Prezantimi i projekteve në Universitetin Politeknik të Tiranës në kuadër të Javës së Inovacionit

90

Universiteti Politeknik i Tiranës po mbështet me një seri aktivitetesh Javën e Inovacionit e çelur më datë 10 Maj 2014, nga Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike. Kjo iniciativë ka si qëllim zhvillimin e disa aktiviteteve për informimin e të gjithë të interesuarve mbi programet, iniciativat dhe të rejat e fundit në fushën e inovacionit dhe teknologjisë lidhur me arsimin, por jo vetëm.

Në kuadër të kësaj jave, në ambientet e Universitetit Politeknik u organizuan seminare të ndryshme me pjesëmarrjen e studentëve dhe stafit akademik. Në secilin prej tyre ishin të pranishëm dhe përfaqësues të Ministrisë së Inovacioni dhe Ministrisë se Arsimit, ku përgëzuan universitetin për nismat e marra. Një nga projektet lidhur ngushtë me zhvillimin teknologjik dhe inovacionin është projekti  KHE-STO (Knoë-Hoë Enhancement for Sustainable Transportation Organization), i cili po implementohet nga Universiteti Politeknik i Tiranës në bashkëpunim me Universitetin e Aquila-s Itali, Rajoni Abbruzzo dhe 2 organizatat mjedisore shqiptare: “Qendra për Zhvillimin e Qëndrueshëm Mjedisor” dhe “Qendra kombëtare e Lëvizjes Mjedisore”.

KHE-STO është financuar në kuadër të programit IPAadriatic CBC që nxit bashkëpunimin në Rajonet e Adriatikut. Pikërisht, lidhur me këtë zhvillim, IPA Adriatic ka përfshirë zona, ku sistemi i transportit publik nuk ka një nivel të kënaqshëm, zona marxhinale, ku transporti nuk është aspak eficent dhe ku qeveria, pushteti lokal apo shoqatat e transportit duhet të punojnë për ta përmirësuar atë. Qëllimi kryesor është përmirësimi e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe kohezioni social. Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Adriatik, financohet nga Bashkimi Europian. Programi IPA Adriatik, ka në përbërjen tij 8 vendet pjesëmarrëse: Itali, Greqi, Slloveni, Kroaci, Mal i Zi, Shqipëri, Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë. Në Shqipëri, territoret përfituese të këtij programi janë qarqet: Tirana, Durrësi etj.. Projekti KHE-STO ka një jetëgjatësi prej 30 muaj dhe do të përfundojë në Qershor 2015 me projektin pilot si pjesë integrale e tij. Projekti pilot konsiston në pajisjen e mjeteve të transportit të përzgjedhura për implementim, me aparatura, të cilat do të shërbejnë si një pikë informacioni për disa shërbime njëherazi. Qendra e kompanisë së transportit do të marrë në kohë reale informacion mbi vendndodhjen e tij dhe të vendosë këtë informacion në stacione dhe në këtë mënyrë të informojë udhëtarët sa kohë do t’i duhet të mbërrijë në stacion. Automjetet do të jenë të pajisur me sensore që matin parametra të ndryshëm për ndotjen dhe klimën. Gjithashtu, këta autobusë do të ofrojnë shërbimin Ëi-Fi të internetit me qëllim që, gjatë udhëtimit njerëzit të përdorin më mirë kohën e tyre për dërgime e-mail, lexim të orarit të mësimit, etj..  KHE-STO punon pikërisht në këtë drejtim për të zhvilluar modele për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve dhe pushtetit lokal. Përmes këtyre takimeve dhe seminareve, ku ndër të tjera flitet dhe mbi rëndësinë që mund të kenë përdorimi i instrumenteve të teknologjisë së informacionit në përmirësimin e zhvillimit të qëndrueshëm të transportit, është prezantuar ky projekt, por dhe mënyra se si universiteti do ta implementojë atë. Gjatë takimit me studentët, fjalën e mori Rektori i Universitetit Politeknik, Akademik Jorgaq Kaçani, i cili përshëndeti gjithë nismat e ndërmarra për pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare. Prof. Kacani shprehu mbështetjen e Universitetit Politeknik për të nxitur punën kërkimore të studentëve nëpërmjet projekteve të ndryshme. Ndër të tjera Rektori foli mbi rëndësinë e projekteve të natyrës teknologjike lidhur me energjinë e rinovueshme, mjedisin, klimën detare, teknologjisë së informacionit dhe përmirësimin e infrastrukturave të transportit si prioritete të Universitetit Politeknik dhe Qeverisë. Rektori ftoi studentet të jenë aktive në këto projekte, pasi ata janë parësorë në këtë institucion.

Në mbyllje të fjalës së tij, Rektori u shpreh: “Të gjithë bashkë të punojmë për të dhënë kontributin tonë  sepse vetëm kështu arrihen rezultate maksimale. Uroj, gjithashtu, për ju kur të dilni në jetë dhe të punoni në fushat e ndryshme inxhinierike të arrini sa më shumë rezultate dhe mos harroni se në universitetin tuaj do të gjeni gjithmonë mbështetje. Ju ftoj të gjithëve që gjatë kësaj jave, por edhe gjatë gjithë vitit të ndiqni risitë që do të sjellin projektet e ndryshme”.