Prof.Dr. Mynyr Koni:Risia për Doktoraturat tek Shkencat e Natyrës dhe afati i shpalljes së fituesve

778
Sigal

INTERVISTA/Flet Dekani i Shkencave të Natyrës Prof.Dr. Mynyr Koni, për aplikimin on-line të Doktoraturës

Prej disa ditësh vazhdojnë aplikimet për Doktoraturat. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës aplikimet janë hapur në datën 21 shkurt deri në datën 15 mars. Por në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një risi për aplikimet në ndryshim nga fakultetet e tjera, në këtë fakultet aplikimet bëhen on-line. Në lidhje me kuotat dhe aplikimet on-line, ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Dekani i fakultetit Prof. Dr. Mynyr Koni. Sipas zotit Koni, për Fakultetin e Shkencave të Natyrës, janë 116 kuota të ndara në 11 programe studimi. Ku nga këto 93 kuota janë për studentët shqiptarë dhe 23 janë për studentët e trojeve. Po ashtu aplikimi on-line ka lehtësuar punën shumë. Nisur nga afati i lënë në dispozicion të gjithë studentët kandidatë do të kenë kohë të mjaftueshme, për të konsoliduar qoftë mendimin apo prirjen për zgjedhjen e drejtimit dhe udhëheqësit të caktuar. Duhet thënë se një aplikim për doktoraturë nënkupton së pari që dosja duhet të plotësohet dhe të kompletohet lidhur me disa kritere.

 -Zoti Koni, si po shkojnë aplikimet për ciklin e Doktoraturës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës?

-Po, aplikimet për ciklin e tretë të studimeve për Doktoraturën po shkojnë shumë mirë. Për këtë fakultet janë 11 programe studimi, dhe janë përcaktuar 116 kuota, ku janë të përfshira shtetasit shqiptarë dhe ato që vijnë nga trojet. Këto kuota janë shpërndarë në 93 kuota për shqiptarët dhe 23 kuota janë për trojet.

 -A është e mjaftueshme koha e vënë në dispozicion për aplikimet?

-Ashtu sikurse është bërë e ditur edhe në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, aplikimet shtrihen në afatin kohor nga data 21 shkurt deri në datën 15 mars. Kjo pra është faza e aplikimit për ciklin e Doktoraturës për të gjitha universitetet publike në Shqipëri. Aplikimet do të bëhen sipas kritereve të përcaktuara nga vendimi për doktoraturat në universitetet publike. Miratimi i programeve për Doktoraturën është bërë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe ligjit Nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Por ne si fakultet kemi dhe një risi për aplikimet që po ndikon shumë pozitivisht.

 -Ku konsiston kjo risi që ka sjellë Fakulteti i Shkencave të Natyrës?

-Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës aplikimet bëhen on-line. Kjo është një risi mjaft e rëndësishme dhe po ashtu është dhe mjaft e suksesshme. Nga ana e sekretarive të fakultetit nuk bëhet asnjë regjistrim, pasi të gjitha janë kaluar në sistem.

 -Cilat janë disa nga kriteret bazë dhe a ka ndonjë kriter të veçantë Fakulteti i Shkencave të Natyrës?

– Fakulteti jonë nuk kanë ndonjë kriter të veçantë, janë po ato kritere që janë nxjerrë dhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

-Kandidatët që aplikojnë për t’u regjistruar në programin e studimit të doktoratës duhet të plotësojnë këto kritere:

a. Të ketë përfunduar studimet e larta në fushën e kërkuar dhe të zotërojnë Diplomë të ciklit të dytë të studimeve “Master i Shkencave”, apo çdo diplomë tjetër të barasvlershme me të ose një diplome të huaj të barasvlershme të shoqëruar me vërtetimin e njohjes nga MASH. Të ketë notë mesatare të përgjithshme 8 e lartë, në secilin cikël studimesh ( i parë dhe i dytë).

b. Të zotërojë gjuhën angleze të vlerësuar mbi bazën e një testi të njohur ndërkombëtarisht. Nëse nuk zotërohet në aplikim fillestar, dëshmia kërkohet pas përfundimit të studimeve të organizuara teorike.

c. Të jetë i rekomanduar nga dy persona që gëzojnë titull akademik të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit.

d. Të shprehë qartë qëllimin e ndjekjes së studimeve të doktoratës në rreth 500 fjalë.

e. Të paraqesë në mënyrë të përmbledhur një projekt shkencor mbi të cilin ka menduar të punojë gjatë kursit të Shkollës Doktorale.

f. Të marrë përsipër përballimin e shpenzimeve të studimeve.

 -Po fituesit pas sa ditësh do të dalin pas mbylljes së aplikimeve?

-Deri në datë 15 mars bëhet aplikimi. Pas kësaj fillojnë nga punë komisionet ad-hoc që ne i kemi ngritur realisht. Dhe këto komisione duan afërsisht një javë apo dhjetë ditë që të bëjnë vlerësimet në bazë të kritereve që ka miratuar këshilli i profesorëve. Pas kësaj këshilli i profesorëve i paraqet listën e fituesve dekanit dhe shpallen fituesit.

 -A ka pasur ndonjë ndryshim në programin e Doktoraturës, përsa i përket programeve?

-Duhet të kujtojmë që në vitin 2009, ka filluar studimet viti i parë i ciklit të tretë të Doktoraturës, dhe këtë vit mbaron brezi i parë i Doktoraturës. Tashmë në frymën e rishikimeve të ciklit të parë dhe të dytë, tërë programet e Doktoraturës. Brenda këtij viti kalendarik që do të fillojë, rishikimi i të tëra programeve të Doktoraturës. Ato do të shikohen me një synim të qartë dhe të pastër, sepse do të bëhen studime të thelluara akademike 60 kredite që janë detyrim për Doktoraturën.

Dokumentet për aplikim në programet e doktoratës 2012-2013 janë:

1. Kërkesa e kandidatit drejtuar Këshillit të Profesorëve dhe Dekanatit në të cilën theksohet propozimi për temën, udhëheqësin shkencor dhe titulli i këtij të fundit.

2. Kopje e noterizuar e diplomës “Bachelor” dhe Master i Shkencave ose një diplome të integruar të nivelit të dytë ose një apo titulli akademik të barasvlershëm, të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga MASH.

3. Lista e notave të diplomës të pikës 2.

4. Fotokopje e letër njoftimit ose pasaportës.

5. Dy rekomandime (nga një profesor, profesor i asociuar ose docent).

6. Deklaratë e gatishmërisë së udhëheqësit shkencor për të udhëhequr kandidatin ku të saktësohet tema e propozuar, titulli i udhëheqësit dhe ku punon ai.

7. Lista e artikujve të botuar (nëse ka), të bashkëngjitur.

8. Vërtetim nga qendra e punës, nëse kandidati është i punësuar.

9. Mandat-pagesa prej 2000 lekësh.

 Tarifa e shkollimit dhe kuotat e pranimit

Tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë, të Doktoratës, është 216 320 (dyqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet) lekë. Tarifa e shkollimit paguhet në këste, të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i secilit institucion publik të arsimit të lartë, pa efekte buxhetore shtesë.