Prof. Dr. Mynyr Koni: Administrimi i keq i Maturës Shtetërore ka djegur studentë me vlera

675
Sigal

Flet Prof. Dr. Mynyr Koni, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës për maturën dhe problematikat e saj

Administrimi i keq i Maturës Shtetërore ka djegur studentë me vlera. Këtë e ka konfirmuar në një intervistë për “Telegraf” prof. dr. Mynyr Koni, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Në lidhje me abuzimet e mundshme në dy sistemet; të pranimit të studentëve nga universitetet, apo të Maturës Shtetërore, prof. Koni, shprehet se, “abuzimet më të mëdha mund të jenë në Maturën Shtetërore për efekt të administrimit”. Reforma në maturë, mesatarja, rankimi i shkollave të mesme, notat fiktive, programet e reja në FSHN si dhe arsyeja se pse maturantët duhet të zgjedhin këtë fakultet, janë pjesë e bashkëbisedimit me dekanin e Shkencave të Natyrës prof.dr. Mynyr Koni.

 Sapo ka përfunduar plotësimi i Formularit A1/A1Z nga maturantët si dhe regjistrimi i tyre. Sipas eksperiencës suaj, a tregon ndonjë trend përzgjedhja e lëndëve me zgjedhje për destinin e  këtyre maturantëve?

 Pyetja që ju bëni, më tepër është për autoritetin përkatës të këtij procesi që është MAS nëpërmjet AKP-së, se ne në universitete nuk kemi database të këtyre të dhënave, por parimisht unë mund të shpreh se ky moment për maturantët është përzgjedhja e dy lëndëve të Maturës Shtetërore që janë elementë të vlerësimit dhe  konkurrimit përfundimtar. Sigurisht që këto dy lëndë japin një prirje deri diku, por jo të përpiktë në varësi të koeficienteve që ato kanë sipas programeve të studimit. Duhet të kesh një database të caktuar për të dhënë një orientim mbi bazën e lëndëve dhe koeficienteve të lëndëve përkatëse. Për të bërë një analizë të tillë, siç edhe e thashë më parë, duhet database, por besoj se nuk është e domosdoshme dhe t’i hyjmë një analize të tillë, se nuk është shumë sinjifikant ky moment.

 Meqë jemi te koeficientet, kanë qenë fakultetet përkatëse që i kanë propozuar ato dhe ia kanë dërguar MAS. A ka ndonjë ndryshim në koeficientet që keni dhënë ju si fakultet këtë vit?

Ne në fakultetin tonë, në përgjigje të  kërkesës së MAS kemi propozuar koeficientet sipas programit të studimit dhe nuk kemi pasur nevojë të bëjmë ndryshim, se janë përputhur me vitet e kaluara pa asnjë lloj ndryshimi. Janë po ato koeficiente të lëndëve që kanë qenë më parë, sepse janë të stabilizuar nga analizat që kanë bërë departamentet në vite.

 Që do të thotë janë lëndët shkencore ato me koeficientë më të lartë?

 Sigurisht, në programet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës janë lëndët e karakterit shkencor, siç është matematika, fizika, biologjia, kimia me koeficiente më të lartë dhe gjuha e huaj e parë anglisht që është me koeficient 1,3, të tjerat pastaj janë me koeficiente më të ulët 1; 1,1 sipas specifikave të programit.

 Arsimi është në kuadrin e reformave, ju si i shikoni reformat në Maturën Shtetërore dhe cili do të ishte propozimi juaj?

Iniciativa që ka marrë MAS në reformimin e arsimit në përgjithësi dhe në veçanti në reformimin e arsimit të lartë, apo si dhe një pjesë paraprake e saj reformimi në Maturën Shtetërore duhen inkurajuar. Ne ndodhemi prej 8 vjetësh në situatën e pranimit të studentëve mbi Maturën Shtetërore, që në 2006-n, kur doli vendimi i parë nr. 78 dhe sigurisht që kemi probleme, ku duhet ndërhyrë për të përmirësuar këtë proces. Përsa i përket iniciativave të MAS-it për Maturën Shtetërore, të publikuar në media, (unë nuk kam bërë asnjë takim, përsa i përket këtyre problemeve) di që ka bërë një ndryshim në lidhje me pikët që përfaqëson mesatarja e shkollës së mesme. Unë e përgëzoj këtë iniciativë të MAS-it, sepse mesatarja e shkollës së mesme është vlerësimi i një pune 3-vjeçare, punë më e madhe sesa një provim i caktuar. Dhe po të përdorim peshën e ponderimit, si 20 apo 26 % nuk e cenon dhe specifikën e  lëndëve me zgjedhje që përcakton drejtimin dhe programin e studimit. Kështu që është një veprim korrekt në suport të maturantit. Ka mendime të ndryshme që shprehen mbi rankimin e shkollave të mesme. Mendimi im në kushtet në të cilën jemi është që nuk është e domosdoshme ky rankim, për faktin se pesha e shkollës së mesme nuk përcaktohet në atë bazë. Rankimi është i domosdoshëm kur mesatarja e shkollës së mesme është përcaktuese në një masë të fortë, atëherë duhet rankimi. Në kushtet kur nuk është përcaktuese, ku përcaktues janë 4 provimet bazë të Maturës Shtetërore; 2 të detyruar dhe 2 me lëndë me zgjedhje, kjo kërkon që të merren masa të fuqishme në administrimin e provimeve, të rezultateve. Janë këto ato që përcaktojnë në përzgjedhjen dhe vlerën e meritat e studentit në vijueshmëri.

  Këtë vit do i jepet përparësi mesatares së 3 viteve, që besoj se do të thotë që është i rëndësishëm ky rankim…

E konfirmuar me aktet e MAS, mesatarja e shkollës së mesme nga 20 % këtë vit është bërë 26 % dhe lëndët me zgjedhje nga 20 % janë bërë nga 17 %, pra kemi një zhvendosje të përqindjes nga lëndët me zgjedhje te mesatarja. Unë, si njohës i mirë i përllogaritjeve, them se efekti nuk është sinjifikant dhe nuk është i domosdoshëm ky rankim. Nëse do të kemi një rritje të mëtejshme të mesatares në 40 % apo 50 % dhe ulje të peshës së provimeve me zgjedhje, atëherë situata duhet parë, sepse përmbyset vlerësimi.

 Thuhet se ndoshta që vitin tjetër maturantët fitues do të përzgjidhen nga vetë fakultetet përkatëse. Ju si e shikoni këtë?

Në lidhje me reformimin e arsimit të lartë, përsëri është për t’u inkurajuar iniciativa e MAS dhe e qeverisë shqiptare, sepse dhe Ligji i Arsimit të Lartë ka 7 vjet që ka kaluar provën e vërtetësisë në implementimin e institucioneve publike. Unë nuk mund të shpreh një mendim të drejtpërdrejtë për këtë, sepse akoma nuk kemi një draft të komisionit të ngritur për këtë proces. Sigurisht, sapo të kemi këtë draft, ne do të shprehemi dhe për qëndrimet tona.

 E marrim të mirëqenë. Sipas jush a është i mirë ky rikthim mbrapa, sepse mesa di unë Matura Shtetërore u bë pikërisht për të shmangur abuzimet e shumta që bëheshin në përzgjedhjen e studentëve nga vetë fakultetet?

Nëse do të shprehim ndonjë mendim në lidhje me abuzimet e dy sistemeve; të pranimit të studentëve nga universitetet, apo të Maturës Shtetërore, unë mund të them, jo me shifra konkrete, që abuzimet më të mëdha mund të jenë në Maturën Shtetërore për efekt të administrimit. Ndërsa, në lidhje me pranimet nga universitetet, sigurisht, që në atë kohë mund dhe duhet të ketë pasur abuzime, por shpreh bindjen e plotë se ai student që ka pasur vlera, nuk ka humbur kurrë. Matura ka dhënë shembuj që studentët me vlera kanë humbur, që nuk është defekt i maturës, por i administrimit.

 Cilësia e shkollave të mesme nuk është e njëjtë edhe brenda një qyteti, jo më krahasuar me periferitë apo zonat e thella. Matura Shtetërore i jep një peshë të madhe notës, që do të thotë se një 10 e maturantit të zonave të thella, nuk besoj se e njëjtë më një 10 të një shkolle në Tiranë. Prandaj edhe shtrova pyetjen e rankimit të shkollave të mesme, sepse ata nxënës 10-sh të periferive, sot po marrin degët më të mira…

 Ju këmbëngulni përsëri për një rankim. Rankimi, përsa i përket Maturës Shtetërore me këto standarde nuk ka vlerë. Këtë e them me bindje, me këto pikëzime që kanë parashtruar aktet e MAS që do të ketë mesatarja e shkollës së mesme, sepse këtu nuk bëhet fjalë për një vend, po për 6000 vende, vetëm në UT dhe kuptohet si shpërndahet kjo përgjegjësi e madhe. Dhe e dyta, duke iu rikthyer dhe një herë peshës që kanë provimet e detyruara dhe me zgjedhje nën autoritetin e MAS, nëpërmjet  e AKP-së, i thonë që rreth 74 % e vlerësimit bëhen nga këto provime dhe 26 % bëhet nga mesatarja. Shifrat flasin vetë, edhe po t’i kenë të gjitha 10, një 8 e gjimnazit të Tiranës e përmbys atë 10. Sepse nëse jemi në disnivelet e formimit, siç ju paragjykoni, atëherë unë jam një student në shkollën “Sami Frashëri” me mesataren 8,5 në provimet e maturës i marr të gjitha 9, ndërsa një tjetër në x shkollë me 10 dhe merr në provimet e maturës…

Merr sërish 10, sepse në “fshatin” e vet…

Ah, shkojmë prapë atje ku dhe unë fola, që është problemi i administrimit të provimeve dhe jo në pjesën e saj. Duke administruar mirë, nxënësi me 10 fallco, në provim nuk merr as 6 dhe ai e humbet para atij studenti me formim më të mirë e më të plotë. Në thelb dua të them që rankimi nuk është sinjifikativ, veçse se i jep një mbivlerësim. Ndërsa unë mendoj, që ai student në të dyja mundësitë do të fitojë.

 Në këtë pikë maturantët janë të interesuar të dinë nëse Fakulteti i Shkencave të Natyrës hap ndonjë program të ri për këtë vit akademik?

 Nuk kemi ndonjë program të ri. Kemi 10 programe standarde që mund t’i përmend këtu: Biologji, Bio-teknologji, Matematikë, Matematikë Informatike, Informatikë, Teknologji Informacioni, Fizikë, Kimi Industriale, Kimi Ushqimore dhe Kimi e pastër, pra të gjithë shkencat.

 Pse maturantët duhet të përzgjedhin fakultetin tuaj?

Shfrytëzoj momentin e kësaj interviste për t’u thënë kandidatëve për studentë se në Fakultetin e Shkencave të Natyrës bëhen programet bazë të zhvillimit të shoqërisë. Pra të gjitha programet që përmenda, po t’i marrësh një nga një, janë në të gjitha fushat e shoqërisë. Jo vetëm në fushën e ekonomisë, prodhimit, por edhe në fushën e edukimit që është shumë e rëndësishme. Në fakultetin tonë përgatiten mësuesit e bazës së shkollës në arsimin parauniversitar; mësuesit e biologjisë, kimisë, matematikës, fizikës dhe së fundmi mësuesit e informatikës. Ky është dhe programi i ri që do të hapim në fakultetin tonë. Pra në ciklin e dytë të studimeve FSHN do të hapë Master për mësuesi në informatikë. Pra, janë 5 fushat kryesore që shpresoj me punën tonë të vazhdueshme t’i japim një impuls arsimit parauniversitar, që më pas të japë një impuls në studimet universitare.