Prof. Dr. Zyhdi Dervishi: Në arsimin universitar, fjala reformë ka kuptim e peshë të veçantë

679
Sigal

Intervistë me Prof. Dr. Zyhdi Dervishi, përgjegjës i Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës

Në bisedën e para një muaji Prof. Zydi Dervishi është shprehur se: “Shtyrjen e afatit të zbatimit të reformës unë e konsideroj si një tregues të rëndësishëm të përgjegjshmërisë qytetare të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përpjekjeve të tij serioze për përmirësime rrënjësore në arsimin e lartë. Por kjo kohë e fituar lipset shfrytëzuar për të projektuar më në detaje një reformim sa më cilësor dhe sa më perspektiv. Dhe hapi i parë do të ishte reformimi i komisionit të posaçëm. Një komision i tillë duhet formuar me drejtues që kanë mandat përfaqësimi, siç janë rektorë ose dekanë të universiteteve publike, ose me pedagogë nga më të shquarit, të cilët të zgjidhen përmes një votimi transparent nga trupa akademike. Edhe universitetet jopublike do të gjenin mekanizmat e përfaqësimit të tyre në komisionin e hartimit të draft-dokumentit të reformimit të arsimit të lartë. Mendoj se reforma lipset konceptuar dhe realizuar si një përpjekje për zgjidhje sa më racionale, të qëndrueshme dhe vizionare të problemeve kryesore të arsimimit universitar”. Ndërsa sot po diskutojmë nj temë tjetër për dhënien e titullit doktor, fuqia selektive që duhet të ketë ky titull, dhe reformat e arsimit të lartë.

 Me sa di unë, në universitetet e vendeve perëndimore nuk i përfundojnë studimet doktorale të gjithë ata që i nisin. A duhet të ketë edhe shkolla shqiptare e doktoraturave fuqi selektive?

Në vendin tonë janë jo të pakta rastet e mbrojtjes së doktoratave të dobëta ose shumë të dobëta, por janë fare të rralla rastet e mosmiratimit të doktoratave nga juritë përkatëse. Sistemi arsimor shqiptar e ka humbur fuqinë selektive në çdo hallkë të tij që fund të viteve ‘60 të shekullit XX. Më lejoni të kthehemi pak prapa në kohë. Sidomos në vitet ‘20 dhe ‘30 të shekullit XX në hapësirën shqiptare u themeluan disa shkolla me profil të spikatur perëndimor si Liceu Francez i Korçës, Shkolla Teknike e Tiranës etj.. Në këto shkolla të mesme kanë dhënë mësim mësues shqiptarë të arsimuar në universitetet më prestigjioze të vendeve perëndimore si dhe pedagogë të huaj francezë, amerikanë etj. Këto shkolla kanë luajtur rol të rëndësishëm për emancipimin e shoqërisë shqiptare, sepse përçuan në të frymën perëndimore që karakterizohej nga kërkesa e ashpër e llogarisë, nga hierarkizmi i nxënësve mbi bazën e arritjeve reale në procesin mësimor, nga forca selektive e rreptë etj. Për ta konkretizuar këtë ide mjafton të përmendim se në Liceun e Korçës i nisnin mësimet në vitin e parë 130-150 nxënës dhe diplomoheshin në vitin e fundit 15-20 prej tyre. Një frymë e tillë selektive u transferua edhe në arsimin e lartë shqiptar. Deri në vitin 1967 në mjaft degë të Universitetit Shtetëror të Tiranës kalueshmëria ishte vetëm 41-42 për qind. Kjo frymë u ruajt deri në fund të viteve ’60 të shekullit XX, kur filloi lëvizja masive me përmbajtje të thellë politike e karakterizuar si “lëvizje për revolucionarizimin e shkollës”. Përvoja tregon se dobësimi i fuqisë selektive të sistemit arsimor në një masë të caktuar kultivon mediokritetin, ndërsa forcimi i frymës selektive provokon probleme sociale, me kosto ekonomike dhe sidomos emocionale. Që të shmangen kosto të tilla është e nevojshme që të forcohen kriteret e përzgjedhjes së doktorantëve që në nisje të studimeve doktorale. Nga ana tjetër, mendoj që doktorantët që premtojnë se do të bëhen pedagogë e punonjës shkencor mjaft të kualifikuar, jo vetëm të mos paguajnë asgjë për shkollimin e tyre në nivelin doktoral, por institucionet e interesuara të financojnë kërkimet shkencor, në të cilat ata janë angazhuar. Financime të tilla, veç të tjerash, do t’i motivonin emocionalisht doktorantët më të aftë për kërkime më cilësore, për të ecur më shpejt në rrugën e vështirë e plot sfida të veprimtarisë shkencore.

Çdo qeveri që vjen në pushtet fokusohet me përparësi edhe te reforma në arsimin e lartë. A janë të nevojshme reformat në universitete sa herë ndërrohen partitë në qeverisje?

Përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit fjala “reformë” është artikuluar dendur në mjedise të ndryshme të shoqërisë shqiptare, veçanërisht në mjedise të strukturave politike, partiake. Në sistemin arsimor, dhe veçanërisht në arsimin universitar, fjala reformë ka kuptim e peshë të veçantë. Reformimi i sistemit arsimor zgjat rreth 20 -25 vjet dhe efektet e dobishme ose të dëmshme i jep për një periudhë kohore edhe më të gjatë. Prandaj çështja e reformimit të sistemit arsimor, veçanërisht të arsimit të lartë i tejkalon kompetencat dhe mandatet qeverisëse katërvjeçare ose tetëvjeçare të partive politike. Në rrethana të tilla mendoj se është e nevojshme ose, më saktësisht, e domosdoshme të krijohet një organizëm i veçantë që të trajtojë me vizione afatgjata problematikën e arsimimit në hapësirat shqiptare në Ballkan. Kjo strukturë lipset të përbëhet nga mësues, pedagogë e punonjës shkencorë nga më të aftët, nga më të ndershmit dhe më vizionarët, me mandat 10 deri 18 vjet, pra më kohëgjatë se ài i deputetëve të Republikës së Shqipërisë. Një strukturë e tillë, në trajtën e një miniparlamenti të specializuar vetëm për çështje të zhvillimit të arsimit, e përbërë vetëm nga profesioniste dhe jo nga politikanë, mund e lipset të kryejë këto funksione kryesore:

1. Do të shërbejë si këshilluesja më e kualifikuar, më vizionare dhe profesionalisht më imponuese për zgjidhjen më optimale të problemeve themelore të zhvillimeve arsimore e shkencore për çdo qeveri, pavarësisht nga profili i saj politik, i majtë, i djathtë ose i përzier.

2. Ky “miniparlament”i fokusuar vetëm në problematikën e veprimtarisë arsimore dhe kërkimore-shkencore do të funksionojë edhe si oponenca profesionale më e argumentuar, më e qëndrueshme, më e drejtpërdrejtë ndaj mangësive, politizimeve dritëshkurtra dhe keqorientimeve në trajtimin e çështjeve të ndryshme të kësaj fushe prej çdo ministrie arsimi e shkence, prej çdo qeverie.

3. Kjo strukturë do të përcaktojë rregullat e konkurrencës së lirë e të ndershme dhe do të shërbejë si “gardian”i zbatimit me korrektësi të tyre në sektorin e arsimit të të gjithë niveleve dhe të veprimtarisë kërkimore.

4. Ky këshill do të mbante përgjegjësi të plotë morale dhe, në një masë të madhe, edhe zyrtare para opinionit publik, para popullit shqiptar për ecurinë e të gjitha zhvillimeve arsimore dhe kërkimore-shkencore, si një nga faktorët kryesorë përcaktues të përparimit të shumanshëm të shoqërisë shqiptare, të përafrimit të saj me standardet e përparuara euroatlantike, të integrimit të saj në familjen e shoqërive perëndimore.