Prof. Dr. Mynyr Koni:Fakulteti i shkencave të natyrës, 1450 kuota për vitin akademik 2013-2014

624
Sigal

Intervistë/Prof. Dr. Mynyr Koni, Dekan i FSHN në UT: Studentët, këtë vit të ri  akademik, do zhvillojnë mësim vetëm në fakultetin tonë

Mesa duket ky vit akademik do të jetë më i qetë dhe më komod, përsa i përket ambienteve, për studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në UT. Këtë e konfirmoi  në një intervistë për gazetën “Telegraf”, prof. dr. Mynyr Koni, dekani i Fakulteti të Shkencave të Natyrës, i cili shprehu kënaqësinë e tij për pëfundimin e godinës 6 katëshe, me 6 salla leksionesh, 130 vendëshe, e cila do të jetë eficente për vitin e ri akademik. “Mbarimi i kësaj godine dhe vënia në dispozicion për Shkencat e Natyrës, e zbut situatën, kështu që vitin e ri akademik 2013-2014, mendojmë ta nisim në kushte më të mira dhe me mjedise më të plota, të paktën studentët e Shkencave të Natyrës do të zhvillojnë mësim vetëm në Fakultetin tonë”, shprehet prof. Koni. Në këtë intervistë, dekani i FSHN-së, tregon për gjendjen e laboratorëve në këtë fakultet, për degët më të kërkuara, por edhe kriteret e pranimit të studentëve. Kuotat e pranimit të studentëve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës do të pësojnë një rritje të lehtë, krahasimisht me vitin e kaluar akademik, kjo për shkak të propozimit të një numri pak më të madh të kuotave në degët e Teknologjisë së Informacionit dhe Informatikës, të cilat duken të jenë të kërkuara dhe në tregun e punës.

Si ka shkuar ky vit akademik për sa i përket problemit të ambienteve?

Viti akademik 2012-2013 si proces mësimor është mbyllur, tashmë jemi në sezonin e rregullt të provimeve të qershorit. Ky vit akademik për Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka pasur, sidomos, në semestrin e parë shumë probleme në infrastrukturën e mjediseve, për arsye të dy fakteve; së pari godina B që ne kemi, ishte në përfundim të rikonstruksionit dhe ajo ka një kapacitet gati 1/3 e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe së dyti, për efekt të rritjes, në mënyrë të vijueshme, të numrit të studentëve nga viti në vit, është krijuar një ngarkesë shumë e madhe. Kjo ka bërë që fillimi i vitit, të ishte i vështirë, për sa i përket mjediseve. Menjëherë ne mblodhëm Këshillin e Fakultetit dhe vitin akademik e filluam në 15 tetor. Për të marrë masat dhe në bashkëpunim me fakultete të tjera të UT-së, konkretisht me Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, apo ish-Infermierisë, ne bëmë një marrëveshje dhe disa nga programet e studimit të ciklit të dytë, i kaluam të zhvilloheshin në mjediset e këtij fakulteti, në të gjithë semestrin e parë, duke e zbutur në maksimum problemin e mjedisit. Masa e dytë ishte zhvillimi i procesit mësimor me sistem të plotë 12 orësh nga ora 8.00 e mëngjesit deri në orën 20.00 të darkës, pa ndërprerje, duke shfrytëzuar në maksimum kapacitetin e plotë të ambienteve. Në këtë mënyrë arritëm të përballojmë me vështirësi të gjithë këtë problem që kishim me mjediset. Semestri i dytë ka qenë pak më i zbutur në këtë aspekt, sepse ciklet e dyta, masterat e shkencave, në vitin e dytë, kalojnë në tezë diplome. Prandaj kemi një rënie të numrit të studentëve dhe sigurisht largimi i studentëve të ciklit të dytë krijoi më hapësirë. Një tjetër lehtësi ishte, se në fund të tetorit-fillim nëntorit, mbaroi dhe rikonstruksioni i plotë i godinës B dhe u fut në eficensë. Dhe them se e kemi menaxhuar me shumë kujdes këtë situatë.

Po për këtë vit akademik a do të përballen studentët me të njëjtat probleme?

Në këtë vit akademik, unë e them me kënaqësi këtë, ne kemi përfunduar një godinë 6 katëshe, me 6 salla leksionesh, 130 vendëshe, i cili do të jetë eficent për vitin e ri akademik. Mbarimi i kësaj godine dhe vënia në dispozicion për Shkencat e Natyrës, e zbut situatën, jo se e zgjidh përfundimisht, por e zbut në raport me një vit paraardhës, kështu që vitin e ri akademik 2013-2014, mendojmë ta nisim në kushte më të mira dhe me mjedise më të plota, të paktën studentët e Shkencave të Natyrës do të zhvillojnë mësim vetëm në Fakultetin tonë. Natyrisht që zgjatja e orarit do të jetë, do të jetë pak më e moderuar, jo 12 orë, por pak më e zbutur. Zgjidhja përfundimtare, nuk mund të themi, se është kjo godinë, sepse kapacitetet dhe numri i studentëve si dhe programet e studimit që ndodhen në Fakultetin e Shkencave të Natyrës është shumë i madh. Në perspektivë ne jemi në pritje të miratimit dhe të Kampusit Universitar, me mbarimin e të cilit, edhe ne mund të kemi hapësirat tona për të zhvilluar procesin e mësimit. Do jetë një zgjidhje e përgjithshme për të tërë universitetin, për pasojë dhe për fakultetin tonë.

Si është gjendja e laboratorëve duke patur këtu parasysh dhe specifikën e fakultetit tuaj?

Në lidhje me laboratorët është një pyetje me vend, fakulteti ynë ka një të veçantë në raport me fakultetet e tjera të UT-së, ne kemi goxha laboratore dhe një pjesë e mjediseve mbulohen me hapësirat e laboratorëve. Nga pikëpamja e hapësirave, mjediset laboratorike, për momentin, e përballojnë këtë ngarkesë, nga pikëpamja e infrastrukturës lenë për të dëshiruar, për të cilët kam dy momente të rëndësishme: Pikë së pari është infrastruktura e brendshme, mobilimi, i cili është i amortizuar në një pjesë, por ne kemi menduar që vitin e ardhshëm të bëjmë një projekt të madh për plotësimin e tyre. Ka laboratorë që janë rregulluar dhe në vite kemi ndryshime substanciale. Kemi pasur fat, duke u bazuar në projektet UNILAB të Bankës Botërore, që drejtoheshin nga MASH, fakulteti ynë ka përfituar disa projekte në infrastrukturën laboratorike në pajisje që janë shumë të vështira, mund të jetë një vlerë afro rreth 800-900 mijë dollarë, në tre vite që ka operuar ky program, me të cilët janë pajisur me laboratorë shumë të mirë departamenti i Biologjisë, i Kimisë dhe i Informatikës. Ajo që doja t’u thoja, është se kemi pasur dhe mbështetje nga një grant kinez në krijimin e një laboratori të GIS-it, është një profil i departamentit të Informatikës, dhe në bashkëpunim edhe me BKT-në, kemi realizuar dhe një laborator modern dhe me infrastrukturë të plotë, e cila është disponibël për studentët dhe për kërkuesit. Pra, një pjesë të mirë të laboratorëve i kemi eficentë, natyrisht që ka dhe probleme, të cilat ne shpresojmë t’i zgjidhim, në vijueshmëri.

Cilat janë degët më të kërkuara në fakultetin tuaj?

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, të paktën këtë vit që kam unë në drejtim, në pranimet 2012-2013, ka një  rritje cilësore të interesit të programit të matematikës. E kam veçuar dhe e kam thënë dhe në intervista të tjera, sepse për vite me radhë është  përgojuar në mënyrë jokorrekte kërkesa ndaj degës së Matematikës. Matematika është një program që kërkon një elitë të veçantë, nuk është nga ato programe thjesht për të vazhduar një shkollë të lartë, sepse është e vështirë nga vetë natyra e lëndës. Unë po ju them dy fakte: Nga pranimet që janë bërë vjet, 80 % e studentëve janë nga tre preferencat e para, nga të cilët 50 % e kanë preferencë të parë, që do të thotë se është një interes i drejtpërdrejtë. Së dyti, ka interes dhe në programet e tjera, si të informatikës, por ajo që doja të thoja është që në të dy programet e informatikës, sepse ka dy programe studime të bachelor-it, informatikë dhe teknologji informacioni, ka një ulje të mesatares në raport me kërkesën e përgjithshme. Kjo mendoj, se vjen për faktin e mosnjohjes mirë dhe të punës që është bërë në sistemin parauniversitar. Kjo i del për detyrë fakultetit në mënyrë që të organizojë karrierën , informimin në shkollat publike dhe jopublike të arsimit parauniversitar, për t’i bërë të njohur se kush janë këto programe. Ekziston një mendësi në shkollat e mesme se përdorimi i kompjuterit është informatikë. Përdorimi i kompjuterit nuk është informatikë. Kompjuteri është një mjet, informatika është tjetër gjë, teknologjia e informacionit është tjetër gjë. Kjo ndoshta, është mendimi im dhe i grupit që e kemi studiuar, mund të ketë çuar në uljen e tendencës së kualitetit të cilën shpresojmë që në vitet e ardhshme ta rikuperojmë dhe të jetë nga degët më të preferuara, se e preferuar është, por në kualitet duhet të jetë më e lartë . Ajo që unë konstatoj me kënaqësi, është se të gjitha degët në fakt janë të kërkuara dhe ka kualitete në secilën degë dhe natyrisht unë këtë e bazoj në përzgjedhjen, sipas sistemit meritë-preferencë të Maturës Shtetërore të preferencave të para. Kjo më jep të drejtë të them që është e kërkuar.

Po kriteret e pranimeve për studentët e rinj?

Për ciklin e parë pranimi bëhet sipas Vendimit të Qeverisë me Maturën Shtetërore, sipas sistemit meritë-preferencë. Tashmë ata janë të informuar. Të gjithë studentët kanë pesë komponente, mesataren e shkollës së mesme, dy provimet e detyruara dhe provimin me zgjedhje. Shumatorja e tyre përcakton përzgjedhjen. Kritere specifike që ligji na jep të drejtë ne si fakultet, nuk kemi pasur, kështu që, ne presim listën të na vijë nga Ministria në javën e parë, ose të dytë të shtatorit.

Kuotat e Fakultetit të Shkencave të Natyrës për vitin akademik 2013-2014

Atëherë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka një numër shumë të madh studentësh, po flas me shifra të përafërta, vjet kanë qenë 1350 kuota për bachelor-in dhe këtë vit kemi propozuar një rritje të lehtë, rreth 3-4 %, që mund të shkojë te 1400-1450 kuota. Kjo rritje e lehtë nënkupton që këtu ka një ngopje me programet që kemi dhe këtë rritje të lehtë e kemi bërë në dy drejtime; në teknologji informacioni nga 200 që kemi pasur, kemi propozuar 240, dhe në informatikë nga 300 kemi propozuar 350. Kemi bërë një rritje të lehtë për t’i mbështetur këto programe për nevojat që ka tregu. Ndërsa programet e tjera janë pothuaj të njëjtë si në vitin akademik 2012-2013, ruhet pra i njëjti numër. Por, për dijeni, ky numër përfaqëson 25% të studentëve të UT-së, pra afërsisht nëse jam korrekt, UT ka pasur 6000 kuota të pranimit vjet dhe ne kemi pasur rreth 1400, pra 25 %. Kështu pra, është një numër i konsiderueshëm dhe ne duhet të konsolidojmë këtë numër dhe të japim liri pastaj, për në ciklin e dytë. Në ciklin e dytë ne gjithmonë propozojmë kuota në përputhje me pritjen e  studentëve që diplomohen në ciklin e parë, në mënyrë që t’i mundësojmë vazhdimin e studimeve në ciklin e dytë.

Kemi pasur fat, duke u bazuar në projektet UNILAB të Bankës Botërore, që drejtoheshin nga MASH, fakulteti ynë ka përfituar disa projekte në infrastrukturën laboratorike në pajisje që janë shumë të vështira, mund të jetë një vlerë afro rreth 800-900 mijë dollarë, në tre vite që ka operuar ky program, me të cilët janë pajisur me laboratorë shumë të mirë departamenti i Biologjisë, i Kimisë dhe i Informatikës