë të studiojnë. Gjithashtu, ne rëndësi dhe suport i japim dhe institucioneve publike të trojeve, siç është Universiteti i Kosovës, i Tetovës, studiuesve të ndryshëm në institucione kërkimore nga trojet, për t’u mundësuar dhe kualifikimet e tyre. Natyrisht që ata kanë kuota më vete, në përgjithësi ka 1 apo 2 në çdo program studimi, por sipas rastit kur plotësojnë standardet akademike, të vendosur nga Këshilli i Profesorëve, ne për kompetencë që na jep vendimi i Këshillit të Ministrave për mosrealizim në një drejtim, mund t’i kalojmë në një drejtim tjetër. Kështu  që do të ishte në një moment të dytë për të dhënë një informacion më korrekt për propozimet në lidhje me doktoraturat.

Po përsa i përket kritereve të përzgjedhjes?

Kriter bazë edhe në ciklin e tretë të doktoraturës është nota mesatare. Kriter tjetër është kualifikimi i kandidatit në fushën përkatëse të studimit, aktiviteti  botues i tij. Këto janë kriteret bazë. Ne deri tashmë kemi operuar me një sistem të caktuar, duke i dhënë pothuajse afërsisht 50 % të pikëve, mesatares. Tani kemi dy modele të pranimit të studentëve: Kemi studentë që paraqiten me diplomën Master i Shkencave, sipas sistemit të ri të studimeve, por kemi dhe studentë që paraqiten me diplomën e integruar 4 apo 5 vjeçare. Natyrisht, ne prioritet u japim studentëve që kanë studiuar në fakultetin e Shkencave të Natyrës, sipas programit përkatës me një koeficient të caktuar. Edhe të gjithë studimet që janë realizuar jashtë shtetit në universitete të ndryshme perëndimore, apo përtej kontinentit, i trajtojmë të barabartë si studentët e fakultetit tonë, duke u dhënë përparësi dhe atyre. Të tjerëve, në mënyrë relative, sipas koeficienteve. Këtë vit do të shkojmë në një stad tjetër, të shohim sesi do të jetë, duke qenë se sistemi universitar është ndarë në tre cikle dhe në bazë të ligjit detyrim është master i shkencave. Ne i japim përparësi dhe bachelor-it, pra atë sistem pikëzimi e ndajmë në pjesë, në ciklin e dytë dhe në ciklin e parë. Në fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe në përputhje me rregulloren e Universitetit, si kriter ka qenë nota 8 e lart, pastaj është bërë klasifikimi i tyre sipas koeficienteve përkatës.

Ka akoma paqartësi për sa i përket masterit që duan të vazhdojnë studentët që kanë mbaruar sipas sistemit 4 vjeçar. Në kuotat që janë miratuar tashmë, a përfshihen dhe këta studentë?

Në bazë të Ligjit të Arsimit të Lartë, në mënyrë të veçantë, në mos gaboj, Neni 99, të gjitha diplomat 4 dhe 5 vjeçare janë njohur nga ligji me titullin “Master i Shkencave”. Në këtë kuadër, këta studentë që kanë mbaruar, nuk privohen për të vazhduar një diplomë tjetër të ciklit të dytë por që në këtë rast do të quhen kuota dytësore, për të cilën ata paguajnë tarifën e plotë të shkollimit. Kuotat që janë miratuar, janë kuota për program të parë, por me siguri që janë parashtruar edhe kuota për program të dytë dhe për transferime, të cilët menaxhohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, (më fal, tashmë Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, të shohim strukturën e re të qeverisë së re) dhe shpërndarja e tyre bëhet mbi bazën e propozimeve të institucioneve të arsimit të lartë. Shpresoj që regjistrimet do të fillojnë në fund të shtatorit dhe ne do t’i shpallin në ambiente publike, se kur fillon ky proces. Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka një risi në raport me fakultetet e tjera, se aplikimet bëhen on-line që kudo që të ndodhen të interesuarit të kenë mundësi të regjistrohen. Pastaj shpallen fituesit dhe duhet të sjellin dokumentat fizikisht, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit.

Ju tashmë jeni në pritje të studentëve të rinj që vijnë në bachelor. A keni ndonjë indicie për kërkesat në drejtim të fakultetit tuaj?

Ne nuk kemi asnjë lloj informacioni zyrtar në lidhje me kualitetet që priten të vijnë në fakultetin e Shkencave të Natyrës sipas programeve të studimit. Ajo që mund të them, në një studim të pjesshëm që kemi bërë për pranimet në vitin e kaluar 2012-2013, në degët pak të vështira në fakultetin tonë siç është Matematika, ne kemi pasur një rritje të kualitetit qoftë në mesataren e pranimit, qoftë edhe në preferencë, që do të thotë që kandidati vjen me dëshirë. Për këtë vit nuk kemi informacione, kemi parë librin e transparencës si çdo qytetar tjetër, po ai është thjesht për t’u konsultuar kandidati me vlerësimin e tij dhe menjëherë në datën 18 shtator, sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, kur të na vijë database nga AKP, ne mund të japim një informacion real mbi preferencat që kanë mbi fakultetin tonë, por edhe mbi kualitetet e tyre.

Risitë e fakultetit të Shkencave të Natyrës për këtë vit akademik

Me shumë kënaqësi deklaroj që viti i ri akademik 2013-2014, fakulteti i Shkencave dhe Natyrës e nis me një situatë shumë solide, falë kontributeve të gjithë administratës së fakultetit, të Këshillit të fakultetit, Rektoratit, Senatit. Ne kemi arritur të ngremë një godinë 6 katëshe, me 6 salla 130 vendëshe, ku brenda shtatorit përfundon dhe mobilimi i tyre. Nga kjo, ne do na krijohet mundësia për zhvillimin korrekt të proceseve mësimore. Godina e re, përveç kushteve, ka dhe një sistem kondicionimi qendror, ngrohje dhe ftohje me parametra ndërkombëtarë. Së dyti, fakulteti i Shkencave të Natyrës vjen përsëri me një pasuri të madhe, me një godinë të re të Muzeut të Shkencave të Natyrës, moderne, me të gjitha standardet dhe shumë shpejt presim, brenda muajit ndoshta, të bëjmë dhe inaugurimin e tyre. Nga ana tjetër, për herë të parë, fakulteti është pajisur me sistemin e perdeve moderne, të cilit i ka munguar për të krijuar atë errësimin që duhet për mjediset etj. etj. Në raport me vitin paraardhës jemi në gjendje shumë të mirë. Dhe shpresojmë me këto mjedise që ofrojmë, ne të bëjmë një orar më të manovrueshëm për studentët dhe pedagogët, pasi vjet mësimi vazhdonte deri në orën 22.00 të mbrëmjes, kurse këtë vit shpresojmë që të paktën leksione pas orës 17.00 të mos kemi.