Prof. Dr. Edmond PINGULI/ Dhënia e pamerituar e gradave dhe titujve shkencorë ka degjeneruar universitet tona

738
Sigal

Ngritja e nivelit pedagogjik-shkencor i shkollave, është baza në rrugën e bashkimit me familjen Europiane

Toni Bler ka thënë: Potenciali njerëzor është pasuria më e çmuar e një kombi

E filloj shkrimin tim me këtë sentencë, që për nga thellësia e arsyetimit konciz ka vlera sa tekniko-ekonomike, po aq edhe vizionare, për të ardhmen e sigurt të një vendi të zhvilluar. Duke e analizuar me kujdes dhe fjalë për fjalë, nxjerrim konkluzionin e madh, se pa zhvillimin e trurit të kombit, nuk mund të ketë zhvillim perspektiv shoqëror. Gjithashtu, kjo është një thirrje për veprim të shpejtë dhe të kujdesshëm, por gjithashtu një kushtrim për ta patur gjithmonë në mendjen tonë, planifikimin programor rigoroz të kësaj çështjeje, tepër të ndjeshme dhe delikate.

Po t’i referohemi zhvillimit historiko-shoqëror të popullit dhe vendit tonë, vërejmë me krenari të ligjshme dhe dinjitet kombëtar, se zhvillimin e arsimit ky komb i lashtë e ka patur gjithmonë si një ëndërr të bukur. Për ta bërë realitet atë ai ka derdhur gjakun e tij të pastër, që u bë simbol adhurimi për të gjithë ne shqiptarët në çdo kohë.

Është kënaqësi e madhe për mua si për të gjithë shqiptarët kudo qofshin, që me jepet rasti, për të shprehur me shumë dashuri dhe konsideratë të lartë, vlerësimin tim për të gjithë ata martirë, të cilët sakrifikuan jetën për këtë qëllim sa sublim, po aq edhe fisnik. Këtu mund të përmend atdhetarët tanë të shquar si: Kostandin kristoforidhi, Papa Kristo Negovani, Jani Vreto, Petro Nini Luarasi, Sotir Peci, Koto Hoxhi, Pashko Vasa, naim e Sami Frashëri, Çajupi, Fan Noli, Mihal Grameno, etj., të cilët jetuan dhe punuan në shekullin e 19-të. L. Tolstoi thoshte : Njeriu vdiq, por lidhja e tij me botën vazhdon të veprojë mbi njerëzit dhe jo vetëm si atëherë kur ai ishte gjallë, por edhe shumë më e fuqishme. Gjithashtu dua të kujtoj me respekt të thellë shkencëtarët tanë të shquar të shekullit te 20-të si: Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Eqerem Çabej, Mahir Domi, Skënder Luarasi, Shaban Demiraj, Kareman Ylli, Hamit Beqja, Bedri Dedja, Petrit Radovicka, Kiço Negovani, Ylli Popa, Frederik Shiroka, Fejzi Hoxha, Petro Cani, Ferdinand Paparisto, Qazim Turdiu, Sotir Kuneshka, Pepi Pilika, Kolë Popa, Kristaq Fundo, Minella Karajani, Hasan Ceka, Muzafer Korkuti, Eshref Pumo, Tahir Haxhiymeri, Petraq Vasili etj., të cilët punuan me devotshmëri dhe sakrificë, por për fatin e tyre të keq, duke dhënë gjithçka pa marrë asgjë.

Këta përfaqësues të denjë të asaj klase intelektuale, e cila me pasion, vullnet, dashuri, këmbëngulje dhe përkushtim, përballuan me sakrificë dhe vetëmohim një ndër sfidat më të forta që kombi ynë ka përballuar me sukses gjatë gjithë historisë së tij të lavdishme për ekzistencë në shekuj dhe pikërisht programin madhështor mbarë kombëtar të arsimit. Kjo luftë titanike u bë realitet, duke qenë e pranishme sot kudo. Drita e saj rrezatohet me force në çdo skaj të atdheut tonë të dashur, duke mbështetur çdo celulë të zhvillimit politiko-shoqëror dhe tekniko-ekonomik të tij. Po ju kujtoj një thënie të N.FRASHËRIT: Punë, punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë.

Në këtë periudhë të vështirë 20-vjeçare postkomuniste që jetuam, mësuam se është shumë i vështirë kalimi nga një sistem politiko-ekonomiko-shoqëror në një tjetër. Kjo na bën akoma më të ndërgjegjshëm, se rruga për ndërtimin dhe funksionimin e sistemit perëndimor, në të cilën ne të gjithë me koshiencë të plotë duam të integrohemi sa më shpejt, është akoma më e vështirë. Vështirësia qëndron pikërisht në konceptet bazë të këtij sistemi, me të cilat ne të gjithë duhet të familjarizohemi. Unë dua të përmend disa nga më kryesoret:

1.Të luftojmë në ndërtimin e shtetit ligjor, i cili duhet të jetë: transparent në veprimet e tij, konsekuent në hartimin e programeve afat-shkurtra, të mesme dhe të gjata, prudent në zbatimin e tyre, mbështetës për biznesin vendas dhe të huaj, partnerë dinjitoz në këtë biznes, hartimin e ligjeve sa favorizuese po aq edhe kërkuese ndaj biznesit, ndërtimin e një administrate të pakorruptuar, vendosjen e njerëzve me aftësi të njohura në drejtimin e punëve në të gjitha hallkat e shtetit, të luftojë me vendosmëri shfaqjet që shoqërojnë në çdo hap shoqërinë tonë si: korrupsionin, kontrabandën, drogën, prostitucionin, etj., si dhe të sigurojë plotësisht lirinë e njeriut. Pra me pak fjalë duhet të kryhet, duke shprehur në shkallën e duhur dëshirën, vullnetin, sinqeritetin dhe këmbënguljen, realizimi i një reforme të thellë institucionale, shtetërore sipas standardeve “Euro-Perëndimore”.

Të luftojmë në ndërtimin e një sistemi gjyqësor të reformuar të pavarur, dinjitoz, kompetent, ligjor, të pakorruptuar, etj.

2.Të luftojmë që të ndërtojmë një politikë të jashtme dinjitoze, korrekte, profesionale, largpamëse dhe me perspektivë.

3.Të luftojmë, që të emancipojmë politikën në vend në mënyrë që të ç’tensionojmë jetën shoqërore.

4.Të luftojmë, që të demokratizojmë dhe të reformojmë procesin shumë delikat të zgjedhjeve parlamentare dhe të pushtetit lokal.

5.Të luftojmë, që të ndërtojmë një sistem arsimor me parametra bashkëkohore në përputhje me zhvillimin ndërkombëtar.

Universitetet shqiptare dhe problemet e tyre

Nuk marr përsipër në këtë material të analizoj gjerësisht problemet që përmenda më sipër, ose të vazhdoj të përmend të tjera, sepse nuk është qëllimi im këtu. Unë do të ndalem pikërisht te njëra prej tyre, e cila më ka shqetësuar, me shqetëson dhe do të më shqetësojë gjithmonë, për arsyen e vetme se ka një rëndësi kardinale në ecjen tonë përpara, gjithmonë të sigurt. Pikërisht të përmirësimit rrënjësor të vizionit dhe rrugën në të cilën duhet të fusim parametrat e programeve arsimore në “UNIVERSITET”. Për këtë problem madhor të gjithëve na del një detyrë sa imediate dhe koherente, të mendojmë shumë seriozisht, duke punuar vazhdimisht me impenjim. V.Hygo thoshte: E ardhmja u takon dy tipa njerëzish; njeriut të mendimit dhe njeriut të punës, të cilët që të dy përbëjnë një tërësi të vetme, sepse të mendosh do të thotë të punosh.

-Problemet me të cilat përballet sot arsimi ynë i lartë janë të vogla dhe të mëdha. Ai ndodhet në një gjendje apatie dhe gati të mjerueshëm si dhe pa një mbështetje serioze shtetërore. Jeta mësimore-shkencore kalon me vetërrjedhje, duke krijuar një ambient vegjetues dhe të varfër. Por të kënaqurit me pak tregon krizën e madhe të besimit, që këto kuadro të nderuara po kalojnë pa koshiencën e tyre. Një nivel i tillë i jetës akademike jo vetëm duhet të na shqetësojë, por mund të themi me keqardhje se duhet të tmerrojë të gjithë shoqërinë tonë, sepse një vend pa studime dhe kërkime është i destinuar të vrasë të ardhmen e vet. Prandaj duhet të ngrihemi të gjithë me shpejtësi si një trup i vetëm për të programuar dhe mbështetur me forcë, me dinjitet, me vendosmëri e vazhdimisht si dhe duke e ngritur zërin lart për të futur në rrugën e drejtë të zgjidhjes këtë problem mbarë kombëtar.

Jul Qezari thoshte: Duhet të çmojmë shumë shpejtësinë, por njëkohësisht fatin dhe guximin për ta kapur.

-Mendoj se për t’ia arritur qëllimit për të cilën unë parashtrova më sipër si dhe për ta mbajtur gjithmonë problemin në qendër të vëmendjes, duhet medoemos të hartohet një platformë e qartë dhe e saktë e zhvillimit të mëtejshëm dhe bashkëkohore të Universitetit. Programi afat-shkurtër, i mesëm dhe i gjatë me objektiva konkrete mbi bazën e një diskutimi të hollësishëm të “Trupit Akademik” si dhe miratimi nga ana e Qeverisë, do të vendosin mbi baza shkencore dhe bindëse arritjen e qëllimit final. Ky qëllim duhet të bëhet mobilizues, konkurrues dhe inkurajues për të gjithë. Kjo do të rrisë vetëbesimin në punën, forcën, energjinë dhe përkushtimin e dhënë nga secili, duke menduar se e gjithë kjo sakrificë dhe mundim nuk do të harxhohet kot.

-Për këtë qëllim duhet të kemi parasysh mirë, që të fillohet nga ringritja e autoritetit të institucionit në lartësinë që e kërkon, si koha dhe integrimi i vendit tonë në “Komunitetin Europian”. Vlefshmëria e këtij procesi të vazhdueshëm është garanci e plotë për besueshmërinë dhe sigurinë e punës reformuese, që do të zhvillohet aty. Njëkohësisht, krahas kësaj është domosdoshmëri e kohës ngritja e autoritetit të drejtuesit të këtij institucioni në nivelin maksimal, ne mënyrë që të shërbejë si mbështetje e fortë, për të kryer operacionet e thella reformuese, që kërkon re forma e hartuar nga ne të gjithë si dhe nga “Organizmat Ndërkombëtare”. Ky është ekuacioni bazë matematik që do të shërbejë në themelin e strategjisë e taktikës tekniko-shkencore-mësimore, si një garanci për arritjen e suksesit dhe ecjen tonë gjithmonë përpara. Bindja jonë është se zgjedhja e njeriut të duhur dhe në kohën e duhur, është zgjidhja e saktë e këtij ekuacioni shumë të vështirë. Në këtë pikë është shumë e rëndësishme dhe primare të triumfojë ndjenja e interesit kombëtar si dhe përgjegjësia historike karshi kombit. Xhefersoni thoshte: Kur nëpunësi zë vend dhe shikon kolltukun e zyrës së tij me dashuri të madhe, që nga ky çast ndërgjegjja e tij fillon të shkërmoqet.

-Universiteti duhet të shkojë drejt standardeve të industrializuara, të cilat i praktikojnë partnerët tanë perëndimorë. Por kjo do të arrihet pikërisht mbi bazën e platformës bazë të hartuar për këtë qëllim, e cila në themel të saj duhet të ketë të përcaktuar qartë e mirë, adoptimin në kushtet e zhvillimit të sotëm të normave Europiane. Kjo do të bëjë që ne të kemi një zhvillim ritmik, por me qëllim final, që shpejtësia e tij të rritet nga koha në kohë. Njëkohësisht vendosmëria jonë për ta kthyer këtë institucion të rëndësishëm në një vatër të realizimit te ideve, studimeve dhe projekteve kërkimore-shkencore, do të rrisë frymën e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar. Po ju kujtoj një thënie të Ajnshtajnit se: Kushtet e domosdoshme për arritjen e suksesit në kërkimet shkencore janë  vetëmohimi, durimi, shpirti shoqëror dhe synimi për bashkëpunim.

-Për këtë arsye, ne duhet domosdoshmërish të rishqyrtojmë ligjin mbi “Arsimin e Lartë”, i cili duhet të përshtatet mbi bazën e konjukturave dhe zhvillimeve imediate, për të mos u bërë pengesë për ecjen përpara. Ky modifikim i nevojshëm do të jetë i vazhdueshëm dhe nuk duhet parë si “Tabu” për të vetmen arsye, se përshtatja me realitetin gjithmonë të ri, me të cilin ne do të përballemi, të mos bëhet kurrë pengesë. Njëkohësisht rregullimi i marrëdhënieve institucionale “Universitet-Shtet” mbi bazën e këtij kuadri ligjor të drejtë, gjithashtu të mos bëhet asnjëherë pengesë, për një zhvillim progresiv dhe real, për të cilin ky institucion shumë i rëndësishëm ka nevojë imperative. Këtu një rëndësi parësore dhe të veçantë ka çështja e vazhdueshme dhe totale (Depolitizimi) i këtij institucioni publik nga politika dhe influencat e saj. Në këtë mënyrë ai do të jetë plotësisht i lirë, për të zhvilluar më tej fizionominë e tij, të përcaktuar qartë dhe pikërisht atë të dhënies së dijeve sa më bashkëkohore, përgatitjes së trurit sa më të kompletuar si dhe hapjes së perspektivës për programe cilësore mësimore-shkencore të përhershme.

-Mendoj se për të arritur qëllimet, të cilat analizova më sipër, duhet detyrimisht të kalohet hap pas hapi në një “Ekonomi të Pavarur”. Kjo është shumë e nevojshme, për të vetmen arsye se, decentralizimi i pushtetit tek ne ( pushteti qendror, lokal, politik, ekonomik, etj,), për t’iu afruar ekonomive perëndimore në rrugën e tij të vështirë, por shumë të nevojshëm, të inkuadrimit në parametrat e vendosura, e ka bashkudhëtare këtë. Duam apo nuk duam ne, zhvillimi i detyruar i shoqërisë tonë, për t’u integruar në “Komunitetin Europian”, nuk mund të kuptohet apo të përfytyrohet pa këtë decentralizim ekonomik të “Universitetit”. Por këtu duhet të kihen parasysh mirë, hapat që do të hidhen për këtë qëllim, të cilat duhet të jenë të studiuara racionalisht dhe optimalisht, në mënyrë që të mos ndodhemi para të pa priturave jo të këndshme. Në fund të fundit këtë decentralizim duhet ta shohim në kompleks me atë të gjithë ecurisë së reformave në jetën politiko-ekonomiko-shoqërore si dhe në korrelacion dhe rezonancë të plotë me të. Pra, duhet gjetur pikërisht ai model aplikativ, që do të shërbejë si bazë për sot dhe me modifikimet e nesërme, për kalimin e këtij “Universiteti Publik”, nga vartësia e plotë financiare prej shtetit, në një formë tjetër, e cila krijon premisë për rritjen hap pas hapi të autonomisë së tij. Me këtë rast dua të theksoj, se i duhet dhënë përparësi zgjidhjes së problemit shumë të rëndësishëm dhe pikërisht të përmirësimit të gjendjes ekonomike të “Profesoratit”, e cila ndikon në mënyrë parësore në hapin programor që duam të arrijmë.

-Krahas kësaj ne duhet të këmbëngulim me seriozitet dhe vendosmëri, në zbatimin me përparësi të marrëveshjeve, për të cilat ne kemi rënë dakord t’i aplikojmë. Pikërisht këmbëngulja e treguar në këto raste, rrit autoritetin, seriozitetin dhe besueshmërinë tonë si dhe shërben për të ngritur prestigjin e institucionit që ne përfaqësojmë ndaj institucioneve perëndimore. Pikërisht aplikimi dhe zbatimi i “Marrëveshjes së Bolonjës” në kushtet konkrete të zhvillimit të procesit reformues të jetës akademiko-universitare, do të rrisë kredibilitetin tonë në sytë e botës së huaj. Kjo, për vetë faktin e thjeshtë, se tregon në këtë mënyrë, se ne jemi seriozë në zbatimin me përpikëri të atyre detyrave, që ne marrim përsipër t’i kryejmë. Duhet detyrimisht t’i kushtohet me përparësi dhe sa më shpejt kujdes i madh dhe i veçantë, përpjekjeve për të luftuar me vendosmëri varfërinë e aktiviteteve shkencore të departamenteve dhe fakulteteve, në dobi të nivelit metodiko-shkencor të mësimdhënies. Njëkohësisht, kjo do të ndikojë dukshëm në gjallërimin e jetës akademike dhe pedagogjiko-shkencore të tyre. Këtu një rëndësi të veçantë do të merrnin marrëdhëniet me “Universitetet e vendeve të tjera në kuadër të shkëmbimit të përvojës dhe ndihmës që ne na duhet, për të freskuar dhe modernizuar programet mësimoro-shkencore me konceptet dhe metodat e kohës. Në këtë aspekt vlen të përmendet binjakëzimi dhe bashkëpunimi me anë të shkuarjes në vend si dhe shkëmbimit të përvojës dhe njohjes së saj konkretisht duke u specializuar stafi i mësimdhënies. Mundësitë për këtë qëllim janë të vogla, por me përpjekje të gjithanshme, realizimi i tyre mund të arrihet. Këtu një rol të rëndësishëm për të siguruar bashkëpunim, luan dhe përgatitja dhe qëllimi për të përvetësuar dije sa më tepër të vetë specialistit. Temat e zgjedhura për këto bashkëpunime duhet të jenë të nivelit të tillë, që të zgjojnë interesin e të huajit. Rol parësor për të arritur këtë, duhet të luajnë sektorët përkatës të marrëdhënieve me jashtë të institucionit, të cilët duhet të bëjnë një punë hulumtuese dhe programuese të një niveli të lartë dhe profesional. Ato duhet të ushqejnë vazhdimisht fakultetet me materiale programore të të gjitha fushave, në mënyrë që të mbajnë në gjallëri të plotë dhe gjithmonë në lëvizje, marrëdhëniet reciproke përfituese dhe dobiprurëse në botën e jashtme, gjithmonë në zhvillim të institucioneve të huaja.

-Një rëndësi të madhe ka në këto momente organizimi i konferencave, seminareve dhe sesioneve shkencore si brenda ashtu dhe jashtë vendit, por sigurisht duke synuar për një pjesëmarrje në ato jashtë vendit, sepse aty reflektohet saktësisht përvoja shkencore vetjake dhe përgjithësuese, e arritjeve në fusha të ndryshme të zhvillimit teknik dhe aplikativ. Kjo bën që kontaktet direkte të shtojnë gamën e njohjes dhe perceptimit të zhvillimit, problemet e trajtuara apo ato që janë në trajtim e sipër si dhe zgjidhjet racionale optimale të parashikuara në ato. Ky lloj ballafaqimi i vazhdueshëm, hap gjithmonë horizonte dhe perspektiva të reja, në përshtatje me përmirësimin e vazhdueshëm konceptual të programeve të hartuara, duke qenë gjithmonë në koherencë të plotë me zhvillimin ekonomiko-politiko-shoqëror në përgjithësi si dhe të atij programor mësimoro-shkencor të “Universitetit” në veçanti. Mbajtja gjallë dhe sa më në sinkron të këtij ekuilibri, shërben për ecjen përpara paralelisht gjithmonë, në ngritje të arsimit të lartë.

-Në këtë kontekst vlen për të përmendur punën e madhe dobiprurëse, perspektive dhe rinovuese, që duhet të bëjmë, për aftësimin hap pas hapi dhe të programuar të stafit akademik të ri mësimdhënës, nën drejtimin me përkushtim dhe profesionalizëm nga ai i vjetër. Duhet të luftohet me konsekuencë dhe me plan, që ky rinovim të jetë sa më cilësor po aq dhe elitar. Përpjekjet për këtë qëllim duhet të jenë të gjithanshme, si për ta kryer atë sipas mundësive jashtë vendit, ashtu dhe brenda tij. Nuk lejohet tolerimi në përgatitjen cilësore të disertantit, siç ka ndodhur në këtë 20-vjeçar, sepse i shërbehet shumë keq si cilësisë së përgatitjes shkencore, por mbi të gjitha atij vetë dhe opinionit që krijohet. Një proverb popullor thotë: Një budalla i ditur është më budalla se një budalla ip ditur. Të ruajtë zoti nga “Xhahilat” me shkollë!

Duke dhënë grada dhe tituj shkencorë të pamerituara, degjeneron plotësisht si qëllimi po ashtu dhe respekti për vlerën e gjithanshme edukuese, frymëzuese, përkushtuese, dalluese e sakrifikuese të konkretizimit me sukses, të një pune krijuese dhe mbresëlënëse, të cilën e arrin njeriu në jetën e tij. Në këtë rast i bëhet një shërbim i pa merituar si dhe me pasoja të rënda dhe të pa riparueshme institucionit, sepse në këtë mënyre stimulon pa aftësinë, stanjacionin, regresin, llafallogjinë, etj., si dhe vetëm zhvillim dhe hop cilësor nuk stimulon. Vlera e çmuar e të kryerit të një pune të tillë, e bën atë, që të mendojë se është dhe mund të arrijë të bëjë diçka i pavarur, e cila e meriton gjykimin dhe vlerësimin e të tjerëve. Pra në fund të fundit është të ndjerit e kënaqësisë, se ke prodhuar diçka nga vetja dhe se mund të ecësh me këmbët e tua në shkencë.

-Një tjetër aspekt i gjallërimit dhe evoluimit të jetës aktive frytdhënëse dhe dobiprurëse në universitet, është angazhimi konstant i profesoriatit në hartimin e studimeve, projekteve dhe recensave e oponencave të ndryshme shkencore, në mbështetje të zhvillimit tekniko-ekonomik dhe shoqëror të vendit, duke u bërë gjithashtu një mbështetje dhe hallkë e fortë ndërmjetëse për “Qeverinë”. Në sistemin e kaluar kjo gjë kishte aplikim të gjerë, si një metodë efikase dhe me dobi reciproke. Në qoftë se atëherë shihej në aspektin e kontrollit, që aplikonte shteti mbi investimet dhe problemet që ai kishte, por ama pa sjellje të mira materiale për individin, kjo punë e pa paguar dikur, sot mund të ketë vlera monetare, që do të shkojnë në dobi të ngritjes së nivelit material të profesoratit. Njëkohësisht, kjo do të ndikojë shumë edhe nga ana shpirtërore, sepse ngre moralin e tij, duke e bërë atë të ndërgjegjshëm, me vlerat që ai duhet të bëjë, për ngritjen e vazhdueshme profesionale dhe për rolin aktiv që duhet të luajë në zhvillimin e vendit, etj.

-Një kujdes tjetër i madh duhet treguar në zhvillimin e mëtejshëm dhe cilësor të laboratorëve, kabineteve, auditorëve si dhe futjen masivisht të lidhjes me internetin. Pa një infrastrukturë moderne nuk mund të ketë sot një përparim shkencor modern. Kjo është një detyrë parësore, e cila lidhet me investimet, që duhet të bëjë qeveria. Ministria e Arsimit po bën një punë shumë të mirë në këtë drejtim, duke intensifikuar futjen dhe përhapjen e informatikës në programet mësimore të shkollave. Ky është një hap i madh që po bëhet, i cili meriton përgëzimet e të gjithëve, por kjo punë shembullore duhet të marrë karakter masiv. Sot informatika është element përcaktues në zhvillimin ritmik të një vendi, duke luajtur një rrol bazë në arritjet shkencore të tij. Guximi i treguar për ta çarë këtë rrugë dhe familjarizimi me të, do të ketë të mira të pallogaritshme dhe të paimagjinueshme në të ardhmen. R.Regan thoshte: “Do të shkojmë përpara, e ardhmja është e njerëzve që guxojnë, jo e frikacakëve”.

-Pikërisht, në këtë të ardhme që ne të gjithë po piketojmë dhe projektojmë, një vend shumë të rëndësishëm zë brezi i ri, që ne duhet të edukojmë. Përgjegjësia për këtë problem duhet të kuptohet nga të gjithë, që është me karakter kombëtar. Nuk mund të ketë lulishte të bukura pa lule të bukura. E pra këto lule të bukura na takon ne, që ti mbjellim, Por duke u kthyer dhe kujtuar të kaluarën në retrospektivë, vërejmë me krenari, se kështu na mbollën edhe ne dikur si lule të parët tanë, dhe u bëmë tani pemë shumë të bukura. Detyra jonë e madhe është të kujdesemi me dashuri dhe atdhetari, që kjo lulishte të lulëzojë siç duhet. TAGORA thoshte: “Gjethja kur dashuron bëhet lule, dhe lulja kur dashuron bëhet fryt”. Këtu pikërisht do të ndalem tek studentët, të cilët kanë treguar gjithmonë, se e duan atdheun e tyre, por që ai të jete i zhvilluar dhe i integruar, duke ju krijuar atyre një të ardhme të sigurt, të qetë dhe me perspektivë. Ata kanë nevojë për përmirësim të vazhdueshëm dhe trajtim për kushtet e jetës si dhe të mësimit të tyre. Ne duhet të jemi sa më afër shqetësimeve dhe kërkesave të arsyeshme dhe imediate, sepse vetëm kështu ata do të ndjejnë respekt, detyrim dhe përgjegjshmëri, si dhe do të jenë të qetë për të ushtruar aktivitetin e tyre mësimor. Ata janë të etur për dije si dhe gjithkush ka objeksionet dhe ëndrrat e tyre. Ne na takon që ti mbështesim ata në çdo hap të rrugës së tyre të vështirë, por të bukur të formimit intelektual dhe profesional.

Hartimi i programeve sa më serioze, i teksteve sa më bashkëkohore, kërkesat sa më rigoroze nga ana jonë për asimilimin e këtyre dijeve nga ana e tyre, përgatitja nga ana e tyre e diplomave me tema sa me konkrete si ndjekja jonë vazhdimisht me durim dhe obligim, do të sjellë rezultate të shkëlqyera në detyrën patriotike të formimit të “BASHKËKOMBËSAVE TË RINJ” me idealin që t’i shërbejnë Atdheut me profesionalizëm, ndershmëri dhe përkushtim.

Këtu dua të ndalem në një pikë shumë serioze dhe delikate, që ka të bëjë pikërisht me mbështetjen ekonomike në lehtësimin e shpenzimeve të tyre. Kjo konsiston pikërisht në nivelin e harxhimeve, që ata janë të detyruar të blejnë librat. Këtu duhet të mendojmë për subvencionime të shtetit në drejtim të uljes së çmimit të tyre. Në këtë drejtim meriton prapë të përgëzohet hapi që po merr Ministria e Arsimit, duke iniciuar nismën, për të gjetur një mundësi aplikative për zgjidhjen e këtij problemi.

Dua të përmend këtu me respekt punën e lavdërueshme që kanë kryer Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike, në drejtim të bashkëpunimit në përgatitjen nga ana e studentëve të diplomave me universitetet perëndimore. Me këtë dua të tregoj, se me një ndihmë minimale, por me vendosmëri dhe siguri për të ecur përpara, mund të arrijmë gjithçka. M.Theçer thoshte: Asgjë nuk është më e fuqishme sa ambicia e gërshetuar me ide të qarta dhe të vëna në jetë me durim dhe këmbëngulje. Rritja e mbështetjes me prioritet nga ana e “QEVERISË”, kam bindjen e plotë, se do të jetë një shtysë vërtet e fuqishme, për të çuar përpara “MAKINËN E MREKULLUESHME ME EMRIN UNIVERSITET”. Duhet me doemos dhe sa më shpejt, të ndërrojmë praktikat e punës të aplikuara deri tani, duke revolucionarizuar gjithçka në stadin aktual, për t’iu përgjigjur me vendosmëri sfidave që na presin në të ardhmen. TALERIANI thoshte: “Praktikat e vjetra me shumë vështirësi u lëshojnë vendin metodave të reja edhe kur kushtet bazë të punës prej kohësh ndryshuan, kurse ata që punojnë atje nuk duan ose nuk janë në gjendje, ta kuptojnë këtë”.

Si përfundim, dua të theksoj, se nuk kam marrë përsipër të analizoj punën e gjithanshme në universitet. Por qëllimi im është që të shfaq disa mendime, ashtu siç kam dëgjuar dhe lexuar në shtypin e ditës, të shfaqura me shumë shqetësim nga personalitete të ndryshme, që e meritojnë të dëgjohen me shumë kujdes nga të gjithë, të cilat mund të shërbejnë sadopak, në përmirësimin e gjendjes në këtë institucion kombëtar. Kjo shtysë më vjen pikërisht nga një ndjenjë e thellë respekti, dashurie, dhembshurie dhe detyrimi të madh, që kam për shkollën time të dashur, e cila është një nga dashuritë e mëdha, që njeriu gëzon në jetën e tij të shkurtër, por shumë dobiprurëse. LA ROSHFUKO thoshte: “Mendimet e mëdha vijnë nga ndjenjat e mëdha”.