Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj/Shefik Osmani, ish-mësuesi dhe idhulli im i rinisë

533
Sigal

Përkujtim i figurës së Prof. Dr. Shefik Osmanit në Ditën e Mësuesit

Ideja e përkujtimit të figurës së Prof. Dr. Shefik Osmanit dhe fjalët që i blatojmë atij në këtë tubim shkencor e solemn, janë plotësisht meritore, sepse ai  qe, për një periudhë më se pesëdhjetëvjeçare, mësues, drejtues shkollash të mesme, pedagog në shkollat e larta dhe, mbi të gjitha, studiues dhe didakti më i shquar, si dhe, për hobi, edhe filatelist nga më të parët e më të dalluarit në Shqipëri. Si një prej ish-nxënësve të prof. Shefikut në Shkollën e mesme pedagogjike të Shkodrës, e kam peng nderimi të shpreh fjalë miradije e vlerësime shumë të larta për ish-pedagogun e gjuhës ruse në vitet tashmë të largëta 1958-‘59 dhe ‘59-‘60, kur ai ishte edhe nëndrejtor i Shkollës sonë pedagogjike “Shejnaz Juka” dhe, mbi të gjitha, për mikun e kolegun tim të shtrenjtë, me të cilin, hera e mbarë e pati prurë të ishim për shumë vjet edhe punonjës shkencorë në dy institute që ndanin të njëjtin oborr: Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ku kam punuar unë që nga viti 1977 deri në vitin 1989 dhe Instituti i Studimeve Pedagogjike, ku prof. Shefiku ka punuar për shumë vjet derisa doli në pension. Kanë qenë vite kur takoheshim shpesh, gati gjithmonë në oborr, ndonjëherë edhe në bufenë më të afërt për një kafe dhe, kur ishim vetëm ne të dy, flisnim edhe në gjuhë të huaja, zakonisht italisht, të cilën e dinte shumë mirë dhe i pëlqente ta ushtronte në raste të tilla miqësore. Ai dinte dhe fliste mirë edhe gjuhë të tjera të huaja, përpos rusishtes, të cilën ai edhe e kishte dhënë si lëndë për shumë vjet mbas kthimit nga studimet në Rusi, por tashmë rusishtja nuk ishte “në modë” dhe ne flisnim, sikundër e thashë, më shpesh italisht ose frëngjisht.

Për veprat, veprimtarinë dhe ndihmesat e shumta e Prof. Dr. Shefik Osmanit u fol në kumtesat e parafolësve: Prof. Dr Musa Krajës, kolegut dhe mikut të hershëm e të përhershëm të jubilarit tonë, po edhe nismëtari dhe organizatori i sesionit të sotëm shkencor, si dhe në kumtesat e tjera të kolegeve të tij nga Instituti i Studimeve Pedagogjike, të cilat ndriçuan anë të ndryshme me rëndësi të veprës, botimeve dhe ndihmesave të prof. Shefik Osmanit, duke e cilësuar atë me të drejtë si kryedidakt dhe studiues me profil të gjerë e me ndihmesa të shumta në lëmin e pedagogjisë e të mësimdhënies së shqipes në trojet shqiptare e në diasporë, sidomos në diasporën shqiptare më të re në Zvicër etj. Bashkohem me vlerësimet pozitive dhe me sa shqyrtuan kumtesat që dëgjuam dhe, pa u zgjatur, shkurt dhe duke bërë të mundurën që të mos e shpërdoroj durimin e të pranishmëve të nderuar, kryesisht profesorë, akademikë, miq e dashamirë të jubilarit tonë të nderuar, po lejohem të kujtoj se, kohë më parë, në rrjedhë të viteve, disa herë edhe unë kam shkruar recensione të gjera shtjelluese e vlerësuese për disa prej librave të Shefik Osmanit, si për “Fjalori i Pedagogjisë” (1983), “Pjetër Bogdani” (1996), “Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë” (1998). Vlerësimeve që kam shprehur atëherë u mbahem edhe sot dhe, natyrisht, mbas kaq vitesh, sigurisht se do t’u shtoja edhe ndonjë ravijëzim të ri, gjithmonë në kahun e theksimi të meritave, zellit për studim dhe erudicionit të gjerë e dijeve të thella që kishte ai. Dola këtu, pra, meqë nuk pata ndonjë njoftim me kohë që edhe të nyjëtoja më shkoqur e më mirë një kumtim të përshtatshëm, për të shprehur edhe disa kujtime e vlerësime si ish-nxënës i Prof. Dr. Shefik Osmanit, për të shprehur fjalë miradije e miqësie për të, ndonëse të them se e pata mik, do të ishte një nder i madh, të cilin nuk mund ta kisha unë, sepse ai ishte plot 20 vjet më i madh se unë dhe kishte, para meje, aq shumë kolegë e miq të tjerë, të shkollës, të punës e të jetës, që e donin dhe e kishin kurdoherë në mes, ose në krahun e tyre të djathë. Mund të them, po, kam pasur dashamirësinë e tij, më ka begenisur e ka ndarë me mua çaste miqësore dhe unë, gjithmonë, kam mbajtur me gëzim rolin e atij që përjeton e ndien praninë e pranimin nga një burrë i madh e ish-mësues si Ai. Ato vite, në oborrin e dy instituteve tona dilnin grupe-grupe studiues të mëdhenj të atyre kulmeve, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Mahir Domi, Androkli Kostallari, Hamit Boriç etj., vinin aty edhe dijetarë nga rrethet, sidomos nga Shkodra, Kolë Ashta, Jup Kastrati, Vehbi Bala etj., dhe, për neve më të rinj në moshë, Shefik Osmani ishte po aq i rëndësishëm e i adhurueshëm sa ai brez burrash të shquar, që nuk di a t’i vijnë më kombit tonë. Kam pasur gëzimin, kënaqësinë e nderin të jem një nga ata që kam përfituar nga dija, këshillimet dhe qëndrimi, qoftë edhe për çaste të shkurtra, më një burrë si Shefik Osmani. Në vitet 2002-2006, kur isha drejtor i Departamentit të Gjuhës Shqipe, disa herë e kam ftuar prof. Shefikun për ligjërata në kurset verore me të huajt dhe ai, jo vetëm na është përgjigjur, por edhe ka mbajtur leksione shumë të bukura e të vlerësueshme për pjesëmarrësit. Nuk mund të lë pa thënë edhe një fakt që jo vetëm na linte mbresa, por edhe na ka vlejtur si shkollë estetike në moshën tonë të re: veshja dhe kujdesi i prof. Shefikut për pamjen e tij të jashtme, si pjesë e tregues i rregullit dhe i disiplinës prej mësuesi model. Në vitet ‘60, në Shkodër kur dikush donte të blinte ndonjë stof të mirë për kostum, shitësit i thoshin “blije, se askush s’e ka, veç po e pati edhe prof. Shefiku”. Veshja e hijshme, pastërtia dhe estetika e tij, ashtu si edhe e disa prej ish-pedagogëve të tjerë, sidomos e Pashko Gecit, që edhe në ditët me llohë e baltë, mund të shikohej si në pasqyrë në lustrafinën e këpucëve të tyre, na kanë mësuar si të vishemi, si të mbahemi e si duhet të bëheshim në jetë. Me një fjalë të Mbishkodrës sime, Shefik Osmani, mund të cilësohet “si e ke lypë, ashu është gjetë”:  i ditur, i gatshëm për përgjigje të shpejta e për replika mbresëlënëse, me kujtesë të jashtëzakonshme e një repertor vjershërie të nxënë e të mbajtur mend në mënyrën më mahnitëse dhe, gjithmonë, me pamjen e një shkodrani tipik: burrnor e fisnik, serioz dhe dashamirës, kur duhet e sa duhet. Dhe, krejt në fund, ndonëse është edhe prekëse, do të theksoj: Shefik Osmani, bashkëshort i zonjës së nderuar, prof. Urti Osmani, ashtu si Martin Camaj, si Kolë Ashta etj., nuk la as bij, as bija, porse ai na la një mal me libra e ndihmesa të vyera, prej të cilave lulëzohet e begatohet mendja e çdo të riu që i do shkencën e diturinë. Së fundmi, por jo për nga rëndësia, dua të përmend qëndrimin e drejtë e parimor të Prof. Dr.  Shefik Osmanit ndaj gjuhës shqipe e procesit të njësimit, unifikimit mbarëkombëtar e standardizimit të saj, duke dhënë shembullin e vet të dalluar e mbrojtës ndaj saj, që shfaqet, qysh nga bukurshkrimi e deri te mëtimi i tij për të nyjëtuar e krijuar duke qenë kurdoherë edhe model të shkruari për pasuesit e tij.