Prof. Malaj konkurrentëve: Ja çfarë duhet të keni parasysh ditën e konkursit

470
Sigal

URDHRI/ Masat për zhvillimin e konkurseve të pranimit për studimet “Bachelor” në Universitetin e Arteve

Një shtatori do të shënojë dhe fillimin e konkurseve të pranimit për studimet “Bachelor” në Universitetin e Arteve të Tiranës. Ndërsa kandidatët për studentë të Arteve janë ende në procesin e regjistrimeve, proces i cili përfundon në orën 12.00 të datës 28 gusht, sekretaritë janë në proces verifikimi të emrit të çdo kandidati me listat e zbardhura nga AKP për të nxjerrë në datën 29 gusht listat përfundimtare me emrat e konkurrentëve të regjistruar. Në Universitetin e Arteve të Tiranës rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 30% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70%. Kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit (maksimale 240 pikë dhe minimale 60 pikë), në programin ku ka konkurruar, sipas përcaktimit për program studimi, nuk fiton të drejtën e studimit. Gazeta “Telegraf” zbardh për të gjithë të interesuarit urdhrin e firmosur nga rektori i Universitetit të Arteve, prof. Petrit Malaj për masat e marra në zhvillimin e konkurseve të pranimit për studimet e ciklit të parë të studimeve 2014-2015.

URDHRI

1. Pranimet në të gjitha programet e ciklit të parë të studimeve me kohë të plotë në Universitetin e Arteve, për vitin akademik 2014-2015, të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe rezultateve të fituara në konkursin e pranimit, të organizuar nga fakultetet e UART.

2. Në Universitetin e Arteve rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 30% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70%.

3. Pikët maksimale që mund të fitojë një kandidat në konkurrim në një nga programet e studimit të UART janë të përcaktuara në Udhëzimin Nr. 20, datë 06.08.2014 të MAS.

4. Kandidati i cili nuk arrin të fitojë pikët minimale të përcaktuara në Udhëzimin Nr. 20, datë 06.08.2014 të MAS, në programin e studimit për të cilin konkurron, nuk fiton të drejtën e studimit.

5. Konkurset e pranimit në UART do të zhvillohen nga data 01 shtator 2014 deri në datën 05 shtator 2014.

6. Tarifa e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit, në të gjitha programet e studimit në Universitetin e Arteve është 5.000 (pesë mijë) lekë.

7. Tarifa e regjistrimit për konkurrim në programet e studimit të ciklit të parë në UART, të arkëtohet nëpërmjet sistemit bankar ose zyrave të Postës Shqiptare, për llogari të UART.

8. Fakultetet e Universitetit të Arteve të kenë bërë publike rregulloret dhe programet e konkurseve, jo më vonë se data 08 gusht 2014. Po ashtu Rregulloret e konkurseve të jenë të publikuara edhe në faqen zyrtare të UART.

9. Regjistrimi i kandidatëve për konkurset e pranimit të bëhet pranë sekretarive të Fakulteteve të UART duke filluar nga data 21 gusht 2014, deri në orën 12.00 të datës 28 gusht 2014. Sekretaritë mësimore të fakulteteve në UART, të kryejnë veprimet e regjistrimit të kandidatëve për konkurrim nga ora 08:00 deri në orën 18:00.

10. Regjistrimi i kandidatëve bëhet duke u bazuar në listën e dërguar nga AKP për të gjithë kandidatët që kanë plotësuar formularin A2.

11. Kandidatët që përfitojnë nga kuotat e akorduara për Shqiptarët jashtë kufijve të vendit, të verbrit, Romët dhe Ballkano-Egjiptianët, invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë, jetimët, shtetasit e huaj si dhe kandidatët që aplikojnë për program të dytë studimi apo transferim studimesh, që do të marrin pjesë në konkurset e pranimit për programet e studimit të ofruara nga UART, aplikojnë drejtpërdrejt pranë sekretarive të Fakulteteve në Universitetin e Arteve.

12. Regjistrimi i kandidatit bëhet nëpërmjet një mjeti identifikimi personal:

I. Për kandidatët shtetas të Republikës së Shqipërisë regjistrimi bëhet me paraqitjen e kandidatit i cili duhet të tregojë dokumentin e indetifikimit personal (kartë identiteti ose pasaportë për jashtë shtetit) si dhe vërtetimin e pagesës së tarifës së regjistrimit në favor të UART;

II. Për kandidatët nga trojet regjistrimi bëhet me paraqitjen e kandidatit, i cili duhet të tregojë dokumentin e identifikimit personal (kartë identiteti ose pasaportë për jashtë shtetit), fotokopje e diplomës e shkollës së mesme e noterizuar si dhe vërtetimin e pagesës së tarifës së regjistrimit në favor të UART.

13. Në momentin e regjistrimit, kandidati për konkurs pajiset nga sekretaria e fakultetit me Fletën e Regjistrimit. Kjo fletë përmban: I. Emrin dhe mbiemrin e kandidatit; II. Programin e studimit në të cilin konkurron; III. Datën dhe orën e paraqitjes për konkurrim; IV. Datën dhe orën e regjistrimit.

Kjo fletë të përgatitet në 2 kopje dhe të firmoset nga sekretaria e fakultetit dhe kandidati për konkurs.

14. Me përfundimin e procedurave të regjistrimit, sekretaritë mësimore të verifikojnë listat e të regjistruarve me listën e dërguar nga AKP, dhe në datën 29 gusht 2014, ora 12:00, të shpallin menjëherë listat e konkurrentëve të regjistruar dhe t’i afishojnë ato në vende të dukshme, në mjediset e fakultetit përkatës.

15. Konkurset e pranimit në UART monitorohen nga përfaqësues të autorizuar të MAS, si dhe të Rektoratit të UART.

16. Dekanët e fakulteteve të UART janë përgjegjës për zbatimin e Rregulloreve të konkursit të pranimit në UART të miratuara në Senatin Akademik.

17. Rezultatet e konkurseve të pranimit të hidhen në portalin e Maturës Shtetërore online nga sekretaritë e fakulteteve sipas procedurave të Udhëzimit teknik të dërguar nga AKP. Më pas listat të dërgohen brenda tre ditëve në Rektorat, në tre kopje, në formë shkresore dhe elektronike (në CD).

18. Pasi kanë kryer veprimet e përcaktuara më sipër, fakultetet e UART të shpallin në vende të dukshme listën emërore të kandidatëve me pikët e fituara në konkursin e pranimit. Këto lista të jenë të firmosura nga Dekani i fakultetit përkatës. Po ashtu këto lista të shpallen edhe në faqen zyrtare të UART.

19. Gjatë periudhës së zhvillimit të konkurseve të pranimit, Dega e Shërbimeve dhe Shërbimi i ruajtjes me roje civile të angazhohen maksimalisht për ruajtjen e rregullit dhe të qetësisë të mjediseve në Universitetin e Arteve. Të ushtrohen kontrolle të vazhdueshme në të gjitha mjediset. Shoqëria që ofron shërbimin e ruajtjes me roje civile të njoftohet për të dyfishuar numrin e rojeve civile në mjediset e UART si dhe për të mbajtur në zonën për rreth UART një grup efektivësh të gatshëm për çdo rast emergjence.

20. Gjatë periudhës nga data 30.08.2014 deri në datën 06.09.2014, zona e parkimit të Universitetit të Arteve duhet të qëndroje e lirë dhe të lejohet hyrja vetëm e automjeteve të përcaktuara në një listë të veçantë të nënshkruar nga Kancelarja e UART. Punonjësi i shërbimit i vendosur në postin e shërbimit në zonën e parkimit, ka përgjegjësi për kontrollin e lëvizjes së automjeteve.

21. Hyrja e personelit akademik dhe personelit administrativ gjatë periudhës së zhvillimit të konkurseve do të lejohet vetëm nga hyrja në rrugën “Lekë Dukagjini”.

22. Hyrja e konkurrentëve do të lejohet vetëm nga hyrja kryesore përballë Sheshit Nënë Tereza. Hyrja e tyre do të lejohet vetëm kundrejt paraqitjes së dokumentit të identifikimit.