Prof. Dr. Bajram Hysa:Ja kriteret dhe procedurat për të ndjekur specializimet e Mjekësisë

812
Sigal

INTERVISTA/Flet Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Bajram Hysa për kriteret

Fakulteti i Mjekësisë ka hartuar draft-rregulloren për specializimet e mjekësisë. Por edhe pse është hartuar draft-rregullorja ajo pritet që të miratohet nga këshilli i Ministrave dhe pastaj të fillohet puna për procedurat e tjera. Në lidhje me kriteret dhe mënyrën e vlerësimit që përmban rregullorja ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Bajram.

 -Zoti Hysa është hartuar draft-rregullorja për specializimet e Mjekësisë, cilat janë disa nga pikat më të rëndësishme?

-Po, ne kemi hartuar draft-rregulloren, por akoma nuk është bërë miratimi i kuotave nga qeveria. Dua të theksoj se kuotat e miratuara, programi orientues, data dhe rregullorja e konkurrimit shpallen të paktën 6 javë para datës së konkurrimit. Programi orientues për testin e konkurrimit, përgatitet nga Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë, mbi bazën e kurrikulës së studimeve universitare dhe miratohet nga Dekani.  Lista e kandidatëve të regjistruar i dërgohet Rektoratit të UMT dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës jo më vonë se 3 ditë (pune) përpara datës së konkurrimit. Procesi i regjistrimit fillon jo më vonë se 5 (pesë) javë përpara datës së konkurrimit dhe mbyllet jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë kalendarike përpara datës së konkurrimit. Lista emërore e kandidatëve të regjistruar për konkurrim shpallet në Fakultetin e Mjekësisë, jo më vonë se 3 ditë pune përpara datës së konkurrimit.  Ora dhe vendi i konkurrimit shpallen dhe afishohen pranë  Fakultetit të Mjekësisë dhe nëpër Departamente/Njësi Bazë, të paktën një javë para konkurrimit.

 -Si do të bëhet vlerësimi i kandidatëve që duan të ndjekin specializimet e mjekësisë?

-Vlerësimi i kandidatit do të bëhet me sistem pikësh (maksimumi 1000 pikë të konvertuara). 30% e pikëve (300 pikë të konvertuara) do të vijnë nga nota mesatare e rrumbullakosur me dy shifra pas presjes dhjetore, 60% e pikëve (600 pikë të konvertuara, të rrumbullakosura me dy shifra pas presjes dhjetore) do të vijnë nga testimi me shkrim, i cili do të përmbajë 60 Quize ushtrime në formë testi (Quize) me një ose më shumë zgjedhje ose 60 Problem Based Learning (PBL) dhe 10% (100 pikë) nga intervista. Pikët nga nota mesatare: Nota mesatare 10=300 pikë të konvertuara, nota 9=225 pikë të konvertuara, nota 8=150 pikë të konvertuara dhe nota 7=75 pikë të konvertuara. Çdo 0.10 e notës mesatare është baras me 7,5 pikë të konvertuara ( p.sh. nota mesatare 7,10 = 82,5 pikë të konvertuara, 8,20 = 165 pikë të konvertuara, 9.34 =250,5 pikë të konvertuara e kështu me radhë). Konkursi i Fakultetit të Mjekësisë do të shpallë fitues konkurruesit më pikë më të larta sipas rendit zbritës (listë merite). Kjo është e vlefshme edhe për kuotat e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme dhe kuotat e trojeve. Konkursi i testimit me shkrim zhvillohet pranë Fakultetit të Mjekësisë, i përbashkët për të gjitha specialitetet, nën përgjegjësinë e Dekanit të fakultetit.

Për realizimin e intervistës, pranë Departamenteve/Njësive Bazë ngrihet Komisioni i Intervistës nën përgjegjësinë e drejtuesit të Departamentit/Njësisë Bazë, i përbërë prej të paktën pesë anëtarësh, ku përgjegjësi i Shërbimit që ka specialitet duhet të jetë detyrimisht anëtar, si edhe një sekretar (pa të drejtë vote).

 -Sa pikë do të ketë testi dhe sa pyetje do të jenë të përfshira në këtë test?

-Testi i përbashkët i konkurrimit hartohet me 60 pyetje Quiz sipas programit përkatës me përgjigje me jo më pak se 4 (katër) alternativa, nga të cilat njëra duhet të jetë e saktë ose 60 Problem Based Learning (PBL). Në rastin e Quizeve dhe PBL, hartuesit janë anëtarët e Komisionit të Hartimit të Testit me shkrim, nën përgjegjësinë e Dekanit të fakultetit. Testi Quiz futet në zarf dhe hapet publikisht nën drejtimin e Dekanit dhe bëhet fotokopjimi sa është numri i konkurrentëve. PBL të përgatitura  kanë numra dhe kandidatët tërheqin një numër në bazë të të cilit i jepet PBL me numrat respektivë. Kjo është e vlefshme edhe për kuotat e Ministrisë së Mbrojtjes (MM), Ministrisë së Drejtësisë (MD), Ministrisë së Brendshme (MB) dhe kuotat e trojeve, pra do të ketë vetëm një listë fituesish.

 -Nga sa vetë do të jetë i përbërë komisioni që do të hartojë testin me shkrim?

-Komisioni i Hartimit të Testit me shkrim përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë (ku përfshihet edhe Dekani). Përbërja e Komisionit të Hartimit të  Testit mbahet sekret dhe komunikimi u bëhet anëtarëve personalisht nga Dekani, një ditë para zhvillimit të konkursit me shkrim. Komisioni realizon krijimin e fletëve (testeve) me 60 teste me një ose disa zgjedhje, të cilave u korrespondojnë 60% të pikëve totale të konvertuara.

Vlerësohet me 1(një) pikë të pakonvertuar  përgjigjja e saktë e çdo zgjedhjeje, penalizohet me – 0.5 (minus gjysmë) pikë të pakonvertuar përgjigja e gabuar e çdo zgjedhjeje dhe vlerësohet me 0 (zero) pikë përgjigja “Nuk e di”. Për të bërë konvertimin e pikëve, rezultati i mbledhjes së pikëve të pakonvertuara shumëzohet me 10.

Komisioni i Mbikëqyrjes mbikëqyr dhe kontrollon zhvillimin e procesit të testimit. Gjatë këtij procesi ndalohet rreptësishtë çdo lloj komunikimi i kandidatëve mes tyre apo me jashtë si dhe me anëtarët e Komisionit të Mbikëqyrjes. Kandidatët ndalohen të kenë me vete dhe të përdorin shënime, libra apo publikime të çfarëdo lloji, aparatura informatike memorizuese, telefon celularë apo mjete të tjera të transmetimit në distancë. Çdo rast shkeljeje e kësaj pike, ndëshkohet me përjashtimin e menjëhershëm nga konkursi. Në fletën e kandidatit të përjashtuar, firmosin të paktën dy nga anëtarët e Komisionit të Mbikëqyrjes. Komisioni i Verifikimit ka për detyrë : Të bëjë verifikimin e kandidatëve dhe emrin e tyre në “fletë përgjigje” si edhe sekretimin e fletës së përgjigjeve të testit, Quiz – eve dhe PBL të çdo konkurruesi, pasi ai të jetë shpërndarë nga Komisioni i Mbikëqyrjes. Duhet të marrë në dorëzim, me proces-verbal, zarfin e përgjigjeve të sakta dhe dosjen me “fletë përgjigjet” e testeve të sekretuara, sipas numrit rendor dhe PBL.

Pas përfundimit të konkurrimit me shkrim dhe korrigjimit të testeve, në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë, shpall  përgjigjet e sakta (çelësi i testeve të konkursit) në rastin e Quiz -eve dhe rezultatin e vlerësimit të PBL. Duhet të korrigjojë testet, duke i vlerësuar ato sipas kritereve të lartpërmendura. Duhet të skualifikojë testet, që përmbajnë shënime të tjera, të cilat bëjnë të mundur  njohjen e identitetit të kandidatit, i cili automatikisht përjashtohet.

 -Intervista është një fazë tjetër e rëndësishme në përzgjedhjen e fituesve, nga sa vetë do të përbëhet komisioni?

-Komisioni i Intervistës përbëhet nga të paktën 5 (pesë) anëtarë, mes të cilëve, Përgjegjësi i Departamentit, Përgjegjësi i Shërbimit për specialitetin, përfaqësuesi i deleguar i MSH, shefa shërbimesh ose pedagogë të tjerë të Departamentit/Njësisë Bazë, në bazë të propozimit të përgjegjësit të Departamentit dhe miratohet nga Dekani. Katër nga anëtarët e Komisionit të Intervistës propozohen nga përgjegjësi i Departamentit/Njësisë Bazë, ndërsa anëtari i pestë është përfaqësuesi i Dekanatit. Në Departamentet/Njësitë Bazë që nuk kanë mundësi të plotësojnë numrin e mësipërm, ato plotësohen me anëtarë të tjerë të fakultetit, me propozim të përgjegjësit të Departamentit/Njësisë Bazë dhe miratim të Dekanit.

Procedurat për zgjedhjen e specialitetit

Zgjedhja e specialitetit bëhet brenda dy ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare, nga vetë kandidatët fitues, sipas rendit zbritës të pikëve në listën përfundimtare gjithë-emërore. Procesi i zgjedhjes së specialitetit finalizohet nga Komisioni i Vlerësimit,  i drejtuar nga  Dekani me praninë e të interesuarve (në grupe me nga 5 konkurrues)  sipas kuotave të përcaktuara me VKM, sipas rendit zbritës të pikëve në listën përfundimtare gjithë-emërore, të ndërtuar në bazë të pikëve të fituara nga çdo kandidat. Më pas kandidati i parë zgjedh e më pas sipas rendit zbritës në bazë të kuotave të çdo Departamenti/Njësie Bazë (Specialiteti). Kandidati që ka fituar në një Departament/Njësi Bazë në bazë të rezultatit, mund të zgjedhë një specialitet tjetër brenda Departamentit/Njësisë Bazë (vetëm preferencën e dytë në fushën përkatëse) kur kuota mbetet e lirë. Në rast se pas intervistës e përzgjedhjes mbeten kuota të lira, Komisioni i Vlerësimit ka të drejtë të thërrasë në intervistë kandidatë të tjerë sipas rendit zbritës (notë mesatare+test), derisa të përfundojë plotësimi i kuotave në bazë të VKM.

Kriteret për të ndjekur specializimet

-Po, kanë të drejtë ato kandidatë që zotërojnë Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë (DIND) në Mjekësi, të fituar në FM, UMT ose diplomë të huaj, të njëvleftshme me të (të ekuivalentuar nga MASH).

Kanë notë mesatare të të gjitha viteve universitare ≥ 7.

Kanë moshë ≤ 40 vjeç (kriter i diskutueshëm)

Nuk lejohen të konkurrojnë kandidatë që janë duke kryer ose kanë kryer një program të tillë specializimi të studimeve afatgjata.

Kandidatët kanë të drejtë të regjistrohen vetëm në një Departament/Njësi Bazë, duke e shprehur këtë në kërkesë-deklaratë me përcaktimin e Specialitetit brenda Departamentit. Kandidatët kanë të drejtë të shprehen për një preferencë të dytë të Specialitetit, brenda fushës së Departamentit/Njësisë Bazë ku janë regjistruar.

Zotërojnë të paktën një gjuhë të huaj (përkatësisht anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht), për të cilat kanë dëshmitë përkatëse. Janë të vlefshme vetëm dëshmitë e lëshuara nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, nga Instituti Italian i Kulturës, nga Instituti i Aleancës Franceze, Instituti Gëte, testi TOEFL (minimumi 500 pikë), Kembrixh, FCE, ILTSE. Diploma duhet të jetë fotokopje e noterizuar.