Prof. As Dr. Leontiev Çuçi: “Reforma në Arsimin e Lartë do të aftësojë studentët shqiptarë të punësohen në tregun evropian”

203

Intervista/ Flet për “Telegraf” Prof. As Dr. Leontiev Çuçi, Rektor i Universitetit “Kristal”

Në këtë intervistë për gazetën “Telegraf” rektori i Universitetit “Kristal”, Prof. As Dr. Leontiev Çuçi, sqaron se si do të ndikojë reforma më e re për Arsimin e Lartë në universitet publike dhe jopublike. Çfarë pasojash do të ketë ajo në jetën studentore dhe pasi këta studentë dalin në tregun e punës. Ai u shpreh se: “Në vëzhgimin tim asnjë nuk është kundër saj. Edhe kontestimet për të nuk kanë mohuar nevojën e reformimit të Arsimit të Lartë, por element të veçantë të përmbajtjes, rrugët e kryerjes së saj dhe mekanizmat se si do të realizohet ajo”.

Z. Çuçi, meqë jeni aktivizuar edhe në media për problemet e Reformës në Arsimin e Lartë, cili do të ishte mendimi juaj për këtë “ndërprerje” të saj së fundmi?

E theksoj, që në fillim, se kjo reformë nuk është ndërprerë aspak, përkundrazi po vazhdon në fushën e mbledhjes së mendimeve dhe të reflektimit të vërejtjeve dhe të sugjerimeve. Me të drejtë, kur një reformë e një rëndësie madhore, siç është kjo e Arsimit të Lartë, bëhet transparente dhe i drejtohet një opinioni të gjerë ku përfshihen të gjitha grupet e interesit, do të ketë diversitete mendimesh dhe këndvështrimesh nga më të ndryshmet. E rëndësishme është se “kazani” për këtë reformë po vlon, pavarësisht nga niveli i temperaturës së vlimit. Thënë më thjeshtë, Qeveria, Komisioni i Reformës së Arsimit të Lartë dhe grupet e interesit janë në pikën e reflektimit, të analizave dhe të korrigjimeve për të vazhduar më tej, le të themi, në fazën e dytë.

-Cili është mendimi juaj për këtë Reformë?

Në vëzhgimin tim asnjë nuk është kundër saj. Edhe kontestimet për të nuk kanë mohuar nevojën e reformimit të Arsimit të Lartë, por element të veçantë të përmbajtjes, rrugët e kryerjes së saj dhe mekanizmat se si do të realizohet ajo. Në një mendim pothuajse tërësor, të gjithë janë pro thelbit të saj.  Në gjykimin tim, ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktorin kohë, me faktin e të bërit sa më shpejt të kësaj reforme. Dhe kur them kështu kam parasysh emergjencën e nevojës për t’i dhënë vendin dhe rolin e duhur faktorit cilësi në Arsimin e Lartë. Mjaft më vetëm me masivizimin dhe sasinë e studentëve që përfundojnë shkollën e lartë, por kthim i vëmendjes nga cilësia dhe kërkimi shkencor, pa mohuar natyrisht edhe të drejtën e askujt për Arsimim të Lartë. Zhvillimet e tregut imponojnë të tjerA parametra dhe kërkesa për punësimin e të diplomuarve. Mbaroi koha e përfundimit të shkollës së lartë sa për të marrë një diplomë. Ka ardhur koha e diplomës për të zënë punë në treg, për t’ju përgjigjur kërkesa që shtron dinamika intensive e tij, brenda dhe jashtë vendit. Marrja e Statusit të Vendit Kandidat në BE e bën edhe më emergjente këtë ndryshim. Boll me studentë që përgatiten vetëm për tregun e brendshëm, duhet përgatitje serioze dhe ndryshime të spikatura për të formësuar studentë edhe me kërkesat e veçanta të tregut europian e më gjerë. Tregu i sotëm shtron si imperativë edhe kërkimin shkencor, i cili është bërë prej kohësh pjesë organike e formësimit të “trurit” për tu punësuar. Nuk është fjala që studentët tanë kjo reformë t’i fus në hullitë e shpikjeve të mirëfillta shkencore, por t’u japë, në radhë të parë, ato dije shkencore që bota i ka shpikur prej kohësh, dhe jo vetëm kaq, por edhe t’i orientoje se si këto njohuri shkencore mund dhe duhet të aplikohen në realitetin e zhvillimeve tona integruese. Pikërisht këtë unë e quaj tamam thelb të Reformës, e quaj një vlerë të re të shtuar në arësimin e lartë.

-Sipas mendimit tuaj, cilat janë problemet që duhen pasur parasysh në përmirësimin e projektit të platformës së Reformës në Arsimin e Lartë?

Nga takimet që kemi pasur me anëtarë të komisionit të kësaj reforme janë mbajtur parasysh vërejtjet dhe janë pasqyruar reflektimet e nevojshme. Megjithatë, ato çështje që mendoj se duhen pasur parasysh në hartimin e projektligjit të ri për këtë qëllim janë:

Së pari, ekzistenca e një risku eminent që mund të shfaqet që në fillimet e funksionimit të ligjit të ri, po të kemi parasysh se do të ketë prioritet ekzistenca e universiteteve publike. Universitet publik do të thotë se, nuk do të ketë më universitete shtetërore; do të thotë më tej, se shteti do të financojë në një masë të caktuar, por nuk do të mbajë tërë barrën e nevojave financiare të tyre dhe do të thotë së fundi, që domosdoshmërish në universitetet publike të përfshihen si aksionarë e subjekte të tjerë të interesuar si kompani biznesi, institucione të pushtetit lokal, fondacione të ndryshme, etj. Pyetja që shtrohet është: Po në qoftë se nuk do të ketë aksionarë të interesuar për tu përfshirë me financime në këto universitete çdo të ndodhë? Si do të jetë e ardhmja e këtyre universiteteve në raste të tilla, kur në gjykimin tim, ambienti shqiptar nuk duket që të ketë shfaqur, të paktën deri tani, interesa të tilla? A do të falimentojnë ato? A do të ketë një alternativë tjetër?

Së dyti, duhet përcaktuar saktë dhe qartë statusi ligjor i universiteteve jopublike. Autonomia e tyre institucionale duhet të lidhet organikisht me autonominë e plotë financiare të tyre. Me këtë kam parasysh një mirëpërcaktim të standardeve bazë dhe të njësuara në nivelin e të tëra e universiteteve, por sidomos, një kompetencë sa më maksimale të universiteteve jopublike  në çështjet e organizimit të brendshëm të tyre.

Së treti, një përcaktim të saktë të kuadrit ligjor të universiteteve në fushën e kompetencave në marrëdhëniet e bashkëpunimit me universitetet e huaja.

-Çfarë përfaqëson sot Universiteti “Kristal” në sistemin e universiteteve jopublike?

Universiteti “Kristal” është një ndër universitetet e parë jopublike, i cili është themeluar qysh në vitin 2005. Ai është edhe një ndër universitetet më të mëdha jopublike, në mos më i madhi nga pikëpamja e disa treguesve kryesorë. Universitetit “Kristal” shumë shpejt u bë mjaft i preferuar dhe i kërkuar nga studentët shqiptarë, por edhe të huaj. Brenda një periudhe të shkurtër kohore ky Universitet u bë një Kampus i vërtetë dhe i vetmi në llojin e tij në vendin tonë. Si Kampus, Universitetit “Kristal” ofron sot një strukturë moderne arsimore dhe kërkimi shkencor. Në përbërjen e tij ka aktualisht 5-së fakultete: Fakulteti i “Mjekësisë”, Fakulteti i “Drejtësisë dhe i Shkencave Sociale”, Fakultetit i “Ekonomisë”, Fakulteti i “Inxhinierisë” dhe Fakultetit i Arteve. Ky i fundit përbën të vetmen alternativë jopublike krahas Universitetit Shtetëror të Arteve. Zhvillimi i këtij Universiteti u shtri shumë shpejt edhe me hapjen e filialeve të tij (struktura mbështetëse që varen nga qendra në Tiranë) në 5-së qytete të tjerë të Shqipërisë, respektivisht në Fier, në Shkodër, në Korçë, në Përmet dhe në Kukës. Të gjitha këto fakultete dhe struktura mbështetëse ofrojnë 63 programe të akredituara në dy cikle studimi: respektivisht 43 programe në ciklin e parë Bachelor dhe 20 programe në ciklin e dytë Master Shkencor e Master Profesional. Të tëra këto programe janë të nivelit bashkëkohor dhe të mbështetura në “Kartën e Bolonjës”. Ato janë të një niveli të tillë, të cilat diplomojnë student për tu punësuar, jo vetëm brenda vendit, por edhe në vendet e BE-së. Ky Universitet ka mbi 25 marrëveshje bashkëpunimi me universitete ndërkombëtare duke filluar nga ato të rajonit e deri me ato në SHBA. Sipas statistikave më të fundit, rresht 60% e studentëve të Universitetit “Kristal” janë aktualisht të punësuar brenda vendit, ndërsa rreth 1000 studentë (kryesisht të infermierë, por edhe të diplomuar të profesioneve të tjera) janë të punësuar në vendet e BE-së. Dhe kur ju jap këto shifra dëshiroj t’ju bëj me dije se duke përfshirë edhe këtë vit akademik në mbyllje, nga Universiteti ynë janë diplomuar rreth 33 mijë studentë.  Është e natyrshme që në këtë Universitet të jenë diplomuar edhe më shumë figura dhe autoritete intelektuale si deputetë e ish deputetë, ish ministra, drejtorë në poste të rëndësishme të administratës shtetërore, drejtues biznesesh e fondacionesh të mëdha, etj. Pavarësisht ndonjë tendencioziteti paragjykues në ndonjë media, unë ju parashtroi vetëm fakte që rrjedhin nga një realitet. Në numrin e madh të studentëve që ka diplomuare ky Universitet është normale që do të ketë edhe nivele të spikatura cilësore dhe drejtues të lartë shtetërorë. Edhe një fakt tjetër: në dy tre vitet e fundit studentët e Fakultetit të “Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale” renditen ndër të parët, madje në numër të konsiderueshëm, në rezultatet e provimeve për të fituar liçencën e avokatit. Këto rezultate janë arritur falë një infrastrukture dhe logjistike mësimore-shkencore, e cila mbështetet në  salla studimi bashkëkohore mësimdhënieje të pajisura me mjetet më të fundit të shërbimit didaktik; mbështetet në mbi 20 laboratorë mësimorë, por edhe në shërbime të tjera jetësore të nevojshme për një jetesë të kulturuar studentore; por mbështet mbi të gjitha, në një staf akademik profesorësh të shquar brenda dhe jashtë vendit, të cilat kanë edhe një bibliografi të pasur botimesh në revista prestigjioze kombëtare e ndërkombëtare. Konvikti, shërbimi i ushqimit social, transporti falas, salla moderne koncerteve në nivel kombëtar e ndërkombëtar, televizioni “Planet”, qendra e fitnesit dhe deri tek shërbimi i urgjencës mjekësore me dy ambulanca në shërbim të emergjencave shëndetësore, flasin që të gjitha për një strukturë unikale komplekse në Arsimin e Lartë Universitar në vendin tonë. E gjithë kjo strukturë madhore dhe me “teknologji arsimore” moderne arriti që vitin e kaluar të akreditohet edhe insitucionalisht, pra të njihet ligjërisht si strukturë komplekse universitare. Në këtë akreditim morri pjesë edhe një ekspert gjerman i dërguar nga Agjencia Europiane e Akreditimit të Shkollave të Larta Universitare.

-Z. Çuçi, si e shikon veten Universiteti “Kristal” në kuadrin e Reformës në Arsimin e Lartë?

Ne e mirëpresim këtë Reformë dhe shpresojmë që me zbatimin e saj do të jemi edhe më efektivë në tregun e arsimit të lartë shqiptar, por edhe më gjerë. Jam i bindur se ky Universitet do të jetë një alternativë e fuqishme konkurruese dhe do të ofrojë programe të kërkuara nga tregu ynë, por edhe ai i huaj. Në kuadrin e saj po rishikojmë të tëra programet ekzistuese me synimin e rinovimit dhe të përshtatjes së tyre me frymën e ligjit të ri për Arsimin e Lartë që do të dalë së shpejti. Objektivi ynë kryesor është: “riformatimi i programeve studimore për t’i bërë të aftë studentët tanë që të punësohen edhe në tregun europian”, sidomos tani që morëm edhe Statusin e Vendit Kandidat për në BE.