Prof. Dr. Sulo Hadëri:Kriteret për të ndjekur shkollën e Doktoraturës te Fakulteti i Ekonomisë dhe studentët që kanë përparësi

686
Sigal

INTERVISTA/Flet dekani i Fakultetit të Ekonomisë Prof. Dr. Sulo Hadëri për kriteret e Doktoraturës

 Fakulteti i Ekonomisë është një ndër fakultetet që ka numrin më të madh të studentëve, por një kërkesë të madhe në këtë fakultet ka edhe për sistemin e Doktoraturës. Por cilat janë kriteret për studentët që duan të aplikojnë për Doktoraturën? Kriteret dhe tarifat për këtë na i bën të ditura në një intervistë për “Telegraf” dekani i këtij Fakulteti Prof. Dr. Sulo Hadëri. Sipas zotit Hadëri, janë disa kritere, por kriteri më i rëndësishëm është ai i notës mesatare që duhet të ketë një kandidat. Për fakultetin e Ekonomisë, nota mesatare e diplomës duhet të jetë mbi 8.

 -Zoti Haderi, cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë studentët që duan të ndjekin studimet në ciklin e Doktoraturës për vitin 2012-2013?

-Ne jemi në pritje të ardhjes së shkresës zyrtare për kuotat e Doktoraturës që janë miratuar nga Këshilli i Ministrave para disa ditësh. Është viti i tretë që ne pranojmë studentë që të ndjekin studimet e Doktoraturës me sistemin e ri që është futur. Në vazhdimësi kriteret tona kanë qenë të kombinuara sipas nevojave. Po ashtu kriteret janë të vendosura edhe nga aktet e nxjerra nga institucionet që janë më lart se ne, si Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Më konkretisht kushti bazë i vendosur është ai i notës mesatare. Pra studentët që do të aplikojnë për Doktoraturën, duhet të kenë mesataren e diplomës së integruar mbi 8. Ky është një kriter shumë i rëndësishëm. Ky kriter është përcaktuar jo vetëm nga ne, por është përcaktuar edhe nga institucione që janë më lart se ne, si Ministria e Arsimit dhe Shkencës apo dhe nga senati. Kriter tjetër i rëndësishëm është edhe marrja me kërkime shkencore, pra kandidati duhet të jetë duke u marrë me kërkime shkencore në institucione të rëndësishme si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij. Po ashtu kriter tjetër i rëndësishëm është edhe mesatarja e lëndës së specialitetit që ai ka zgjedhur, dhe kjo ka mjaft rëndësi.

 -Po anglishtja a është kriter për të ndjekur studimet e Doktoraturës?

-Anglishtja është kriter, por këtë studentët mund ta mbrojnë në momentin që ato janë duke ndjekur studimet e doktoraturës. Pra ajo nuk është pengesë për të mos u pranuar në shkollën e Doktoraturës. Madje ka qenë vetë Ministria e Arsimit dhe Shkencës që ka bërë një ligj, për të mos i penguar studentët që duan të ndjekin shkollën e Doktoraturës nëse ato i plotësojnë kriteret.

 -Kush ka më shumë përparësi që të pranohet në Fakultetin e Ekonomisë, përkrah notës mesatare që përmendët ju më lart?

-Përparësi kanë më shumë pedagogët dhe asistentët që japin mësim pranë fakultetit tonë. Së dyti kanë përparësi të gjithë ata studentë që kanë mbaruar studimet në universitet publike të vendit. Pastaj kanë përparësi edhe pedagogë, akademikë, kërkues shkencor që janë në institucione të rëndësishme të tjera që janë kërkime shkencore.

 -Po kuotat e trojeve sa vend zënë në kuotat që përcaktohen për Doktoraturën?

-Në fakt ne kemi pesë shkolla Doktorature në Fakultetin e Ekonomisë. Vitin e kaluar ne kemi pasur nga 3 kuota për çdo shkollë doktorature në Fakultetin tonë. Por sivjet realisht unë nuk e kam parë ende numrin e kuotave që janë miratuar, por në përgjithësi nga 3 kuota janë për trojet për çdo shkollë që kemi.

 –Sa është tarifa që duhet të paguaj një student që dëshiron që të ndjek studimet e Doktoraturës?

-Po unë do të thoja që tarifa është relativisht e vogël. E them këtë pasi tarifa nuk mbulon as kostot që ka fakulteti jonë për një student të Doktoraturës. Tarifa për të gjitha vitet e studimit të Doktoraturës është 200 mijë lekë të reja.

 -Prof. Hadëri, mund të na thoni diçka më shumë në lidhje me disa kategori që janë përjashtuar nga tarifa e shkollimit me vendim të Këshillit të Ministrave, pasi është thënë që Fakulteti i Ekonomisë, nuk e zbaton këtë vendim. Si është e vërteta?

-Ka një problem të vogël në lidhje me dokumentet. Por unë mund të them që në asnjë rast nuk është e mundur që mos të zbatohet vendimi i Këshillit të Ministrave. Por çështja është se ka pasur ndonjë problem nga mungesa e dokumentacionit. Dhe mund të jetë kthyer ndonjë person, për arsye se nuk kanë pasur dokumentacionin e plotë. Në njohuritë e mija, nuk është se ne kemi kërkuar gjëra shtesë, thjesht kemi kërkuar që të sjellin dokumentet e duhura dhe pastaj do të jenë të përjashtuar nga tarifa, duke pasur parasysh kategoritë e personave që janë të përfshirë në vendimin e Këshillit të Ministrave.

 -A është zgjidhur problemi i ambienteve pranë fakultetit tuaj, pasi keni një numër të madh studentësh?

-Në lidhje me ambientet ne kemi bërë goxha ndryshime. Por nuk duhet të harrojmë që jemi të tejmbushur, për arsye se jemi një fakultet me një numër të madh studentësh. Dhe për këto arsye ne e zhvillojmë mësimin me dy turne he jemi të tejmbushur. Por që po bëjmë përpjekje për të gjetur zgjidhje të tjera