Prof. As. Dr. Vladimir Bano: Sfidat e Filialit të Universitetit të Lushnjës dhe problematika e theksuar e ambienteve

980
Sigal

INTERVISTË/Flet Prof. As. Dr. Vladimir Bano, drejtor i filialit të Universitetit  të Lushnjës

 Me vendim të Këshillit të Ministrave, në shtator të vitit 2008 u bë fakt i kryer çelja e Filialit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, në Lushnje. Është viti i pestë që Filiali i UBT  zhvillon veprimtarinë e tij mësimore, shkencore e profesionale, falë përkushtimit të një stafi pedagogësh me tituj e grada shkencore, të cilët me të njëjtin preokupacion si në Universiteti Bujqësor Tiranë, japin mësim edhe në Filjalin e Lushnjës. Drejtori i Filialit të UB,  Lushnje, Prof.As.Dr. Vladimir Bano, në intervistën e tij ekskluzive për gazetën “Telegraf” (për herë të parë në median e shkruar), bën publike historikun e kësaj shkolle, problemet aktuale dhe perspektivën që i çelet  universitetit.

– Si lindi ideja për ngritjen e Universitetit  në Lushnje?

– Ky universitet ka një histori. Po të ktheheshim pak në retrospektivë, Lushnja ka pasur dikur një Filial të Universitetit Bujqësor në degën agronomi, deri në vitin 1982. Ajo që e bënte më të pranueshme ngritjen e Filialit në Lushnje ishte fakti se këtu me kohë ka ekzistuar dhe funksionon më së miri ish “Instituti i Kërkimeve Bujqësore” (sot QTTB)  për drithërat e bukës etj, me specialistë të aftë, me tituj e grada shkencore që drejtonin e drejtojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Kjo na shërbeu si kujtesë. Ish kreu i Bashkisë së Lushnjës z. Kadri Gega bëri tentativat e para në MASH për hapjen e Filialit të Universitetit në Lushnje. Nëse dështuam më 2004, kjo dëshirë jona u bë realitet në vitin 2008. Specialistët e QTTB ishin ata që do të përbënin bazën e pedagogëve. Ata ishin të profileve të ndryshme me grada e tituj shkencorë. Në biseda me intelektualë të qytetit shpesh diskutonim se qytetit tonë, në zhvillim e sipër,  i duhej një universitet. Kjo dëshirë u përvijua me tone më të besueshme në takime me qeveritarë në vitin 2003-2004.

-Kur e mori formën ligjore ngritja e Universitetit në Lushnje?

-Ish kreu i Bashkisë së Lushnjës, z. Albert Sanxhaku kontaktoi me rektoratin e Universitetit Bujqësor, më pas edhe me  MASH- in dhe këtu erdhi një ekip specialistësh nga UBT me vet rektorin e tij në krye, z.Fatos Harizaj. Dekanët e Fakultetit Bujqësor dhe të Veterinarisë të UB  kontaktuan me autoritetet në Bashki, N/prefekturë, me specialistët e QTTB dhe u konkludua se ishin të gjithë faktorët dhe aktorët promovues që në Lushnjë të çelej Filiali. Kështu, më shtator 2008, doli vendimi i Qeverisë që e bëri fakt të kryer këtë dëshirë tonën dhe gjithë qytetarisë lushnjare.

– Cilat degë do të kishte ky Filial? Ç’masa mori ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e punës në Universitet?

-Universiteti do të kishte tre degë: hortikulturë, agrobiznes dhe financë-kontabilitet. Në këtë kohë dolën edhe urdhrat e ministrisë së Arsimit e Shkencave mbi kuotat e studentëve që do të frekuentonin. U arrit që më 17 nëntor 2008 të hapej kursi i parë me 23 studentë, në degët agrobiznes e kontabilitet. Kështu filloi rrugën Filiali ynë.

-Ishte e vështirë të gjenit gjuhën e përbashkët për godinën?Po studentët ku do të akomodoheshin?

– Në funksion të studentëve u vu godina e ish-Institutit Bujqësor, aty ku vijojnë studimet edhe sot. Kjo u bë e mundur falë mirëkuptimit me stafin dhe drejtuesit e QTTB dhe negociatave me ministrinë e Bujqësisë e cila lejoi që ky Filial të akomodohej në këtë godinë. Sipas përvojës së gjithë universiteteve të tjera edhe këtu, disa studentë u rehatuan në konviktin e Mekanikes e të tjerë në familjet lushnjare me qira.

-Ishte i vështirë fillimi?Sa studentë u regjistruan vitin e parë?

– E nisëm me 23 studentë. Në vitin 2009-2010 numri i studentëve arriti deri në 150 veta.  Aktualisht, sot kemi 450 studentë.

 – Nga cilët rrethe vijnë studentët tuaj?

– Pothuajse nga të gjitha rrethet. Kemi studentë nga Hasi, Tropoja, Kukësi, Fushë-Kruja, Librazhdi, Berati, Fieri, Vlora, Kuçova Lushnja etj..

 -Çfarë  perspektivash të reja i hapen universitetit?

– Dëshira jonë ka qenë që ky Filial të zgjerohej dhe me degë të tjera, sidomos dega e bujqësisë,  që siç dihet, rajoni i Lushnjës ka shumë resurse. Për këtë arsye u vendos nga Senati i UB që në vitin 2013-14 të hapet edhe dega e Mbrojtjes së Bimëve. Këtë e diktojnë nevojat e rrethit gjithnjë në zhvillim e sipër, çka kërkon edhe specialistë me nivel. U bëj thirrje të gjithë gjimnazistëve që të afrohen te universiteti ynë, pasi bujqësia do të ketë përparësi në të ardhmen. Agronomi i duhet bujqësisë dhe pa të s’mund të ecet përpara. Bujqësia sot po merr përmasa evropiane. U them që të zgjidhni këtë degë, sepse do të bëheni drejtues të zot, të aftë t’u përgjigjeni kushteve të reja të teknologjisë bashkëkohore.

-Nëse do të kishit më tepër ambiente, do të kishit më tepër studentë?

-Sigurisht. Kjo do të jetë prioriteti ynë. Jemi duke negociuar dhe shpresojmë që të kemi lajme të mira në të ardhmen.

– Bëhet fjalë për ndërtimin e një godine të re?

– Prefektura dhe Bashkia kanë negociuar që të miratohet një fond për ndërtimin e godinës së U B. Projekti është dërguar nga Senati i universitetit  në ministrinë e Arsimit, bashkë me kërkesën, por deri tani jemi në pritje.

-Është e prekshme ndihma e pushtetit vendor?

– N/Prefekti z. Florian Dani dhe kryetari i Bashkisë z. Fatos Tushe, kanë qenë mbështetja jonë. Në fillim të çdo viti akademik bashkia ndërhyn për rregullimin e mjedisit dhe pajisjen e Universitetit. Meritë kanë edhe deputetët e Lushnjës dhe Ministria e Arsimit, e Bujqësisë dhe specialistët e QTTB.

-Cilët pedagogë japin mësim në Universitetin e Lushnjës?

-Pedagogët, pjesa më e madhe e tyre, janë nga ata që japin mësim në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Janë me tituj e grada shkencore, ku veçoj zv/Dekanin e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit  Bujqësor, z. Maksim Meço, i cili jo vetëm ka qenë një nga iniciatorët e hapjes së Universitetit, falë origjinës së tij nga Lushnja, por edhe një përkrahës i zjarrtë i konsolidimit të tij. Ai është edhe organizatori i ardhjes së pedagogëve në Lushnje. Ky Filial është aktualisht në vitin e pestë, falë kontributit të rektoratit të Universitetit Bujqësor dhe rektorit, Prof. Fatos Harizaj, të dekanëve të Fakulteteve të Bujqësisë, Ekonomikut, Veterinarisë, profesorit të nderuar Ardian Maçi, Bahri Musabelliu, Dhimitër Rapti, të cilët janë të interesuar jo vetëm për mësimdhënien,  por edhe pajisjen e Filialit me laboratorët,  të cilët shërbejnë për ngritjen cilësore të mësimdhënies. Prandaj themi se ky Filial nuk ka ndryshim nga të tjerët dhe diploma e tij është njëlloj si ajo e studentëve që vazhdojnë në Tiranë.

– A japin leksione edhe pedagogë nga Lushnja?

– Në fakt, kjo ka qenë prioriteti ynë. Sepse Lushnja ka specialistë të aftë me tituj e grada shkencore si:z. Vladimir Malo, Prof i Asocuar; Enver Tome, Prof. i jashtëm; dr. Liri Miho;dhe specialisti i talentuar i informatikës, autor teksti, z, Qerim Karame etj..

Po kështu lëndët e sociologjisë e të anglishtes jepen nga pedagogët lushnjarë të jashtëm. Këtë mendojmë ta zgjerojmë në të ardhmen, sepse ky është edhe preokupimi i pedagogëve që zhvillimi i mësimeve të bëhet nga pedagogë vendas.

 -Sa cikle kanë përfunduar deri më sot?

– Kanë përfunduar dy cikle. Më 2012-n u diplomuan studentë nga të tri degët, me diplomën “Bancheror” agrobiznes, hortikulturë, e financë-kontabilitet.

-A vazhdojnë masterin nga studentët tuaj?

– Në tetor të këtij viti studentët tanë filluan masterin shkencor në Universitetin Bujqësor të Tiranës  sipas degëve  përkatëse  i cili është dy ose 1 vit. Universiteti ynë, dihet që  është me sistemin e Bolonjës.

– Ka kërkesa rigoroze për nivelin e përvetësimit të njohurive në UB?

– Sigurisht. Këtë e tregon fakti se nga studentët, një pjesë mbetën. Kjo vihet re edhe nga kalimet nga viti në vit, e cila varion te 60 %. Kërkesat këtu janë maksimale për studentët që futen në provim. Fakti që kemi mbi njëqind  përsëritës, për tre degët, nga 450 që janë gjithsej, tregon se këtu  ka kërkesa të larta.

– Sa femra i vazhdojnë studimet në Universitet?

– Thashë se në fillim e nisëm me 23 studentë, nga të cilët 9 ishin femra, kurse sot afër 75 % e studentëve e përbëjnë femrat, 50% e të cilave janë nga Lushnja.

– A është universiteti edhe një institucion edukimi?

– Po. Shkolla funksionon mbi bazën e Rregullores, si gjithë universitetet e tjera. Nuk na ka ndodhur asnjë incident në marrëdhëniet pedagog-student. Ne qetësojmë të gjithë prindërit se administrata këtu është e angazhuar maksimalisht për problemet e edukimit të studentëve..

– Ku i zhvillojnë praktikat profesionale studentët?

-Lushnja i ka të gjitha kushtet për  të zhvilluar praktikat me nivel e cilësi. Këtu gjenden bankat për degën e ekonomikut, ka specialistë kontabël për degët e tyre etj. Ka edhe specialistë nga komunat. Vet baza eksperimentale e QTTB na vlen shumë si dhe komplekset blegtorale, fabrikat e përpunimit të qumështit, të sallamit etj.

Studentët i kanë mundësitë të fillojnë edhe një punë në institucione të ndryshme. Kjo mundësi u jepet sidomos atyre që vazhdojnë  masterin profesional.

– Keni edhe një degë të menaxhimit veterinar?

– Në vitin 2011-2012,  pranë Filialit të UB, u shtua edhe dega  2-vjeçare e Menaxhimit Veterinar e cila këtë vit i ka të dy kurset, me 60 studentë. Dega e Menaxhimit Veterinar funksionon normalisht. Numri i studentëve edhe këtu ka ardhur në rritje. Z. Ilirian Bakiasi, si koordinator i degës, kujdeset që gjithçka të shkojë mirë. Vazhdojnë prej dy vjetësh. Më tej ata vazhdojnë në Tiranë. Ata që marrin mbi 6.5 mesataren kalojnë në Fakultetin e mjekësisë  veterinare në Tiranë  për të vazhduar 3 vjet të tjera që të marrin diplomën  si veteriner.

-Faleminderit!

Intervistoi: Kozma Gjini