Prof. Dr. Bajram Hysa/ Paradoksi i strategjisë së rekrutimeve

755
Sigal

 Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka lajmëruar ditët e fundit se vitin e ardhshëm, në 2015,  pritet të  rekrutojë rreth 500 pedagogë çka, sipas saj “do të ndihmojë në stabilizimin e raportit student-pedagog”. Në mënyrë institucionale janë përcaktuar edhe  kriteret për vlerësimin e aktiviteteve akademike te kandidateve për t’u përfshirë në personel akademik.  Por siç jemi në dijeni, qeveria shqiptare sapo ka nënshkruar një marrëveshje me një agjenci angleze që do të bëjë një vlerësim real të gjendjes së Universiteteve publike e private dhe pas këtij vlerësimi mund të ndodhë që një pjesë e tyre, për shkak të mangësive apo plotësimit të kritereve, të mos lejohen të vazhdojnë më tej aktivitetin e tyre: pra a të mbyllen apo të organizohen. Kështu që ky numër pedagogësh për rekrutim, pa përfunduar punën agjencia britanike, mund të jetë i parakohshëm ose më i madh seç janë nevojat.

Tashmë universitetet tona duhet të përcaktojnë qartë kërkesat dhe procedurat për rekrutimin e stafit akademik, për mbështetjen e tij me programe kualifikuese, përdorimin e metodave të larmishme të mësimdhënies, proceset gjithëvjetore dhe shumë planëshe të vlerësimit të balancuar, sistemeve të administrimit të dokumenteve etj. Por, përpara se të rekrutojë pedagogë, universiteti duhet të  përshtatë kurrikulat me sistemin mësimor europian.

Programet e studimit, të miratuara dhe në proces zbatimi, përveçse duhet t’u përgjigjen kërkesave të Ligjit “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, duhet të  respektojnë standardet dhe kërkesat e Marrëveshjes së Bolonjës, si dhe të  reflektojnë zhvillimet dhe kërkesat aktuale e perspektive të tregut të punës në dimensione kombëtare, rajonale e ndërkombëtare.

 

Procedura  e re për rekrutimet

Në Raportin e Reformës së  arsimit të Lartë, përcaktohet edhe procedura e re që do të ndiqet në punësimin e pedagogëve të rinj. Përzgjedhja e pedagogëve që do japin leksione në auditore do të kushtëzohet nga intervista, si dhe artikuj që konfirmojnë punën e tyre kërkimore-shkencore. Në këto kushte rekrutimi i stafit akademik nëpër universitete do të ndjekë një tjetër rrjedhë. Nuk do të ketë më punësim të shumëfishtë në disa fakultete sikundër ka ndodhur deri më tani. Sipas përcaktimeve të detajuara, në raport thuhet se do të ndalohet punësimi me kohë të plotë në më shumë se një institucion të arsimit të lartë dhe në çfarëdolloj veprimtarie akademike të paautorizuar jashtë institucionit, gjatë kohës  normale të punës. Angazhimi i personelit akademik në  institucione të tjera të arsimit të lartë duhet të mbështetet me marrëveshje ndërinstitucionale dhe të mos lejohet angazhimi me kohë të pjesshme në më shumë se një institucion tjetër njëkohësisht. Kështu çdo strukturë e arsimit të lartë duhet të mbulojë të paktën dy të tretat e ngarkesës akademike me personel akademik me kohë të plotë, përjashtohen rastet e  programeve të përbashkëta ndërmjet dy fakulteteve apo universiteteve. Pjesëmarrja në projekte, konsulenca, botime dhe shërbime, që realizohet në kuadër  të institucionit, nuk duhet të konsiderohet si dypunësim brenda institucionit, por duhet të njihet e të vlerësohet prej këtij të fundit si mjet për zhvillimin institucional. Në rastin e dhënies së kontributit, ai duhet njohur dhe shpërblyer nga institucioni në bazë të punës së bërë, të kontributit personal dhe të cilësisë së rezultatit të arritur nga anëtari i personelit.

Kriteri bazë – cilësia e punës shkencore

Pavarësisht kriterit të domosdoshëm që ka përcaktuar MAS se çdo lektor i punësuar me kontratë të përhershme duhet të ketë fituar gradën “Doktor i Shkencave”përpara punësimit, Ministria duhet të artikulohej më qartë se kriteri  bazë për çdo shkallë promovimi dhe rekrutimi duhet të mbështetet në një kriter themelor: në cilësinë e “Punës kërkimore shkencore”. Dhe punën  kërkimore-shkencore nuk e konfirmojnë vetëmartikujt dhe intervistat, siç theksohet në raport. Mbështetja e procesit mësimor nga një veprimtari kërkimore në rritje kontribuon në rritjen e cilësisë së përgatitjes së studenteve dhe në zhvillimin e kapaciteteve të tyre inovative.

 

Agonia  e kërkimit shkencor

Siç kam deklaruar disa herë publikisht në shtyp, kërkimi shkencor në Shqipëri vazhdon, fatkeqësisht, të ndodhet në udhëkryq. Shkurtimi i ndjeshëm i kohës së nevojshme për kërkim shkencor, shoqërohet me financimin e pamjaftueshëm apo infrastrukturën e paplotësuar, gjë që ka ndikuar padyshim së tepërmi në zvogëlimin e stafeve kërkimore-shkencore. Nga ana tjetër, kërkesat për nivel e cilësi të lartë të kërkimit shkencor, krejtësisht të arsyeshme e të justifikuara, kërkojnë pa dyshim ekipe kërkimore shumëdisiplinore, si dhe infrastrukturë të sofistikuar. Duhet nënvizuar po ashtu se agjendat e kërkimeve shkencore deformohen jo rrallë nga dëshirat e veçanta të biznesit, prioritetet akademike dhe presionet e natyrave të tjera, që nuk kanë të bëjnë aspak me nevojat e vërteta të ekonomisë dhe zhvillimit.
Kjo agoni vërehet përditë edhe në Universitetin  Mjekësor të Tiranës , pavarësisht nga cilësia e mësimdhënies dhe niveli i  lartë shkencor i profesoratit.

Drejtimi i kurrikulës shkencore

Mendoj se është koha për një vlerësim të hapur e të çiltër mbi të gjitha problemet që lidhen me nxitjen, frymëzimin, mbështetjen, financimin, certifikimin dhe implementimin e kërkimit shkencor në Fakultetet tona, pra për një reformë të vërtetë në këtë fushë të rëndësishme të jetës akademike. Konkretisht, përfshirja e parimeve themelore të kërkimit shkencor në kurrikulën e Fakulteteve (sikurse domosdoshmëria, metodologjia, mendimi kritik etj), krijimi i stafeve profesionalisht të justifikuara për drejtimin e kurrikulës shkencore, me kandidatët e përfshirë në kërkimin shkencor, përzgjedhja e duhur dhe mbështetja e plotë e udhëheqësve shkencorë, avokatia për financimin e logjikshëm të kërkimeve, sigurimi i infrastrukturës së nevojshme, monitorimi i pandërprerë i ecurisë së aktivitetit shkencor dhe formimi i bordit të kërkimit shkencor, strukturë që duhet të përcaktojë fushat prioritare të universiteteve tona,  të integrojë e të harmonizojë sa të jetë e mundur më shumë agjendat shkencore, do shërbenin pa dyshim në përfshirjen gjithmonë e më të madhe të pedagogëve në aktivitetin ekonomik e prodhues të vendit.

Pa kërkim shkencor ka vetëm destabilizim

Organizimi i anës kërkimore-shkencore nënkupton përhapjen e laboratorëve kërkimorë, sponsorizimet, synimet, personelin e kualifikuar shkencor dhe pajisjet e reja moderne. Megjithëse tradita e kërkimit shkencor në vendin tonë është mjaft modeste, kjo fushë e madhe nuk duhet shpërfillur. Sot janë të gjitha mundësitë që ato të mbështeten edhe nga qendra kërkimore të jashtme. Qeveria duhet të investojë me fonde të veçanta në krijimin e laboratorëve të rinj në institucionet arsimore, por edhe pranë grupeve të vogla konsumatore ekonomike. Laboratorët mund të ngrihen në rrugë të ndryshme dhe të marrin forma të ndryshme. Ajo çka nevojitet është një lakueshmëri që lejon kërkesat speciale të sektorëve të ndryshëm, që t’iu japin trajtë institucioneve, në përputhje me nevojat e tyre të veçanta.

Aftësitë teknologjike të një shoqërie shkojnë drejt rënies, nëse kërkimet shkencore vihen nën kontrollin e autoriteteve politike të interesuara për të kontrolluar rezultatet e zhvillimeve teknologjike, si dhe fuqinë për të ngushtuar ose për të drejtuar eksperimente. Në të gjitha shoqëritë demokratike me një rend të rregullt, autoritetet politike duan të ruajnë stabilitetin, sigurimin dhe statuskuonë. Kështu që mungesa e vëmendjes ndaj universiteteve dhe kërkimit shkencor sjell destabilizim dhe pasiguri të ndryshme.

Cila duhet të jetë strategjia e rekrutimeve?

 Nga përvoja ime vetjake si dekan në Fakultetin e Mjekësisë, mendoj se  strategjia e rekrutimeve duhet përqendruar në tri drejtime kryesore: mësimdhënia, kërkimi shkencor dhe kontributi për shoqërinë. Misioni i Universitetit është transformimi në një institucion mësimor-kërkimor me influencë e inovativ, në shërbim të vlerave humane thelbësore nëpërmjet prodhimit, shpërndarjes dhe kontributit me njohuri në nivel ndërkombëtar; rritja e individëve me ndjeshmëri sociale, të mirëkualifikuar, produktivë, profesionalë dhe të përgjegjshëm, me shpirt të orientuar drejt kërkimit, të hapur ndaj sfidave kombëtare dhe ndërkombëtare; si dhe dhënia e kontributit në kuadër të përmirësimit të cilësisë së jetës së shoqërisë bazuar në nevojat rajonale dhe botërore. Universiteti është një institucion dinamik, me një rritje të qëndrueshme në pajtim me politikat e promovimit, politikat e Arsimimit dhe trajnimit, politikat e kërkimit shkencor, të burimeve njerëzore; politikat e Mjedisit dhe kontributit social.

Një universitet duhet të plotësojë misionin e arsimit të lartë në dimensionin e tij universal, kombëtar e rajonal. Në përfundim të këtij refleksioni jam i mendimit se kriteret e promovimit dhe rekrutimit të pedagogëve të rinj  duhet të përfshijnë edhe performancën e mësimdhënies, ndonëse pesha që do t’i jepet asaj do të jetë e ndryshme në përputhje me misionin e Institucioneve të arsimit të lartë. Kjo peshë duhet të jetë maksimale për ato institucione që kanë për mision kryesor mësimdhënien.