Prof. Dr. Zyhdi Dervishi: Arsimimi universitar përballë sfidës së reformimeve vizionare

677
Sigal

 Intervistë me Prof. Dr. Zyhdi Dervishi, përgjegjës i Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës

 Arsimi i lartë në shtetin shqiptar është një nga vlerat dhe pasuritë  më të mëdha kombëtare, një nga pasuritë  që do t’i shërbejë shumë së ardhmes. Por, me keqardhje e themi se qëndrimi i shoqërisë ndaj arsimit të lartë, ka qenë jo korrekt duke e dëmtuar atë. Sot kemi shumë plagë sociale në arsimin e lartë, po shpesh herë harrohet të thuhet se këto plagë janë rrjedhojë apo infeksione që ka përcjellë shoqëria shqiptare në arsimin e lartë. Sipas Prof. Dervishit, “veçanërisht përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit sistemi i arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë është zhvilluar përmes kontradiktave të shumta”.

Profesor Dervishi, cilat janë problemet më të mprehta të arsimit të lartë në këndvështrimin tuaj?

Më parë se të flasim për problemet më lejoni të shpreh disa konsiderata të përgjithshme nga përvoja ime mëse tridhjetëvjeçare si punonjës shkencor e pedagog në Universitetin e Tiranës, si universiteti i themeluar më parë dhe më me ndikim të shumanshëm në gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan. Duke qenë se, përfundova studimet me “Medalje të artë” më emëruan menjëherë punonjës shkencor e pedagog në Universitetin e Tiranës. Pohoj me bindje të plotë se ky universitet dhe gjithë arsimi i lartë përbëjnë një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të shqiptarëve, që i ka shërbyer, i shërben dhe do t’i shërbejë edhe në të ardhmen zhvillimit dhe emancipimit të shumanshëm të shoqërisë shqiptare sipas standardeve më të arrira të vendeve perëndimore. Veçanërisht përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit sistemi i arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë është zhvilluar përmes kontradiktave të shumta, disa prej të cilave janë shndërruar në plagë problematike. Disa prej plagëve të tilla janë rrjedhojë e vështirësive të rritjes së vetë arsimit të lartë, por shumica e plagëve i janë imponuar arsimit universitar nga vetë shoqëria shqiptare.

Domethënë shoqëria jonë i ka shkaktuar plagë sistemit të arsimit të lartë?

Me keqardhje jam i detyruar ta pranoj këtë realitet të trishtë. Për ta konkretizuar këtë ide mjafton të përmendim dy linja kryesore të keqndikimit të shoqërisë, të shtetit shqiptar në arsimin e lartë. E para. Pesha specifike e fondeve financiare të shtetit shqiptar për arsimin e lartë dhe kërkimin (0.4-0.6 për qind e produktit të brendshëm bruto) është mesatarisht 2.5 deri 6 herë më e ulët se pesha specifike e fondeve për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në çdo vend tjetër të Europës. Një varfëri e tillë nuk mund të mos provokojë gjendje anemie në arsimin e lartë publik, ku arsimohen rreth 80 për qind e studentëve në Republikën e Shqipërisë. E dyta. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit shoqëria shqiptare ka përjetuar në mënyrë traumatike papunësinë masive, sidomos në radhët e brezit të ri. Në rrethana të tilla masivizmi i arsimit të lartë të tre nivelet, në sistemin me kohë të plotë dhe të pjesshme, u konceptua dhe u realizua nga strukturat politike, partiake e shtetërore edhe si një rrugë për të zbutur përkohësisht dhimbjet sociale të plagës së papunësisë. Masivizimi i shpejtë i arsimit universitar në të gjithë nivelet, i imponuar së jashtmi nuk mund të mos e dëmtonte cilësinë e funksionimit të universiteteve, cilësinë e përgatitjes shkencore të studentëve, nuk mund të mos dëmtonte sasinë e sidomos cilësinë e veprimtarisë kërkimore-shkencore të realizuar nga pedagogët.

Muajt e fundit është diskutuar në të gjithë nivelet për reformim të arsimit të lartë, madje nga një komision i posaçëm është përgatitur edhe një draft-raport që do të shërbejë si orientim për një reformim të tillë. Ç’mendoni ju për këtë draft-raport?

Unë e kam lexuar me shumë vëmendje këtë projekt reformues për arsimin e lartë. Me keqardhje pohoj se ky draft raport është hartuar me shumë nxitim dhe nga një komision që në shumë pikëpamje nuk përfaqëson segmentet kryesore të arsimit universitar në Republikën e Shqipërisë. Më konkretisht, universitetet publike nuk përfaqësohen sa dhe si duhet në këtë komision. Shtyrjen e afatit të zbatimit të reformës unë e konsideroj si një tregues të rëndësishëm të përgjegjshmërisë qytetare të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përpjekjeve të tij serioze për përmirësime rrënjësore në arsimin e lartë. Por kjo kohë e fituar lipset shfrytëzuar për të projektuar më në detaje një reformim sa më cilësor dhe sa më perspektiv. Dhe hapi i parë do të ishte reformimi i komisionit të posaçëm. Një komision i tillë duhet formuar me drejtues që kanë mandat përfaqësimi, siç janë rektorë ose dekanë të universiteteve publike, ose me pedagogë nga më të shquarit, të cilët të zgjidhen përmes një votimi transparent nga trupa akademike. Edhe universitetet jopublike do të gjenin mekanizmat e përfaqësimit të tyre në komisionin e hartimit të draft-dokumentit të reformimit të arsimit të lartë. Mendoj se reforma lipset konceptuar dhe realizuar si një përpjekje për zgjidhje sa më racionale, të qëndrueshme dhe vizionare të problemeve kryesore të arsimimit universitar.

Cilat janë këto probleme?

Më së pari, funksionimi i një konkurrence të ndershme, korrekte ndërmjet universiteteve publike dhe jopublike. Një konkurrencë e tillë do t’i shëndoshë universitetet shqiptare, do të ndikojë në krijimin e një hierarkie vlerash shkencore të mirëfillta, të qëndrueshme. Nëse financimi shtetëror i ofrohet studentit, siç parashikohet në draft-raport, mekanizmi i konkurrencës çakordohet  totalisht. Dhe një çakordim i tillë do të dëmtojë si universitetet publike, edhe ato jopublike, do të shpartallojë perspektivën e tyre. Gjithashtu, konkurrenca e ndershme do të ndihmojë për të shëruar mjaft plagë sociale si fiktiviteti në mjaft aspekte të arsimit universitar dhe pasuniversitar, inflacioni në akordimin e gradave dhe të titujve shkencorë etj.

Ju profesor mendoni se inflacioni ka prekur edhe gradat e titujt shkencorë?

Fatkeqësisht po. Madje, lipset theksuar se një inflacion i tillë është më i dëmshëm se në çdo fushë tjetër, sepse rrjedhojat e tij tejkalohen më me vështirësi dhe në harkun kohor të 30-40 viteve. Ndër të parët që kanë merituar titullin e lartë shkencor “profesor” në hapësirën shqiptare kanë qenë shkencëtarë të kompletuar  të formatit europian e më gjerë si Eqrem Çabej, me kontribut të jashtëzakonshëm për transferimin e qendrës së studimeve albanologjike nga universitetet e vendeve të tjerë në Universitetin e Tiranës, Aleks Buda, një arkitekt vizionar i hartimit të historisë së popullit shqiptar, Petrit Radovicka, një nga rektorët më të fismë të Universitetit të Tiranës dhe njëherazi kryeinxhinieri i hidrocentraleve të mëdha të ndërtuara mbi lumin Drin etj. Këto dhe disa profesorë të tjerë, që për ngushticë vendi nuk po ua përmend emrat (dhe për këtë u kërkoj ndjesë pa fund) kanë qenë kapedanë të mëdhenj të shkencës, të virtyteve më të arrira dhe të mëmëdhetarizmës. Unë e konsideroj veten me fat se kam qenë student kur në auditorët e Universitetit të Tiranës jepnin leksione këto korifenj të shkencës e të mirësisë, të cilët do t’i bënin nder edhe universiteteve më prestigjioze të vendeve më të urbanizuara të Perëndimit. Mendoj se, të paktën, titulli shkencor “profesor” të mos zhvleftësohej asnjë grimë , por të mbetej me ato kuota vlere siç e meritonin këtë titull Eqrem Çabej e Selman Riza, Aleks Buda e Mentor Përmeti, Petrit Radovicka e Shaban Demiraj, Mahir Domi e Kristaq Fundo, Alred Uçi e Bajram Preza, Ismet Elezi e Hamid Beqja, Arben Puto e Stefanaq Pollo, Çesk Zadeja etj.. Është e nevojshme që në universitetet shqiptare të rikthehet atmosfera krijuese dhe dinjitoze që e kultivuan me aftësi dhe me shumë punë e përkushtim kjo plejadë shkencëtarësh dhe pedagogësh të shquar mendjehapur, të cilët arritën të tejkalojnë edhe kufizimet e imponimet politike e ideologjike të sistemit socialist totalitar. Rëndësia e universiteteve nuk çmohet me shkallën e masivizimeve pupuliste, por me vlerat shkencore që krijojnë pedagogët e punonjësit kërkimor, me ndihmesën e tyre në zhvillimin dhe emancipimin e shpejtë dhe të shumanshëm të shoqërisë.

Vitet e fundit është masivizuar shkollimi doktoral. Çfarë mendoni ju për këtë nivel të kualifikimit shkencor?

Më lejoni që në fillim të kthehemi pak në histori. Dy doktoratat e para në hapësirën shqiptare janë mbrojtur para 55 vitesh, në vitin 1959. Dy të parët që e çelën këtë rrugë të vështirë, që, si të thuash, i dhanë bekimin doktoraturave kanë qenë shkencëtarë të ballit të parë në fushë të gjuhësisë, të albanologjisë: Selman Riza dhe Eqrem Çabej. Disertacionet e tyre ishin fryt i arrirë i një pune shumëvjeçare, me rëndësi të veçantë themelvënëse në fushë të shkencave gjuhësore, albanologjike. Këta korifenj të shkencës i mbrojtën disertacionet e doktoratës në një ceremoni me pjesëmarrje të gjerë të autoriteteve shkencore të vendit dhe të albanologëve të shquar të vendeve të tjerë. Mendoj se të gjithë shqiptarët, që futen në rrugën e vështirë të studimeve doktorale duhet t’u jenë mirënjohës Eqrem Çabejt dhe Selman Rizës që me aq dinjitet e profesionalizëm realizuan disertacionet e para me standardet më të përparuara për kohën. Që nga viti 2009 në Republikën e Shqipërisë kualifikimi shkencor doktoral është vënë mbi baza ligjore më të konsoliduara. Është rritur vrullshëm numri i doktorantëve. Ndër to ka mjaft doktorantë të aftë, dinjitoz, që punojnë me përkushtim, me rendiment të lartë, që premtojnë të bëhen punonjës shkencorë të niveleve më të përparuara. Mendoj se ky grupim doktorantësh lipset të inkurajohen e të mbështeten financiarisht nga strukturat shtetërore përkatëse për të avancuar me ritme të shpejta në veprimtarinë kërkimore. Por me keqardhje jam i detyruar të pohoj se edhe në kualifikimin doktoral janë shfaqur fillesat e disa plagëve mjaft problematike, të cilat lipsen shëruar pa u agravuar më tej.

Cilat janë këto plagë profesor?

Janë disa. Po përmendim ato më shqetësueset. Në shkollimin doktoral janë përfshirë edhe persona me kapacitete intelektuale të pamjaftueshme. Ky grupim doktorantësh përpiqet të mbulojë paaftësinë, duke kërkuar mbështetje në lidhjet miqësore e shoqërore, në strukturat politike partiake, në menaxhimin korruptiv të influencave ose të interesave ekonomike e deri në plagjiaturë. Në një mjedis të tillë të infektuar në shoqërinë shqiptare, si të thuash, po formësohet profesioni i qatipeve të doktoraturave. Këta qatipë janë specialistë të kualifikuar në fusha të caktuara, në të shumtën e rasteve pensionistë, të cilët shkruajnë me para disertacione doktorate për të tjerët, si një mënyrë për të kompensuar pensionet e vogla ose, më saktësisht, të pamjaftueshme. Gjithashtu, për të “ndihmuar” doktorantët në mjediset intelektuale brenda dhe jashtë hapësirës shqiptare janë ngritur dhe po ngrihen me shpejtësi revista të vetëshpallura shkencore, por që në realitet funksionojnë si firma piramidale. Mjafton që doktorantët të paguajnë paratë, eurot ose dollarët dhe artikujt e tyre, sado të dobët të jenë, botohen. Madje, jo rrallë në revista të tilla janë botuar edhe shkrime, të cilët, jo vetëm kanë  qenë jashtë standardeve shkencore, por edhe kanë dëmtuar rëndë imazhin e popullit shqiptar brenda vendit dhe sidomos në arenën ndërkombëtare. Në rrethana të tilla mendoj se është e nevojshme të themelohen një rrjet revistash shkencore mbarëkombëtare të specializuara për fusha të caktuara të zhvillimit të dijeve. Këto revista të mbështeten financiarisht nga strukturat shtetërore përkatëse dhe të funksionojnë si nxitëse dhe promovuese të mendimit shkencor më të përparuar në fushën përkatësie, si shkolla teorike e praktike të kualifikimit shkencor të doktorantëve, si struktura testuese të aftësive të tyre profesionale etj. Çdo punim doktorate lipset të konceptohet dhe të jetë realisht një punim shterues me rëndësi të veçantë jo vetëm për shkencën e kulturën, por edhe për shoqërinë shqiptare. Pra çdo punim doktorate lipset të jetë një vlerë e shtuar në rrafshin teorik ose praktik, të jetë një gur i çmuar i pazëvendësueshëm, me shkëlqimin e vet të veçantë me mozaikun e studimeve shqiptare.

Është përhapur gjerësisht mendësia: “Po u regjistrove në studimet doktorale, ruhu mos të shtypë makina, se doktoratën e merr”. A do të thotë kjo mendësi se doktorata është kthyer në kurs shoferësh?

Me keqardhje jam i shtrënguar të pohoj se në mjaft raste ka kërkesa të ulëta, deri mjerane ndaj disertantëve. Puna për mbrojtjen e disertacionit të doktoratës i ngjan punës së zejtarëve për prodhimin e një produkti rutinë brenda një “stine” të caktuar. Konstatohet qartë prirja se sa më pak të aftë të jenë doktorantët, aq më shumë nxitojnë ato për të përfunduar tezën e doktoratës para afatit të përcaktuar nga aktet nënligjore përkatëse, duke përdorur hile të shumëllojshme, nga servilizmat më të shëmtuara deri te arroganca më prepotente, nga falsifikimi i të dhënave deri te plagjiatura më vulgare. Me qëllim që të shmangen dukuri të tilla mjaft problematike është e nevojshme që afatet e mbrojtjes si doktoraturë të jenë më fleksibël, më të shtrira në kohë. Ndërkohë doktorantët më të aftë në mjaft raste kërkojnë shtyrje të afatit të mbrojtjes së doktoratës. Në Universitetin e Tiranës njihen disa raste të tilla shtyrjeje të afatit të mbrojtjes së doktoraturës, por që janë kurorëzuar me punime dinjitoze, të cilët kanë zënë vend në historinë e shkencave përkatëse në Republikën e Shqipërisë.