Prof. dr. Mynyr Koni: Maturantë, ja sa do të jetë numri i kuotave te Shkencat e Natyrës

82
1300 mendohet të jetë numri i kuotave edhe për këtë vit akademik në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (FSHN). Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf” dekani i këtij fakulteti, prof. dr. Mynyr Koni. Sipas prof. Konit, maturantët duhet të zgjedhin programet e këtij fakulteti për shkak të tregut të punës dhe cilësisë që ofron FSHN. Ndërsa sa i takon tarifave, dekani i FSHN-së mendon se, në nivel universiteti, tarifat e shkollimit për studentët e të gjitha fakulteteve duhet të jenë të njëjta. Prof. Koni nuk e sheh të drejtë disnivelin e tarifave të shkollimit edhe brenda universitetit, duke u mbështetur në kriterin kërkesë-ofertë, porse sipas tij duhet bërë një analizë kostoje dhe në bazë të saj të vendosen tarifat, por gjithmonë jo në kurriz të studentëve. Sa i përket financimit, nisur edhe nga specifika e FSHN-së, prof. Koni dëshiron që fakulteti i tij të shihet me prioritet. 
Sapo ka përfunduar plotësimi i formularit A1/A1Z dhe maturantët po bëhen gati për A2-n, ku do të plotësojnë preferencat e tyre. Pse maturantët duhet të zgjedhin Fakultetin e Shkencave të Natyrës?
Kjo është një pyetje e cila si në vitet e mëparshme do t’ju jap të njëjtën përgjigje. Përsa i përket arsyeve pse një maturant duhet të zgjedhë programet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, së pari, fakulteti ynë ka një larmi të madhe fushash studimi që i bën atraktive për maturantët, së dyti, janë në përputhje me tregun e punës që i bën përsëri atraktivë dhe, së treti, mendoj që FSHN ka treguar në mënyre konseguente një korrektësi në zhvillimin e procesit mësimor, në kualitetin e stafit akademik, në rritjen e cilësisë së infrastrukturës dhe kushtet që ofron.
Përmendët infrastrukturën, çfarë e ka rritur cilësinë e saj?
Në mënyrë të vazhdueshme në Fakultetin e Shkencave të Natyrës është parë rritja e cilësisë së infrastrukturës dhe, në këto kushte, unë them që momentalisht ne kemi përmirësuar kushtet në auditorët e fakultetit, një standard i lartë, shumë cilësor, qoftë për pedagogët në mjediset e tyre, qoftë edhe për studentët në sallat e leksioneve. Unë mund t’ju them se këtë vit ne kemi mbi 7 auditore të sistemuara, në kushte shumë moderne të zhvillimit të procesit të mësimdhënies.
Po përsa i përket laboratorëve, si paraqitet gjendja e tyre?
Në lidhje me laboratorët, fakulteti ynë është specifik nga kjo pikëpamje, pranë fakultetit tonë ndodhen 84 laboratorë mësimorë dhe kërkimorë, (natyrisht, këtu ka akoma vend për të ndërhyrë), por ajo çka mund t’ju deklaroj me kënaqësi është që Këshilli i Administrimit ka miratuar totalisht, 100 %, vendimin e Këshillit të Fakultetit përsa i përket reagenteve dhe mjeteve të laboratorit, kërkesa të departamenteve në programet e tyre Nëse në vitet e mëparshme kërkesat kanë qenë pak të kufizuar nga mundësitë, këtë vit janë parë me përparësi absolute. Në lidhje me infrastrukturën e pajisjet laboratorike natyrisht është duke u menduar një projekt i madh, i cili mund të zgjasë disa vite për rinovimin e plotë të laboratorëve.
Po studentët e Universitetit të Mjekësisë vijojnë të zhvillojnë këtu orët e tyre laboratorike? Pra, a është i njëjti bashkëpunim siç ka qenë më parë kur Fakulteti i Mjekësisë ka qenë nën logon e Universitetit të Tiranës?
Më parë nuk ka qenë bashkëpunim por ka qenë detyrim, ishim pjesë e një universiteti dhe kishim detyrimet përkatëse, sot është ndryshe. Ekziston një marrëveshje midis 2 universiteteve midis Universitetit të Mjekësisë dhe Universitetit të Tiranës, në të cilën Fakulteti i Shkencave të Natyrës merr përsipër totalisht mbulimin e lëndëve me stafin akademik të tij, si dhe ofron për studentët e Universitetit të Mjekësisë të gjithë laboratorët për shërbimin e punës në laborator sipas programeve të tyre. Pra, në bazë të kësaj marrëveshje, pedagogët angazhohen si pedagogë të jashtëm në bazë të ligjit dhe studentët vijnë e zhvillojnë të gjithë laboratorët pranë këtij fakulteti.
A kemi një numër të përafërt kuotash, sa do të jenë ato për këtë vit?
Ne jemi në proces të analizës së situatës mbi propozimet për kuotat për vitin akademik 2015-2016. Infrastruktura që ne kemi dhe kushtet, mendoj që do jemi pothuajse në atë nivel kuotash që kemi pasur në mënyrë të vijueshme, megjithatë fjalën e fundit do ta themi kur të na sjellin propozimet departamentet përkatëse, besoj brenda 10 ditësh. 
Ndonjë shifër të përafërt?
Atëherë, në nivel fakulteti, në mënyrë të vijueshme kemi pranuar çdo vit rreth 1300 studentë në sistemin Bachelor. Besoj se do jetë e njëjta shifër me plus minuse të vogla.
Studentët gjithnjë ankohen për rritjen e përvitshme të tarifave. A ka politika fakulteti juaj, përsa i takon tarifave, duke qenë se edhe programet janë më të vështira, për të thithur më shumë studentë cilësorë, kuptohet?
Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka specifika të veçanta në këtë aspekt për 2 arsye: Së pari, janë programne të vështira; dhe së dyti, janë programe që kanë shpenzime. Në këto kushte, në pikëpamjen e një analize, tarifa e shkollimit duhet parë me shumë seriozitet në funksion dhe shërbim të studentëve. Ajo që dua të them është se unë e kam gjetur Fakultetin e Shkencave të Natyrës me një tarifë shkollimi shumë të ulët. Në momentin kur unë erdha si dekan, tarifa e studimit ka qenë 15 mijë lekë të reja, ndërsa tani është 25 mijë lekë të reja. Në pamje të parë duket një rritje shumë e madhe. Nuk është aspak rritje, është një neglizhencë në kohë e nevojës së argumentuar që ka fakultetit dhe detyrimin që duhet të kenë studentët për të kontribuar në rritjen e cilësisë së shërbimit. Nëse e shohim në rang universiteti, përsëri në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka tarifën më të ulët, duke iu referuar çmimit të vjetshëm, ndërsa fakultete të tjera e kanë 35 mijë deri në 45 mijë. Atëherë bëjmë një analizë të thjeshtë, fakulteti që ka më shumë shpenzime ka tarifën më të ulët, që do të thotë se duhet të jetë e kundërta. Sigurisht, unë nuk jam gjithmonë për një korrelacion pozitiv që ai shpenzim të paguhet nga studenti, shteti duhet të marrë përsipër detyrimin për të paguar, por neve nuk kemi pasur asnjë fond të veçantë ekstra për të mbuluar shpenzimet. Porse, falë administrimit të mirë që është bërë nga fakulteti, duhet të them se me ato të ardhura, që janë krijuar, janë përballuar nevojat e parashikuara (nuk them ato të nevojshmet) janë përballuar 100 %. Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka një mbingarkesë të madhe orësh mësimore, afërsisht në FSHN realizohen në vit rreth 70 mijë orë, nga të cilat pjesa e pagueshme (fondi i pagave) është 30 mijë orë, pra, i bie gati 40 mijë orë janë mbingarkesë dhe pedagogë të jashtëm, të cilat përballohen nga fakulteti nëpërmjet tarifave të studimit dhe mund të shkojë minimalisht rreth 50 milionë lekë të reja, që i bie gati 25-30 % e gjithë të ardhurave që krijon fakulteti. Sigurisht, në planifikim, gjëja e parë janë burimet njerëzore. Në këtë kontekst, një barrë tjetër për fakultetin është dhe pagesa e doktoraturave, e udhëheqjes dhe oponencës që realizohen, për të cilët në këtë moment, duke qenë se ne kemi 2 vjet pa marrë kuota, ne i paguajmë me të ardhurat e studentëve. Mund t’ju them se për vitin e shkuar nga ky fond mund të jenë përdorur 20 milionë lekë të reja, që pothuajse shkon në gati 40 % të tarifës së mbledhur për këtë pjesë. Nuk po flas këtu për shpenzimet e tjera të nevojshme. Kështu që, në këtë kontekst, ky fakultet duhet parë në një situatë specifike edhe në aspektin e pagave, pasi siç e keni dëgjuar, jo totalisht fondi i pagave përballohet nga transferta e pakushtëzuar (nëse e thashë saktë teknikisht). Atëherë, kjo përballohet me të ardhurat e fakultetit. Vjet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, afërsisht 30 milionë lekë të reja janë përdorur për mbulimin e pagave. Pra, më shumë se gjysma, 55-60 % e të ardhurave që krijohen në fakultet përdoren për burimet njerëzore. Atëherë pjesa që ngelet është shumë e vogël për shërbimet e tjera. Vetëm shërbimet e përditshme operative, punë laboratori etj., janë një ngarkesë shumë e madhe. Nga ana tjetër, ajo çka e ngre shumë pjesën e buxhetit është shërbimi i sigurisë fizike, që këtë vit e rëndon tërë institucionin dhe jo vetëm fakultetin tonë. Kështu, FSHN për efekt të larmisë dhe shtrirjes që ka; ka ndërtesa kryesore me 4 godinat e tij dhe 3 hyrjet përkatëse, ka Qendrën e Florës Kombëtare, ku bëjnë pjesë 2 struktura të rëndësishme, Muzeu i Shkencave dhe Kopshti Botanik, pra, të gjitha këto kërkojnë ruajtjen fizike të tyre dhe kemi një rritje shumë të madhe të shpenzimeve, rreth 75 % e të ardhurave shkojnë totalisht për këto. Atëherë, çfarë ngeli? Një pjesë shumë e vogël… Kështu që ky fakultet duhet parë me shumë kujdes për specifikat që ka ky. Nuk jam për rritjen e tarifave të studentëve, në funksion të realizimit të këtyre shërbimeve, por jam për rishikimin, qoftë dhe për një rritje minimale të tarifave të shkollimit, për të mirën e studentit dhe të mjediseve. Pra, për gjithë këto shpenzime duhen gjetur burime të tjera. Por nga ana tjetër, për mendimin tim, përcaktimi i tarifave të shkollimit mbi bazën e kriterit kërkesë-ofertë, nuk është e logjikshme, sepse një shtet ka nevojë për çdo profesion. Profesionet që ndodhen në FSHN janë të vështira në shkollë dhe në jetë, por shoqëria ka nevojë për to. Prandaj, duhet menduar që për këto profesione duhet të ketë një specifikë të veçantë nga ana e trajtimit financiar dhe nga kjo pikëpamje unë nuk do isha dakord, (mendimin tim e kam shprehur kudo) që tarifat e studimit të bazohen mbi analizën e kostos, por në kushtet konkrete do të thoja që një student i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në nivelin e Universitetit të Tiranës, të paktën të ketë të njëjtën tarifë shkollimi me studentët e fakulteteve të tjera të UT-së.
Gjithçka ju përmendët më sipër, a ia keni parashtruar edhe Ministrisë së Arsimit që të reflektohen në ligjin e ri të arsimit të lartë? Pra, përsa i përket pjesës së financimit që ka qenë shumë e diskutuar në qarqet akademike…
Aktualisht, jemi në pritje të daljes së ligjit të ri dhe të shohim miratimin e tij dhe të akteve nënligjore. Ne në debatet dhe diskutimet tona, i kemi paraqitur shqetësimet tona nëpërmjet strukturave përkatëse kolegjiale; Këshillit të Fakultetit, departamenteve dhe Senatit të Universitetit të Tiranës.